Disa të vërteta rreth “Bunkerit”

Kastriot Dervishi

Nga lajmet e ndryshme në televizione pashë që sot u bë përurimi i një ekspozite fotografike me një bunker nga sipër afër godinës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, emri i së cilës qenka “Bunk Art 2”. Fjalën “bunker” nuk e di për çfarë e përdorin, për atë artificialin që e kanë bërë derë hyrjeje apo për kompleksin e zyrave nëntokësore.
Në hyrje të bunkerit të sajuar, pashë disa foto të vendosura pa logjikë e pa rend kronologjik. Ndër të tjera, spikaste edhe fotoja e ish-kryetarit të Partisë Fashiste, Tefik Mborja, i dënuar nga gjyqi special si “kolaboracionist”. Po ndërsa në Kuvendin e Shqipërisë dëgjojmë që duhen dënuar kolaboracionistët, dje na “nderonin” ata qysh në hyrje të bunkerit artificial. Tani të shpjegojmë çfarë është objekti e çfarë qëllimi ka pasur.
“Venddrejtim” do të thotë një vend i fshehtë, i cili shërben për strehim në kohë të jashtëzakonshme. Juridikisht në Shqipëri është edhe një tjetër shumë i rëndësishëm, të cilën “pronari” as që e di se ku e ka.
Si person që kam dijeni për këtë objekt, si dhe nga dëshira për t’i dhënë publikut të vërteta ndryshe nga dezinformacioni i madh që qarkullon, po radhis më poshtë disa informacione.
Për herë të fundit, venddrejtimin nëntokësor të Ministrisë së Punëve të Brendshme e kam vizituar në vitin 2012. Pas ndërhyrjes që iu bë atij (ndërtimit të një bunkeri artificial), për herë të fundit e kam vizituar me një gazetar amerikan më 3.5.2016, vetëm pak orë pasi ishte realizuar shpimi që mundësonte hyrjen e jashtme. Objekti nuk kishte pësuar ndryshime të shumta, ndërsa dje pashë që ishte transformuar në një ekspozitë fotografike dhe rraqesh të sajuara komuniste. Si është historia e tij?
Në vitin 1985 u miratua projekti i ndërtimit të venddrejtimit kryesor për administratën e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili do të mundësonte hyrjen e shpejtë të administratës së lartë nga katër drejtime të ministrisë, si dhe komunikimin me ish-Ministrinë e Mbrojtjes dhe dy pika të tjera dalëse te Sahati dhe te kinemaja, në raste luftimesh. Brenda një viti u ndërtuan rreth 40 dhoma për të qëndruar kuadri i lartë i ministrisë dhe disa dhoma të tjera për centralin, bateritë, banjot, etj. Dhomat kanë pasur të gjitha shënime mbi dyer si për shembull, “ministri”, “drejtori”, etj. Ato kanë qenë të mobiluara thjesht me tavolina, karrige, krevate dhe telefona. Nuk kanë pasur asgjë tjetër. Nuk kanë pasur foto të E.H., apo Ramiz Alisë.
Ky venddrejtim ka disa veçori që janë:
– Nuk është bunker, por venddrejtim kryesor.
– Nuk është përdorur kurrë nga administrata e lartë e MPB-së. Kjo do të thotë se asnjëherë aty nuk është mbledhur shtabi i ministrisë apo ndonjë nivel tjetër i saj.
– Nuk është përdorur asnjëherë për tortura, hetim apo izolim ndaj të pandehurve.
– Nuk është objekt antiatomik, sepse një bombardim i drejtpërdrejtë nga ajri e shkatërron tërësisht atë.
Nuk do shumë mend ta kuptosh përpjekjen për ta paraqitur këtë, si vend torturash apo si vend ku drejtohej krimi komunist. Ky objekt ka lidhje me krimin komunist aq sa mund të kenë pyjet e Lurës apo laguna e Karavastasë. Po ashtu kujtoj manipulimin publik që iu bë rastit të parë ku venddrejtimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë (që me sa kam dëgjuar quhet “Bunk Art” 1) u paraqit si vendstrehimi i Enver Hoxhës, në një kohë që dy vendstrehimet e tij kanë qenë në Skrapar dhe Krrabë.
Për fat të keq, ide që çojnë në rikrijimin e muzeut të Ministrisë së Punëve të Brendshme të diktaturës, duken anakronike. Ky muze ka qenë aty ku është sot Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Muzeu i bënte lavde veprimtarisë së organeve të diktaturës, Sigurimit, Policisë dhe Kufirit.
Nuk tregohet diktatura komuniste duke u nisur me xhandarmërinë e vitit 1914 e duke vijuar me ngjarje të shkëputura. Ekspozita të përshpejtuara të këtij lloji mund të hapen edhe mbi tokë dhe jo nëntokë. Mbi tokë, ato janë shumë herë më të shëndetshme e më të shpejta për t’u konsultuar.
U tha me mburrje se po ndërtohej “për herë të parë” një memorie për krimin komunist, etj. Për ato që nuk e dinë apo kanë merak “herën e parë” po i kujtoj se pavijoni i parë për krimin komunist është ngritur në vitin 1996 në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Për herë të dytë, ky pavijon u rikonstruktua dhe pasurua në vitin 2012. Është pavijon shumë i detajuar në lidhje me diktaturën komuniste, periudhat dhe viktimat e atij regjimi. Natyrisht është në vendin e duhur, pra në muze.
Nëse do të duhej një vend ideal për t’u bërë muze tjetër diktature, mjaftonte godina reale e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe jo venddrejtimi imagjinar i saj. Godina ishte e Ministrisë së Financave, kur në vitin 1945 u kthye në Ministri të Punëve të Brendshme. Kjo godinë është përdorur edhe si vend hetuesie deri në vitin 1951 për raste speciale. Në të ka qenë edhe Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit. Nëse do të kërkohej pra, mund të përdorej godina e sotme, në të cilën rrinë apo kapardisen me poste shumë nipa dhe bij të persekutorëve të djeshëm, të cilët dje nuk i kuptova se çfarë bënin në venddrejtim, qanin për gjyshërit e baballarët apo për viktimat e tyre. Kam pasur rast që këto individë t’i dëgjoj që ishin krenarë për paraardhësit e tyre, ndërsa dje po “qanin” për të përndjekurit.
Interesant fakti se vendi ynë nuk gjen kurrë para për arkivat e veta, (të cilat nga mungesa e investimeve dhe lufta që i bëhet arkivistëve, po shkojnë me shpejtësi në degradim të paimagjinueshëm), ndërsa për ekspozita të shtrenjta është hambar i pashtershëm.
Bashkëlidhur do të gjeni planimetrinë e objektit pas ndërtimit të tij. Fotot se si ka qenë venddrejtimi nëntokësor dhe ndonjë gjë tjetër, ndoshta një herë tjetër.

Exit mobile version