Frenojnë çmimet e pronave, normat e interesit “në pritje”
Cikli i rritjes së shpejtë të çmimeve të pasurive të paluajtshme ka frenuar, duke i bërë pronat një alternativë më pak tërheqëse investimi, të paktën në një afat të mesëm. Nga ana tjetër, Bankat Qendrore kanë nisur uljen e normave të interesit, megjithëse ka ende pasiguri nëse kjo ulje do të vazhdojë. Sidoqoftë, tregu ofron investime financiare me kthime të kënaqshme, sidomos për ata investitorë që kanë oreks më të madh për rrezik
Ersuin Shehu
“Flaka” inflacioniste, që u shfaq në ekonomi në vitin 2022, duket se për momentin po shuhet. Inflacioni në Shqipëri, prej muajsh, ndodhet poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë, aq sa, në mënyrë deri diku të papritur, Këshilli Mbikëqyrës vendosi më datë 3 korrik të ulë normën bazë të interesit nga 3.25% në 3%.
Kjo ishte ulja e parë e normës bazë të interesit që prej periudhës së pandemisë dhe njëkohësisht solli edhe pikën e kthesës në trajektoren e politikës monetare, pas një cikli shtrëngimi të shpejtë në vitin 2022 dhe një ecurie më të qëndrueshme, me një rritje të vetme, në 2023.
Në rastin e Shqipërisë, rritja e normave të interesit ishte më e kufizuar në raport me Eurozonën dhe ekonomitë e tjera. Kjo besohet se i detyrohet kryesisht një efekti amortizues që dha mbi inflacion mbajtja e çmimeve të subvencionuara të energjisë elektrike, por sidomos forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor.
Rikthimi i lëvizjes së politikës monetare në kahun lehtësues natyrisht që krijon pritshmëri për ulje të normave të interesit në tregun e brendshëm financiar. Në teori, kjo mund t’i bëjë më pak tërheqëse produktet e investimit financiar dhe të mbajë tërheqëse investimet alternative, kryesisht në pasuri të paluajtshme.
Megjithatë, analistët financiarë ende janë të kujdesshëm rreth një uljeje të mëtejshme të normave të interesit këtë vit. Në parashikimin e fundit për Shqipërinë, Raiffeisen Research projekton një skenar bazë ku Banka e Shqipërisë do të mbajë normën bazë të pandryshuar në nivelin 3%, deri në fund të këtij viti.
“Ne besojmë se kjo qasje ‘prit dhe shih’ i lejon Bankës së Shqipërisë të monitorojë efektet e vazhdueshme të uljes së fundit të normës dhe të vlerësojë nëse nevojiten rregullime shtesë për të mbajtur një mjedis të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm ekonomik.
Megjithatë, sipas mendimit tonë, fokusi në vitin e ardhshëm do të jetë në kostot e punës për njësi për të përcaktuar, nëse ndonjë përkeqësim mund t’i detyrojë bizneset të rrisin çmimet dhe të detyrojë Bankën Qendrore të ndryshojë kurs dhe të lëvizë sërish drejt nivelit të normës neutrale”, – thuhet në parashikimin e Raiffeisen Research.
Duket se cikli i rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme mund të ketë arritur tashmë pikun. Sipas vrojtimeve të Bankës së Shqipërisë dhe raportimeve të agjentëve imobiliarë, rritja e çmimeve tashmë është frenuar.
Në këto kushte, pritshmëritë për fitime nga investimi në prona për momentin duken të jenë në rënie.
Tregu i pronave, çmimet drejt normalizimit
Tregu i pasurive të paluajtshme përjetoi rritje të fortë të çmimeve në periudhën pas pandemisë, e nxitur nga kushtet e favorshme të financimit, kërkesa më e lartë nga jorezidentët dhe rritja e sektorit të turizmit.
Rritja e çmimeve, gjithashtu, mund të shpjegohet në një masë të caktuar edhe me faktorë të ofertës, si shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit, si dhe me forcimin e Lekut në kursin e këmbimit valutor, që u tentua të balancohej nga shitësit, duke rritur çmimet e shitjes në Euro.
Pritej që cikli rritës i normave të interesit, që filloi në vitin 2022, ta frenonte rritjen e sektorit. Kjo pjesërisht ka ndodhur dhe duket se rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme po stopohet.
Sipas Indeksit Fischer të llogaritur me frekuencë 6-mujore nga Banka e Shqipërisë, çmimet e banesave në 6-mujorin e dytë të vitit të kaluar pësuan rënie me 7.6%, krahasuar me gjysmën e parë të vitit, me bazë vjetore, çmimet rezultuan ende në rritje, por shkalla e rritjes vjetore u ngadalësua në 3.2%, nga 16.6% që kishte qenë në fund të vitit 2022.
Indeksi i çmimeve për pronat e shitura në Tiranë regjistroi rënie prej 10.1% ndaj 6-mujorit të parë të vitit, ndërsa ishte vetëm pak më i lartë në krahasim me vlerën e një viti më parë.
Të dhënat nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) treguan gjithashtu se numri i transaksioneve të shitblerjeve së pasurive të paluajtshme pësoi rënie vitin e kaluar.
Mbështetur në të dhënat e ASHK, vitin e kaluar u regjistruan gjithsej 35690 transaksione të shitblerjes së pasurive të paluajtshme, në rënie me 5.8% krahasuar me një vit më parë. Një shifër e tillë dëshmon se tregu i pronave ka pësuar frenim vitin e kaluar.
Shifrat e ASHK dëshmojnë se tregu i pronave arriti rritjen maksimale në vitin 2021, me rritje vjetore të transaksioneve prej 44%. Rritja shumë e lartë mund të jetë ndikuar edhe nga efekti i bazës krahasuese, për shkak se viti i parë i pandemisë dhe kufizimet e vendosura sollën disa kufizime edhe në këtë treg.
Por, viti 2021 solli rritje të shpejtë të tregut. Rritja vijoi me ritme dyshifrore edhe në vitin 2022, me 14%. Ky vit shënoi edhe pikun në numrin e transaksioneve, me 37,900 të tilla.
Viti 2023 solli një lloj frenimi, por sidoqoftë numri i transaksioneve ngelet i lartë dhe dukshëm mbi nivelet e periudhës 2020-2021.
Megjithatë, duhet pasur parasysh se një pjesë e konsiderueshme transaksioneve në tregun e pasurive të paluajtshme kryhen edhe nëpërmjet kontratave të porosisë.
Kjo ndodh në rastet kur pronat blihen përpara përfundimit ose përpara regjistrimit të tyre në Kadastër, ndërsa kontrata e shitblerjes lidhet në një moment të dytë, pas regjistrimit të pronës.
Duke pasur parasysh volumin e konsiderueshëm të ndërtimeve të reja në vitet e fundit, mund të arrihet në përfundimin se edhe shitjet me kontratë porosie zënë një pjesë të rëndësishme.
Megjithatë, ecuria e shitblerjeve padyshim jep në vija të përgjithshme tendencat e tregut. Këto tendenca tregojnë se, ndonëse tregu i pasurive të paluajtshme ngelet dinamik, frenimi nisi të shfaqej vitin e kaluar.
Banka e Shqipërisë synon të ngadalësojë kredinë
Financimi nëpërmjet kredisë bankare ka vijuar të figurojë në një pjesë të mirë të shitjeve të pronave. Sipas agjentëve të anketuar nga Banka e Shqipërisë, ashtu si periudhën e kaluar, rreth 60% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare.
Nga këto, në 60% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, kredia për blerje të pasurive të paluajtshme për individët vijoi të rritet dhe në mesin e këtij viti, teprica e saj shënoi vlerën 196.2 miliardë lekë, duke u rritur me 13.7% kundrejt një viti më parë.
Pjesa më e madhe e kredisë së marrë nga individët për të financuar blerjen e pasurive të paluajtshme përfaqësohet nga kredia në monedhën Lek dhe pesha relative e këtij portofoli gjatë 5 vjetëve të fundit është rritur nga 50% në 62%.
Një pjesë e konsiderueshme e kërkesës në tregun e pasurive të paluajtshme vjen nga sektori i biznesit, ku rritja madje ka ritme shumë më të larta. Në mesin e këtij viti, portofoli i kredisë për pasuri të paluajtshme i bizneseve arriti në afërsisht 173 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 56%.
Rritja e shpejtë e kredisë në përgjithësi dhe e asaj për blerjen e pasurive të paluajtshme në veçanti duket se ka arritur pikën kur ajo vlerësohet se mund të përfaqësojë rrezik të shtuar për sektorin financiar.
Në fillim të këtij viti, ishte Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) që i sugjeroi Bankës së Shqipërisë vendosjen e një shtese kundërciklike kapitali për sektorin bankar.
Në deklaratën e Bordit Ekzekutiv të FMN për Shqipërinë, thuhet se vendosja e një shtese kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat tregtare mund të merret në konsideratë në afatin e mesëm, për të forcuar më tej stabilitetin financiar.
Sugjerimet për aplikimin e një norme kundërciklike lidheshin kryesisht te zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të kredisë së dhënë nga bankat për financimin e blerjes së tyre.
Banka e Shqipërisë reagoi ndaj këtyre shqetësimeve në fund të tremujorit të dytë 2024, duke aplikuar për herë të parë një shtesë kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar.
Sipas vendimit të Guvernatorit, Gent Sejko, norma e shtesës kundërciklike të kapitalit (KUNC) për Shqipërinë do të jetë 0.25 pikë për qind, nga zero që parashikohej në vendimin e mëparshëm. Të gjitha bankat tregtare në Shqipëri duhet ta plotësojnë këtë shtesë pas një viti, duke filluar nga data 30 qershor 2025.
Aplikimi i një shtese kundërciklike të kapitalit është i parashikuar në rregulloren e vitit 2018 “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”. Një shtesë e tillë ka si qëllim ngadalësimin e kreditimit, në rast se Banka Qendrore vlerëson se ai po rritet me ritme tepër të shpejta.
Prej disa tremujorësh, ekonomia shqiptare po përjeton një cikël financiar pozitiv, të mbështetur mbi rritjen e përshpejtuar të kredisë bankare.
“Nëse analizohet ecuria e kredisë që jepet për bizneset, për zhvillim dhe investime në pasuritë e paluajtshme (rezidenciale dhe tregtare), e korrigjuar për efektin e kursit të këmbimit, normat vjetore të rritjes deri në mars 2024, kanë qenë mbi 30% në secilin rast.
Më tej, nëse agregohen kreditë e dhëna për individët dhe për bizneset, për pasuritë e paluajtshme (rezidenciale dhe tregtare), norma e rritjes vjetore e këtij portofoli shënon 25% (nga 21% sipas raportimit në vlerë nominale).
Kjo normë rritjeje është dukshëm më e lartë se norma e rritjes vjetore për të gjithë portofolin e kredisë prej 10% (7% sipas raportimit në vlerë nominale), duke evidentuar përshpejtimin e kreditimit”, – thuhet në argumentimin e vendimit të Guvernatorit Sejko.
Sipas Bankës së Shqipërisë, këto periudha shoqërohen edhe me fillimin e rreziqeve të caktuara, që mund të lidhen me rënie të standardeve të kreditimit, rritjen e niveleve të përqendrimit të saj në sektorë apo tregje të caktuara, rritjen e niveleve të borxhit për agjentët e ekonomisë reale përtej niveleve të shëndetshme etj.
“Këto situata, nëse lejohet të zhvillohen, mund ta bëjnë ekonominë dhe sistemin financiar më të ndjeshëm ndaj goditjeve të ndryshme, duke cenuar kështu stabilitetin financiar. Për këto arsye, në këto raste sugjerohet përdorimi i instrumenteve makroprudenciale që zbusin ecurinë e ciklit financiar (veprojnë në mënyrë kundërciklike) dhe parandalojnë zhvillimin e pakontrolluar të këtyre rreziqeve.
Në rastin tonë, zhvillimet pozitive në ciklin financiar reflektohen më mirë nga ecuria e vlerave të Treguesit të Paralajmërimit të Hershëm Plotësues (TPHP).
Mbështetur në vlerat e këtij indeksi gjatë disa tremujorëve, përdorimi i shtesës kundërciklike sugjerohet nga metodologjia ‘Për përcaktimin e shtesës kundërciklike të kapitalit’” thuhet në argumentin e vendimit të Bankës së Shqipërisë.
Më tej, Banka Qendrore shton se, nëse ritmet e kreditimit do të mbeten të larta, mund të priten rritje të tjera të normës së shtesës kundërciklike në periudhat e ardhshme.
Masat prudenciale të Bankës së Shqipërisë, që synojnë të frenojnë kreditimin për blerjen e pasurive të paluajtshme, pritet të ndikojnë në uljen e kërkesës për blerje pronash, një tjetër faktor që i ul gjasat për një rritje të fortë të çmimeve të pasurive të paluajtshme gjatë viteve në vijim.
Investimet nga jorezidentët ngelen të larta
Megjithatë, tregu i pronave në Shqipëri ndikohet edhe nga faktorë të tjerë, si kërkesa e lartë nga blerësit jorezidentë apo kanalizimi në këtë treg i shumave të mëdha që burojnë prej aktiviteteve të jashtëligjshme.
Kontrolli real mbi burimin e të ardhurve që financojnë ndërtimin dhe blerjen e pronave në Shqipëri është i dobët dhe ky sektor perceptohet si një nga mënyrat më të efektshme për të pastruar para.
Rritja e çmimeve e ka bërë edhe më tërheqës këtë sektor për të investuar para me origjinë të dyshimtë; por, ngadalësimi i rritjes së çmimeve, nga ana tjetër, mund të krijojë efektin e kundërt, duke ulur interesin për të pastruar para në këtë sektor.
Mbështetur në të dhënat paraprake të publikuara nga INSTAT, sektori i pasurive të paluajtshme vijoi rritjen edhe vitin e kaluar. Sipas INSTAT, PBB me çmime korrente i këtij sektori arriti në pothuajse 137 miliardë lekë. Rritja nominale e sektorit ishte 14.4%, ndërsa rritja reale, afërsisht 11.3%.
Shifrat e INSTAT tregojnë në fakt një ecuri ndjeshëm më të mirë krahasuar me ecurinë e transaksioneve të shitblerjes.
Ky mund të jetë një konfirmim i faktit se numri i shitblerjeve nuk jep një tablo të plotë të zhvillimeve në treg. Kjo mund të jetë e lidhur me pjesën e konsiderueshme që zënë shitjet me kontratë porosie.
Një shpjegim tjetër mund të jetë rritja e mëtejshme e çmimeve, që ka sjellë rritje të volumit të sektorit, pavarësisht se janë raportuar më pak kontrata shitjeje.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar, investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën e 325 milionë eurove, në rritje me 12% më shumë krahasuar me vitin 2022.
Kjo shifër përbën afërsisht një të katërtën e PBB-së së sektorit të pasurive të paluajtshme në Shqipëri për vitin 2023.
Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë mbi tregun e pasurive të paluajtshme, gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2023, rreth 26% e banesave të shitura janë raportuar të blera nga shtetas jorezidentë. Nga këta, rreth 2/3 rezultojnë shtetas të vendeve të Bashkimit Europian.
Në tërësi, sipas Bankës së Shqipërisë, pesha e blerësve jorezidentë është rikthyer në rritje, pas një ecurie në rënie që prej vitit 2020.
Sipas agjentëve, këtu përfshihen kategori të ndryshme blerësish. Ndoshta më e rëndësishme është ajo e atyre që kanë investuar për prona në bregdet, duke pasur parasysh edhe faktin se përgjithësisht, në zonat bregdetare, Shqipëria ka ofruar çmime më konkurruese, qoftë edhe me vendet fqinje.
Një kategori tjetër janë të huajt që vendosen për banim të përhershëm në Shqipëri, për shkak të klimës dhe kostos më të ulët të jetesës.
Depozitat dominojnë investimin e parave
Kur flitet për investime financiare, depozitat bankare vazhdojnë të jenë produkti mbizotërues ku mbahen kursimet e individëve në Shqipëri.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), depozitat përbëjnë rreth 85% të vlerës totale të investimeve financiare të individëve shqiptarë, me vlerë totale prej 1.2 trilionë lekësh.
Rritja vjetore e depozitave të individëve këtë vit është e dobët. Në mesin e këtij viti, ato u rritën me më pak se 1% me bazë vjetore.
Megjithatë, këtu duhet llogaritur edhe efekti negativ statistikor i kursit të këmbimit mbi depozitat në valutë të huaj.
Shumica dërrmuese e investitorëve të vegjël shqiptarë vazhdojnë t’iu besojnë produkteve financiare më të sigurta. Depozitat bankare janë të siguruara me ligj deri në shumën e 2.5 milionë lekëve dhe deri në këtë shumë, vendosja e parave në bankë është një investim me rrezik 0.
Produkti i dytë më i preferuar janë bonot dhe obligacionet e qeverisë shqiptare, që përbëjnë rreth 10% të investimeve financiare të individëve, për një shumë totale prej afërsisht 150 miliardë lekësh.
Vijojnë kuotat në fondet e investimit, me rreth 46 miliardë lekë ose 3% të totalit dhe obligacionet me ofertë private, me një total prej 20 miliardë lekësh, ose afërsisht 1% të totalit të investimeve të individëve.
Interesat e depozitave në Lek në rritje, pavarësisht frenimit të BSH
Ngadalësimi i ndjeshëm i rritjes së normave të interesit të Bankës Qendrore vitin e kaluar u përcoll edhe te normat e interesit të depozitave në Lek. Megjithatë, zhvendosja në rritje e interesave të depozitave ka vazhduar dhe duket se është theksuar në muajt e parë të këtij viti.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në Lek që prej muajt shkurt e në vazhdim ka qëndruar sipër nivelit të 2%. Në maj, depozitat e reja në Lek u pranuan me një normë mesatare interesi prej 2.09%.
Interesi mesatar i depozitave është rritur me rreth gjysmë pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Në maj 2023, norma mesatare e interesit për depozitat e reja kishte qenë 1.56%.
Rritja e normës së interesit për depozitat e reja në muajt e fundit ka shkaktuar edhe frenimin e rritjes së normës mesatare të interesit për depozitat gjendje.
Norma mesatare e interesit për depozitat me afat në Lek të individëve në maj arriti në 2.36%, nga 1.84% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e normave të interesit të depozitave, pavarësisht mosrritjes së normës bazë të interesit, mund të shpjegohet kryesisht me një kërkesë në rritje për monedhën vendase nga sektori bankar. Në pjesën e parë të këtij viti po vërehet një rritje me ritme shumë të shpejta e kredisë në monedhën vendase.
Për 6-mujorin 2024, kredia e re në Lek u rrit me 52% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Normat më të ulëta të interesit po bëjnë që kredia në Lek të jetë gjithnjë e më e preferuar nga huamarrësit.
Nga ana tjetër, rritja e depozitave në Lek në përgjithësi vitet e fundit ka qenë e ngadaltë, duke reflektuar edhe një efekt të fortë shtrëngues të politikës fiskale. Kjo ka shtuar nevojën e sektorit bankar për fonde në monedhën vendase dhe ka rritur normat e interesit të depozitave në Lek.
Normat e interesit për depozitat në monedhën Euro ngelen ndjeshëm më të ulëta, por edhe ato me një tendencë në rritje. Për muajin maj, norma mesatare e interesit për depozitat e reja në Euro ishte 1.12%, nga 0.82% që ishte një vit më parë.
Normat e interesit të depozitave në Euro kanë ndjekur vetëm pjesërisht kursin agresiv të rritjes së interesave nga Banka Qendrore Europiane në dy vitet e fundit, ndërsa ulja e normave të interesit në qershor i ka zbehur edhe më tej gjasat për rritje të mëtejshme të përfitimit nga depozitat në Euro.
Në rastin e Euros, konkurrenca e produkteve të tjera financiare është më e dobët, sepse individët nuk kanë shumë alternativa investimi financiar me rrezik të ulët, siç ndodh me Lekun.
Gjithashtu, ndërmjetësimi në Euro për bankat ka kosto më të lartë, sepse Banka e Shqipërisë aplikon normë remunerimi zero për rezervat e detyrueshme në valutë, përveçse kërkon edhe nivele më të larta të këtyre rezervave.
Për këto arsye, normat e interesit për depozitat në Euro ngelen më të ulëta krahasuar me ato në Lek.
Për sa u takon normave maksimale të interesit të ofruara nga tregu për depozitat, mbështetur në normat e raportuara nga bankat tregtare në Bankën e Shqipërisë, depozitat 5-vjeçare në Lek kanë norma interesi që arrijnë deri në 4%, ndërsa ato në Euro, deri në 2.7%.
Për herë të parë po tregtohen tituj në bursë
Vitin e kaluar, institucioni financiar NOA u bë i pari subjekt privat që realizoi një ofertë publike të titujve dhe i listoi ato në një treg të letrave me vlerë.
Të dhënat statistikore të publikuara nga Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE, tregojnë se gjatë vitit të kaluar, tregtimi dytësor i obligacionit korporativ të NOA ka regjistruar vlera të konsiderueshme, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për instrumentin e parë të këtij lloji.
Që nga muaji gusht deri në fund të vitit 2023, në Bursën ALSE u tregtuan gjithsej 60 obligacione të NOA, për një shumë totale prej 30.8 milionë lekësh. Shuma e tregtuar përbën pak më shumë se 6% të vlerës totale të emetimit të obligacioneve nga NOA.
Çmimi i tregtimit u luhat në intervalin midis 101.95% dhe 103.4% të vlerës nominale të obligacionit. Kjo tregon se investitorët e kanë shitur titullin me fitim, duke marrë një çmim më të lartë se ai që kishin paguar për të.
Oferta e parë publike e titujve nga një subjekt privat në Shqipëri u hap më datë 24 maj 2023 dhe u mbyll më 21 qershor 2028. Shuma totale e nënshkruar e obligacionit ishte 500 milionë lekë.
Obligacioni i NOA ka një afat maturimi 5-vjeçar dhe kupon fiks prej 8%.
Tregtimi i deritanishëm është realizuar me një çmim sipër vlerës nominale, që nënkupton një yield më të ulët se kuponi fiks prej 8% që paguan emetuesi. Ulja e yield-it është një zhvillim pozitiv për subjektin emetues, sepse, në një këndvështrim të përgjithshëm, tregon besim nga investitorët.
Nga ana tjetër, rënia e yield-it mund të jetë ndikuar edhe nga zhvillimet në tregun financiar vendas gjatë vitit të kaluar. Në përgjithësi, yield-et e instrumenteve alternative, obligacioneve qeveritare, pësuan rënie të ndjeshme nga nivelet e gjysmës së dytë të vitit 2022.
Në një mjedis të tillë, një titull me kupon prej 8%, është bërë më tërheqës për investitorët. Për krahasim, në ankandin e dhjetorit 2023, obligacionet 5-vjeçare të qeverisë shqiptare u emetuan me një yield prej 5.65, që ishte njëkohësisht yield-i më i lartë që prej muajit janar 2023.
Ndërkohë, yield-i më i ulët me të cilin u tregtua obligacioni i NOA vitin e kaluar ishte mbi 7.7%.
Megjithëse bëhet fjalë për një instrument me rrezik më të lartë krahasuar me obligacionet qeveritare, një yield i tillë është padyshim konkurrues për investitorët që synojnë kthime më të larta nga investimi.
Të dhënat e deritanishme të tregtimit të obligacionit të parë në Bursë mund të jenë inkurajuese për të tërhequr edhe kompani të tjera private në të njëjtën rrugë.
Bankat po kthejnë sytë nga produktet e investimit
Bankat tregtare në Shqipëri historikisht janë mbështetur te produktet tradicionale. Objektivi i tyre ka qenë mbledhja e depozitave, për të financuar dhënien e kredive ose investimin me letra me vlerë të borxhit.
Natyrisht që depozitat ngelen objektivi kryesor, por në vitet e fundit, ka sinjale se bankat po fillojnë të kthejnë vështrimin drejt ofrimit edhe të produkteve të investimit që u ofrojnë klientëve të tyre.
Shembulli më tipik janë obligacionet e emetuara prej tyre, për nevojat e rritjes së kapitalit rregullator të njohur nga Banka e Shqipërisë. Këto instrumente ofrojnë kthime ndjeshëm më të larta se depozitat, megjithëse teknikisht janë të shoqëruara me rreziqe më të larta.
Këtë vit, për herë të parë, një bankë tregtare ka kryer funksionin e nënshkruesit (underwriter) të plotë të një titulli borxhi të emetuar nga një shoqëri tregtare.
Kjo nënkupton se banka nënshkruese i ka blerë vetë të gjitha obligacionet e emetuara nga subjekti, duke krijuar mundësinë që në vazhdim ato t’u ofrohen për shitje klientëve të bankës.
Ndërkohë, një bankë tjetër, Intesa Sanpaolo, vitin e kaluar u licencua si agjent për tregtimin në Shqipëri të fondeve të investimit të grupit bankar italian.
Disa banka të tjera kanë filluar të ofrojnë shërbime brokerimi (marrje, transmetimi dhe ekzekutimi i urdhrave të klientëve, në lidhje me një ose disa instrumente financiare) në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar./ Monitor.al