Digjet makina e oficerit të Policisë së Krujës

Dy javë, pasi persona të panjohur hodhën në erë makinën e oficerit të Policisë së Komisariatit të Krujës, Trim Murati, në rrethana ende të panjohura, gjatë orëve të natës, është djegur një tjetër veturë e tij.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, në rrugën “Kastriotët”, kur Murati ka vënë re se vetura “Opel Forntera”, në pronësi të tij, kishte marrë flakë. Automjeti ishte parkuar në oborrin e shtëpisë së Muratit, jo shumë larg vendit ku dy javë më parë një tjetër makinë në pronësi të tij iu vendos eksploziv. Nga këqyrja e kryer nga oficerët e policisë është vënë re se zjarri është vënë në pjesën e pasme të automjetit.
Sipas burimeve të policisë, autorët kanë hedhur një objekt të fortë që ka thyer xhamin e pasmë të veturës, ç’ka ka bërë që ajo të merrte flakë. Më 23 qershor të këtij viti, persona të paidentifikuar hodhën një sasi eksplozivi në veturën “Merecedez-Benz”, të Muratit, duke dëmtuar pjesën e përparme. Trim Murati 40 vjeç, punon si oficer i Policisë në Seksionin e Krimeve të Rënda në Policinë e Krujës.
Ai por edhe të afërm të tij të pyetur nga policia thanë se nuk kanë konflikte me njeri. Oficeri i Policisë u ka pohuar kolegëve se, dyshon se ngjarja mund të ketë lidhje me aksionet kundër kanabisit në zonën e Krujës. Policia po heton të dy ngjarjet edhe në pista të ndonjë konflikti personal të oficerit Murati.

U vihet zjarri dy makinave në Tiranë

Dy makina u dogjën gjatë natës së djeshme në Tiranë. Policia njoftoi se ngjarja ndodhi rreth orës 02:45 në rrugën “Shefqet Kuka”, pranë pallateve Amfora. Nga hetimet paraprake të kryera dhe konsultimit me ekspertët e zjarrfikëses, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme në mjetin e shtetasit me inicialet E.L.
Makina e tij është djegur plotësisht. Por flakët janë shpërndarë edhe në një taksi të parkuar ngjitur. Ajo i përket shtetasit me inicialet G.Sh. Policia thotë se po punon për zbardhjen e ngjarjes. Deri tani është marrë në pyetje pronari i makinës së djegur dhe po hetohet mbi të shkuarën e tij.

Exit mobile version