Mbyllja e komunave paralele, reagon O’ Brien: SHBA të shqetësuara nga veprimet “e pabashkërenduara dhe provokuese” të qeverisë së Kosovës

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Jim O’Brien i quajti “të pakoordinuara dhe provokuese” veprimet e qeverisë së Kosovës, pas mbylljes së komunave paralele serbe në veri të vendit.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga veprimet e vazhdueshme të pabashkërenduara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës”, shprehet zoti O’Brien në një postim në platformën X, duke i bërë jehonë një deklarate të mëparshme të Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Në postimin e tij, zoti O’Brien tha se Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje “Kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe të bashkërendohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pabashkërenduara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”.

“Ne vlerësojmë punën e atyre, përfshirë EULEX-in dhe KFOR-in, që parandalojnë dhunën dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje të vazhdueshme nga të gjitha palët”, shprehet zoti O’Brien.

Më herët të premten ambasada amerikane në Prishtinë tha se operacioni i autoriteteve të Kosovës për mbylljen e komunave paralele serbe në veri të vendit, “nuk ishte i bashkërenduar” dhe vazhdimi i veprimeve të tilla paraqet “përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë”.

Autoritetet mbyllën të premten komunat paralele serbe në veri, në një veprim që ka të ngjarë të nxisë tensione të reja, me gjithë thirrjet e diplomacisë perëndimore për shmangien e “hapave të njëanshëm” në zonë.

Në një reagim të publikuar nga ambasada amerikane në Prishtinë, thuhet se “qeveria e Shteteve të Bashkuara përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pabashkërenduara të qeverisë së Kosovës që vazhdojnë të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”.

Policia e Kosovës, tha se operacioni në katër komunat në veri të vendit u zhvillua për të ndërprerë veprimtaritë në “pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se “janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Ministri Krasniqi tha se “komunat e mbyllura janë Qarku i Mitrovicës së Kosovë, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit”.

Më herët gjatë këtij viti, autoritetet mbyllën shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë tjera të vendit.

Në reagimin e ambasadës amerikane thuhet mes tjerash se “çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ky veprim nuk ishte i bashkërenduar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare”.

Në reagim theksohet se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga qeveria e Kosovës që ta ketë përparësi bashkërendimin dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet që përfshihen në agjendën e bisedimeve.

“Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave, pasqyron një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pabashkërenduara të qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe dëmtojnë emrin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”.

Më tej në reagim thuhet se ndërsa “qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë, instrumentalizimi i vazhdueshëm i policisë së Kosovës nga qeveria për të kryer veprime të pabashkërenduara nuk është në përputhje me premtimin e Kosovës se do të “vazhdojë këshillimin dhe bashkërendimin me komunitetin ndërkombëtar. Veprimet e qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”.

Kosova i cilëson institucionet komunale të emëruara nga Beogradi të paligjshme.

Shuarja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur.

Zyrtarët e Serbisë reaguan me zemërim ndaj operacionit të sotëm. Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se ky veprim “do të ketë pasoja afatgjata në procesin e normalizimit të marrëdhënieve” dhe sipas tij “ka për qëllim të nxisë konflikte në veri”.

Ai tha se me mbylljen e këtyre institucioneve (kryeministri Albin) Kurti “dëshiron të shuajë jetën e serbëve në veri të Kosovës dhe të realizojë spastrimin përfundimtar etnik”.

Në fillim të muajit gusht autoritetet mbyllën Postën e Serbisë në veri dhe shpalosën planet për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafikun e makinave.

Të enjten Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh i shqetësuar me ato që i quajti “veprime të njëanshme” të Kosovës, që sipas tij, nuk paraqesin shenja të mira drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Gjatë një vizite që e përmbylli të premten në Serbi, ai tha se Franca do të vëzhgojë “kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë”, duke nënvizuar se “në këtë aspekt, jemi veçanërisht të përkushtuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është pjesa më e vështirë e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten qeveria e tij është duke vendosur sundim të ligjit dhe rendit publik, si dhe duke siguruar paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.

“Në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë, edhe mbështetjen ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Francën, që e konsiderojmë vend mik, aleat dhe partner shumë të rëndësishëm edhe në Bashkimin Evropian, edhe në NATO”, tha kryeministri Kurti.

Perëndimi kërkon nga Kosova që çështjet që lidhen me situatën në veri të Kosovës të trajtohen në kuadër të dialogut në Bruksel./VOA

Exit mobile version