Diktatura doli në sipërfaqe pas tërmetit

Nga Artur ZHEJI

Është e kotë ti vijmë anash dhe të themi stërhollime. Diktatura ishte e nëndheshme deri dje, para tërmetit të 26 Nëntorit, tani doli krejt në sipërfaqe me përmasat e saj të plota.

Arrogance e djeshme e Ramës, u shëndrrua në brutalitet verbal, xhestual dhe në veprim.

Sëpari pushtoi ekranin apo ekranet, nga ora 7 e mëngjesit deri ne darkë, pa pushim, pa dialog, pa dëgjesë, vetëm urdhra, porosira, ‘mençurira’ dhe një përrua psikik që gurgullon të njoma dhe të thata, koncepte me gungë apo të dysta, e kështu ndaç haje, ndaç mbyll Tv.

Pastaj kryeministri e përcaktoi sloganin, do të ndërtojmë Lagjet e Reja të Rilindjes, nënkupto këtu o vlla lexues, ‘që nuk i tremb tërmeti, as shiu dhe as qameti’, se kështu na premtoi dhe na dha llafin mbreti…

Pastaj ay, KM-ja krejt pa gjumë, me nervat ‘tel’ e ‘kaçurel’, bëri për ‘një lek’ edhe djalin e tij shpirtëror të viteve të fundit, ‘Lali Erin’ alias Erion Veliajn!

Para kamerave, e shndërroi publikisht kryebashkiakun e Kryqytetit, në një Bojaxhi no name, no face, no person, që duhet të bindet të lyejë shkallët e pallatit ku ay, ‘Il Grande Capo’ ose ‘Sulltani i vogël’, ngjitet për qoka ose ngushëllime patetike…

Provën gjenerale e kishte bërë ca orë më parë me Elisa Spiropalin dhe dashurinë e saj të sinqertë politike për kryeministrin suprem, kur e turpëroi pa shkak e për llastim të vet, thjesht se vajza entuziaste, ish kryetare doganash, por edhe ish kryefreshiste trime, vite apo shekuj më parë, e duartrokiti vrullshëm ‘Udhëheqësin’ (italisht ‘Il Duce’).

Por Elisa, ish-kryefreshistja trime e ish-antiNanoiste e ish-antiBerishiste e paepur, e duartrokiti, pa leje dhe kur Ay, nuk kishte krruar ende kokën apo kafkën e thinjur…

Po nejse qoftë Elisa e qoftë lali Eri, shërbyen për diçka, na bënë me dije hapur, se Udhëheqësi (italisht ‘Il Duce’), nuk pyet as për ta, dhe se ata të parët, duhet të fshijnë nga koka iluzionet e demokracisë në këtë Vend të tërmetosur…

Për tu kthyer në Temën e fillimit, Rama, si hap të Dytë, e shndërroi ‘tërmetin26nëntor’, në një gur themeli për të mbaruar projektin e vendosjes së plotë të Diktaturës.

Ndërkohë që shumë shtëpi e pallate që po prishen, mbajnë akoma vulën e Mëkatit vrastar, të bashkëpunëtorëve të tij, në Durrës, apo të atij vetë në Tiranë. Kush pyet sot për këtë?!

Sepse Sot, e gjithmonë e më shumë edhe nesër, të gjitha në një Dorë do të mblidhen grusht, Prokuroria, Parlamenti komik, dhe …

Dhe … Gjeneral Lleshaj që po i hanë duart dhe fantazitë e paragjumit, për një luftë rrafshuese dhe kësaj radhe përfundimtare, me gaz e shkopinj e me plumba gome, ndaj opozitarizmit, kudo që të shfaqet! Mjafton të fishkëllejë Udhëheqësi!

Por edhe Opozitën, nëqoftëse ka një Opozitë, duket se e ka zënë edhe atë ‘tërmeti26nëntor’ dhe për këtë vërtet që nuk ka faj Rama…

/360grade.al

artur zheji

Exit mobile version