Solidaritet me Mirelën

Sali BERISHA

Në mediat sociale dhe sondazhet online që nuk mund t’i kontrollojë dhe manipulojë qeveria, qindra mijëra qytetarë shprehën në forma të ndryshme mbështetjen dhe aprovimin e tyre të plotë ndaj aktit guximtar të mosbindjes civile dhe plotësisht demokratik të studentes Mirela Ruka, e cila bojatisi me salcë ministren shkatërrimtare të sistemit arsimor, Lindita Nikolla.
Ky solidaritet i jashtëzakonshem ndaj Mirelës, aktit të saj, shpreh në vete një protestë masive virtuale ndaj krimit të shëmtuar që Edi Rama dhe masha e tij Lindita kryen me antireformën e Arsimit të Lartë me të cilën ata:
– Mbyllën dyert e universiteteve të vendit për dhjetëra mijëra vajza dhe djem të familjeve të varfëra shqiptare dhe i shndërruan universitetet në mollë të ndaluar për fëmijët e këtyre shtresave.
– Me udhëzimet e saj, fund e krye korruptive në sistemin e pranimeve, Edvini dhe Miss Korrupsioni apo “madam Salca” detyruan mijëra studentë, shumë prej tyre edhe të shkëlqyer që të regjistrohen, duke paguar secili mijëra euro në universitetet e klientelës, të cilat ndajnë fitimn e tyre për çdo pranim të detyruar me Edvinin dhe Linditën!
Po ju rikujtoj këtu se ishte po kjo Linditë që publikisht u betua dhe stërbetua se me testin e dytë nuk do të mbeste njeri jashtë universiteteve publike, por kur mbetën mijëra e mijëra syresh ishte po kjo Linditë që heshti si fije bari.
Me udhëzimet e tyre për masterin, Edvini dhe Miss Korrupsionin caktuan afatin e fundit të regjistrimit për Master në universitetet publike një ditë para datës së provimit të shtetit të studentëve, në mënyrë që ata të mos mund të regjistroheshin, ndërkohë që universiteteve të klientelës që iu marrin 8 mijë euro për Master studentëve, dhe që ju caktoi si datë të fundit të regjistrimit për Master jo datën 13 tetor por 20 nëntor, duke siguruar kështu për xhepat e vet dhe të Edvinit 4000 euro për çdo Master!
Ndaj salcës në fytyrën e Linditës reagoi me shpejtësi dhe me metoda të vjetra, nomenklatura e kleptokracisë e dirigjuar nga Rama. Ky i fundit mobilizoi militantët e PS me mandat dhe pushtet për të demonizuar Mirelën dhe derdhur lot krokodili për Linditën, shoqe, grua, nënë.
Me këtë rast dua t’u them këtyre zonjave se është e vërtetë që Lindita është grua, nënë, bashkëshorte, por Lindita është nënë, bashkëshorte dhe grua që njëlloj si ju është e qëndisur me ar, me brilante dhe diamante luks e salltanete që shkon në punë me një veturë luksoze, ulet në një zyrë superluksoze, e shoqëruar nga badiguardë gjobvënës dhe që shkollon fëmijët në shkollat më të mira të botës.
Linditën, njëlloj si ju që e mbroni, pushteti, grykësia e kanë bërë shpirt kazmë, dhe për t’u pasuruar edhe më shumë si e pangopur ju vrau ëndrrën universitare, ju mbylli dyert e universiteteve të vendit dhjetëra mijëra maturantëve. Ajo zhyti në pikëllim e dëshpërim të thellë dhjetëra mijëra nëna, gra, bashkëshorte, motra, të cilat, për atë dhe ju nuk ekzistojnë, sepse asnjëra prej tyre nuk ka luksin tuaj dhe të Linditës, përkundrazi, shumica e tyre mezi mbijetojnë dhe kishin si shpresë të vetme për një jetë më të mirë shkollimin dhe diplomimin e fëmijës së tyre, të cilin Lindita, në emër të xhepave të veta dhe mentorit të saj Ramës e shkatërroi.
Me këtë rast përgëzoj dhe një herë Mirelën për kurajon e saj qytetare, kurse Rama dhe Lindita, që u nxinë jetën, u vranë ëndrrën dhe shpresën dhjetëra mijëra të rinjve shqiptarë, meritojnë jo salcën, por bojën e këpucëve!
Duke përfunduar, iu bëj thirrje studentëve, gjimnazistëve, prindërve të tyre dhe mbarë qytetarëve të solidarizohen me Mirelën dhe të ngrihen në protesta, mosbindje civile të shporrin nga pushteti klikën e hajnave në emër të së ardhmes së fëmijëve tanë!

Exit mobile version