E ardhmja e Ergys Kaçes është gjithnjë e më larg PAOK-ut të Selanikut. Mesfushori i kombëtares shqiptare sipas të gjitha gjasave do të largohet nga skuadra greke gjatë kësaj merkatoje, pasi nuk bën më pjesë në planet e trajnerit serb Vladimir Iviç, i cili nuk e përfshiu Kaçen as në listën Champions për dy ndeshjet e turit të tretë kualifikues ndaj Ajaxit. “NovaSports.gr”, një nga mediat më të mëdha sportive në vendin fqinj shkruan se e ardhmja e 23-vjeçarit shqiptar do të marrë një zgjidhje në ditët e ardhshme.
Paoku ka vendosur ta nxjerrë në shitje lojtarin dhe e ka lejuar Kaçen që të nisë kontaktet me klubet e interesuara për të jashtë Greqisë. Sipas asaj që raporton “Novasports”, në ditët e fundit Kaçe ka biseduar me klube të ndryshme europiane dhe shumë shpejt pritet të vendosë se cila do të jetë skuadra e tij e re ku do të vazhdojë karrierën. Duke qenë se mesfushori shqiptar nuk bën më pjesë në planet e trajnerit Iviç për ta lënë të lirë lojtarin, drejtuesit e PAOK-ut kanë ulur disi pretendimet e tyre ekonomike, madje janë të gatshëm ta lejojnë Ergys Kaçen të largohet edhe në formë huazimi. Mbetet për t’u mësuar se cili do të jetë destinacioni i ri i 23-vjeçarit nga Korça, ofertat për të cilin nuk mungojnë.