Diskriminimi Rama, mësuesit me paga mjerane dhe pa kontrata pune

Partia Demokratike denoncoi dje në ditën e mësuesve situatën skandaloze në të cilën Rama dhe Ministria e Arsimit ka lënë sektorin e arsimit sot ku mësuesit janë të keqpaguar dhe të pasiguruar në vendin e tyre të punës. Përmes një deklarate për mediat, deputeti demokrat Lucciano Boçi deklaroi se sot, sistemi arsimor ka degraduar tërësisht. “Jemi në ditën magjike të 7 Marsit, kur mësuesit janë në qendër të vëmendjes dhe të mirënjohjes së të gjithëve! Japim sot urimet më të bukura për misionarët e dijes, për mësuesit, për pedagogët e sotëm dhe atyre që edukuan ndër vite breza të tërë. Por sot, shprehim edhe solidaritetin me problemet, shqetësimet dhe hallet e tyre, që nisin nga keqpagesa e shkojnë deri tek pasiguria për vendin e punës. Probleme për të cilat askush nuk i dëgjon e askush nuk u jep përgjigje. Sepse arsimi nuk është një prioritet kryesor për qeverinë e Edi Ramës, modeli i të cilit nuk është mësuesi, por trafikanti i drogës. Në buxhetin e këtij viti, arsimi në Shqipëri është ndër zërat më të keqfinancuar, duke mos mbajtur premtimin për të investuar në arsim rreth 50 milionë euro në vit. Financimi tani është sa për mbijetesë, tek 32 milionë euro, ku pjesa më e madhe shkon për paga dhe fare pak për investime. Rama e Nikolla duhet t’u përgjigjen pedogogëve për pagat mjerane me të cilat i trajtojnë dhe për shkatërrimin e univerisiteteve publike. Pse u bllokuan prej 3 vitesh titujt akademike, këshillat e profesorëve dhe doktoraturat.

Duhet të përgjigjen pse janë rritur tarifat e shkollimit dhe janë shtuar llojet e tarifave. Duhet të japin llogari, pse një student shqiptar në universitet publik paguan një tarifë për master në mijëra euro më të madhe ose të barabartë me një universitet privat dhe sa një student europian. Duhet të përgjigjen pse sot shumë të rinj braktisin universitetin për arsye ekonomike e largohen nga Shqipëria. Rama e Nikolla duhet t’u përgjigjen mësueseve pse i kanë lënë pa kontratë pune prej gati 9 muajsh. Ata duhet ta dijnë që, një mësues pa pagën e 13 të mohuar prej 5 vitesh dhe pa shpërblimin e hequr, sot merr një pagë vjetore totale më të vogël se ajo e 2013-ës. Rama dhe Nikolla duhet të japin llogari prindërve pse nuk pranojnë të japin tekste falas për nxënësit e arsimit parauniversitar dhe pse paratë e fëmijëve të tyre i kanalizojnë drejt klientelës dhe koncesioneve. Kjo politikë ka ndikim të padiskutueshëm në uljen e cilësisë se mësimdhënies dhe në përgjithësi në cilësinë e arsimimit të fëmijëve. Arsimi rimbëkëmbet duke investuar, duke rritur pagat e mësuesve dhe pedagogëve, duke siguruar tarifa të përballueshme për studentët dhe treg pune për të rinjtë! Dhe së bashku ne do ta realizojmë këtë projekt!”, tha Boçi në fjalën e tij.

Profesioni i mësuesit, ulet kërkesa
Profesioni i mësuesit, sipas të dhënave nga libri i transparencës, duket së është më pak i kërkuari gjatë viteve të fundit. Për shkak të pagës së ulët prej 45 mijë lekësh, shumë të rinj nuk e radhisin këtë profesion në preferencat e tyre, duke bërë që numri i të diplomuarve në këtë degë, por edhe cilësia të këtë një rënie të ndjeshme. Aktualisht, në sistem janë 35 mijë mësues, një pjesë e mirë e tyre po i nënshtrohen trajnimeve falas të ofruara nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të ofruar lehtësira financiare për maturantët me mesatare mbi 9 që zgjedhin këtë profesion, apo rritje të pagës së mësuesit me 5% dhe premtime për rritje deri në 40% duket se nuk i ka joshur të rinjtë. Por kjo nuk është e vetmja problematikë në sistem. Nevoja për ndryshime ka krijuar edhe problematika të tjera si pasojë e reformave, të cilat kanë prekur legjislacionin, kurrikulat infrastrukturën etj. Nëse synimi dhe arritja kryesore e kurrikulës së re dhe reformës ka qenë ndryshimi i konceptimit në arsim, pra vënia në qendër e nxënësit, kjo jo nga të gjithë mësuesit është kuptuar, ose është kuptuar në mënyrë sipërfaqësore. Problematika më shqetësuese, sa herë që fillon viti shkollor ka të bëjë me tekstet. Mungesa e tyre, shitja në mënyrë të paligjshme, cilësia e dobët, sasia e pamjaftueshme dhe mbi të gjitha përmbajtja e tyre dhe ngarkesa e madhe me mangësi në aparatin pedagogjik, u kthyen në një problem tjetër që shoqëroi shkollën gjatë këtyre viteve. Megjithatë nga ana e Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve nuk mungojnë nismat për të zbutur efektet negative të ndryshimeve, një ndër nismat më të debatuara edhe kohët e fundit ka qenë edhe “3 lëndë në 6 orë” apo “të bëjmë detyrat në shkollë”.

Mbi 23 mijë mësues pa kontrata pune
Afati i kontratës kolektive mes Sindikatave të Arsimit dhe Ministrisë së Arsimit ka skaduar më datë 31 maj të vitit 2017, por akoma sot, 9 muaj më vonë, kontrata e radhës kolektive nuk është nënshkruar ende, duke lënë në pritje mbi 23 mijë mësues të anëtarësuar në 2 sindikatat, që kanë nënshkruar kontratën kolektive me Ministrinë e Arsimit. Të pyetur nga “Top Channel”, në Ministrinë e Arsimit thonë se, kontrata është gati dhe se presin përfaqësuesit e Sindikatave të Arsimit për të firmosur. Ndërsa në Federatën e Sindikatës së Arsimit dhe Shkencës thonë se janë në pritje të Ministrisë së Arsimit. Jashtë kamerës përfaqësues të kësaj sindikate thonë se i duhen disa ditë kohë për të marrë informacion se ku ka ngecur puna, pra janë të paqartë, por besojnë që kjo çështje të jetë në pragun e zgjidhjes, pasi do të rrezikonte statusin e mësuesve. Ne siguruam një kopje të kontratës kolektive tip, dokument që vlen për mësuesit e të gjitha cikleve, nga ai parashkollor deri te cikli i mesëm të lartë. Juridikisht, kontrata kolektive ruan statusin e të punësuarit me kontratë për një kohë të pacaktuar, ndërsa mbrojtja ligjore në lidhje me marrëdhëniet e punës u sigurohet vetëm mësuesve që janë të anëtarësuar në një nga sindikatat e arsimit, nënshkruese të kontratës kolektive.

Exit mobile version