Dilema e Kontes!

Antonio Konte duhet të marrë një vendim shumë të rëndësishëm në verë. Trajneri italian gjendet para dy zgjedhjeve shumë të rëndësishme: nëse do të vazhdojë të drejtojë te Çelsi, apo do të kthehet në Itali, ku nuk i mungojnë oferta shumë të rëndësishme financiare.
Në Itali përflitet prej kohësh për një interesim të Interit për teknikun që ndërtoi ciklin e suksesshëm të Juventusit që po vazhdon me Alegrin. Sipas “Tuttosport”, tashmë Zhang ka vendosur të investojë për një emër të madh në bankinë dhe ka zgjedhur pikërisht Konten, të cilit është gati t’i ofrojë një rrogë prej 15 milionë eurosh në sezon. Kjo, edhe pse Havier Zaneti insiston për ish-shokun e tij të skuadrës, Diego Simeonen.
Por sipas “Daily Mail”, për momentin duket se trajneri po i reziston ofertave që i kanë mbërritur nga Italia. E përditshmja britanike insiston se Konten e tërheq shumë sfida që ka nisur në Premier Ligë me emrat më të mëdhenj të trajnimit botëror si Murinjo, Guardiola apo Klop, ndaj vështirë se do të largohet shpejt nga londinezët. Gjithsesi, vendimi do të merret në verë, pasi të mbyllet ky sezon, i cili parashikohet të kurorëzohet me titullin kampion për Çelsin.
Ndërkohë, Machester United i paguan tifozëve vizat ruse për ndeshjen e Europa Ligë. Një klub i madh dallohet edhe për kujdesin ndaj detajeve më të vogla. Manchester United vendosi t’i paguajë vizat ruse 500 tifozëve anglezë që do të fluturojnë drejt Rostovit, për ndeshjen e Europa League. Pas shortit në Nion, me goglat që vendosën se “Djajtë e Kuq” do të luajnë në 1/8 ndaj Rostov, problematika më e madhe lidhej me aspektin logjistik, duke qenë se qyteti rus ndodhet në distancën e 3,200 kilometrave larg Mançesterit.
Një problem jo i vogël për tifozët e besuar që do të ndjekin United në këtë transfertë, për të mbështetur ekipin e Jose Mourinhos. Ndërkohë, që kostos së lartë të udhëtimit, ku përfshihen avioni, hoteli dhe bileta e stadiumit, i shtohet edhe shifra e 140 eurove për t’u pajisur me vizat ruse. Në situatën e krijuar, sipas “Daily Mail” klubi i Manchester United vendosi të mbulojë plotësisht koston e vizave të tifozëve për këtë transfertë aspak komode. Me llogari të thjeshta, duke qenë se anglezët kanë konfirmuar prezencën e 500 tifozëve në Rostov, “Djajtë e Kuq” do të shpenzojnë afro 70 mijë euro për mbështetësit e klubit.
Megjithëse problemet burokratike duket se janë zgjidhur, skuadra e Mourinhos dhe tifozët e United nuk do ta kenë aspak të lehtë në Rusi. Tifozët vendas kanë paralajmëruar “luftë përballë armiqve anglezë”, për një pritje në fushë dhe në tribuna që nuk do të jetë aspak miqësore.

Exit mobile version