Emisioni investigativ Vetting, News24
Tërmeti i vitit 2019 me magnitudë 6.4, ishte një ndër goditjet më të papritura për Shqipërinë, ku më të prekurit ishin personat në zonën e Shqipërisë së Mesme. Ndër këto dëme materiale më shqetësueset kanë qenë shembjet e banesave, ku qindra familje u detyruan të zhvendosen përkohësisht në një banesë tjetër, tek familjarët e tyre apo me qira.
Por çfarë ndodhi me pronarët e shtëpive që u dhuruan nga shteti?
Pronësitë e paluajtshme që janë përfituar me programet e rindërtimit të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 kanë kaluar dhe do të kalojnë nëpërmjet kontratës së dhurimit. Konkretisht, këto kontrata do të realizohen ndërmjet palës dhuruese, institucionit shtetëror përgjegjës që në këtë rast është Bashkia dhe palës pranuese, që janë qytetarët.
Për mjekun Shkëlqim Ahmetaj: “Zgjidhja vjen nga shkëputja totale e dhunuesit me të dhunuarin dhe krijimi i hapësirave për familjen për nënën dhe fëmijët e dhunuar, që të ketë zgjidhje, që të mos jenë sidomos në atë konfliktin pronësor që thamë”.
Sipas raportit nga Avokati i Popullit është shqetësuese mungesa e klauzolave, të cilat garantojnë respektimin e Barazisë Gjinore në përfitimin e pronësisë.
“Kur në datën e dëmtimit të banesës nga tërmeti, më 26.11.2019, ai ka statusin civil “i martuar”, kalimi i pronësisë nëpërmjet kontratës së dhurimit vetëm në emër të njërit prej bashkëshortëve, sjell cenimin e prezumimit ligjor të bashkëpronësisë bashkëshortore, për shkak se kjo pasuri do të konsiderohet pasuri vetjake e atij bashkëshorti që nënshkruan kontratën”, thuhet në raport.
Dhurimi është një kontratë me anë të së cilës, njëra palë i kalon në pronësi pa shpërblim palës tjetër një send të caktuar ose një të drejtë reale të cilat kjo i pranon.
Në këtë mënyrë kjo pasuri konsiderohet pasuri vetja ke e përfituesit të pasurisë dhe në rast konflikti familjar, divorcit ose në rast transaksioni të asaj pasurie, përfituesi i saj (kryefamiljari) e tjetërson pasurinë i vetëm pa marrë pëlqimin e bashkëshortes.
Ndihma juridike falas
Në momentin që një grua bëhet viktimë e dhunës nga bashkëshorti ose partneri, ajo tenton të gjejë një shteg të sigurtë për t’i shpëtuar abuzuesit duke e denoncuar në Policinë e Shtetit. Kur kjo grua kërkon të ndahet nga bashkëshorti, ajo duhet të fillojë procedurat për zgjidhje martese, ku zakonisht nuk ka mbështetje ekonomike dhe familjare për të ndjekur financiarisht divorcin me asistencë ligjore.
“Vetting” monitoroi disa nga seancat pranë Gjykatës dhe zbuloi se gratë vinin pa avokat ndërkohë që dhunuesi vinte me përfaqësues ligjor.
“Familjet shqiptare edhe kur e vendos femra vetë nuk e mbështet që të ndahet se thotë “ti vet vendose, edhe kur s’vendos vetë ka atë bo, bo, bo, shoqëria. Gjithmonë hyj tek ajo kategori që një femër që ndahet është e pamoralshme”, shprehet gruaja e që ka provuar mbi kurrizin e saj dhunën.
Ndihma Juridike Parësore e cila ofrohet falas nga shteti nën mbikqyrjen e Ministrisë së Drejtësisë është ai lloj shërbimi, i cili këshillon dhe ndihmon viktimën/paditësin kujt institucion t’i drejtohet dhe cilat hapa të ndjekë.
Në këtë rast, disa nga viktimat kanë marrë ndihmë juridike falas, por ky proces paraqet sfidat e veta. Institucionet formale mbeten e vetmja alternativë, ku viktima drejtohet me qëllim zgjidhjen e konfliktit.
Jo pak herë këto gra nuk i drejtohen këtyre institucioneve për dy arsye, e para sepse nuk kanë asnjë siguri se duke e denoncuar abuzuesin, ai do të dënohet dhe e dyta për shkak të kostove që proceset gjyqësore kanë.
Që personat të jenë përfitues në mënyrë të drejtpërdrejtë, pavarësisht të ardhurave dhe pasurisë së tyre ligji ka përcaktuar disa kritere ku personi mjafton të vërtetojë që është viktimë e një lloj dhune dhe personat që bëjnë pjesë në kategoritë që parashikon ligji, përfitojnë përjashtim nga pagimi I tarifave dhe shpenzimeve gjyqësore.
Psikologia Dr. Jorida Rustemi për “ Vetting” shprehet: “Mbrojtja që garantohet përgjatë gjithë procesit garanton një lloj sistemi referimi, i cili mund të mos jetë më i miri i mundshëm por garanton një lloj mbrojtjeje dhe një lloj rehabilitimi. Kjo mbështetje është falas”.
“Vetting” iu drejtua Ministrisë së Drejtësisë me anë të një kërkese për informacion lidhur me qendrat që ofrojnë shërbime juridike parësore falas. Në kthim-përgjigje për “Vetting”, Ministria deklaroi se qendra e parë e shërbimit të ndihmës juridike falas është hapur në Elbasan në vitin 2019.
“Përgjatë vitit 2019, Drejtoria e Ndihmës Juridike parësore Falas në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan mundësoi hapjen e qendrës së parë të shërbimit të ndihmës juridike parësore në qytetin e Elbasanit (në bashkëpunim me OSFA).”-u shpreh në përgjigjen zyrtare Ministria e Drejtësisë.
Ndërkohë që në vitin 2019 është hapur qendra e parë e shërbimit juridik parësor falas, nga shifrat dispropocionale duket se duket se qytetarët nuk kanë qenë të informuar për ndihmën që u ofrohej.
Ajo cka ka ndryshuar nga vitet e tjera përpos shtimit të qendrave që ofrojnë shërbimin juridik parësor është, që për herë të parë me autorizimin e ministrit të Drejtësisë, financohen për një vit Organizatat Jo-fitimprurëse.