Mavraj, gati për sezonin e ri

Mërgim Mavraj është gati për sezonin e ri futbollistik. Mbrojtësi i Kolnit në Bundesligë, në një intervistë të gjatë për prestigjiozen “Bild”, thekson se ndihet në formë perfekte pas mbingarkesës fizike që mori gjatë Euro 2016 me Shqipërinë. Dy javë pushim absolut i kanë mjaftuar për të rifituar energjitë pas një turneu shumë intensiv, gjatë të cilit e pranon se kishte humbur 2.5 kg, edhe për faktin që kishte agjëruar, pasi Euro 2016 koinçidonte me muajin e Ramazanit. 30-vjeçari e pranon se sezoni i kaluar ka qenë i vështirë për të. Fillimisht rikuperimi i gjatë nga dëmtimi i rëndë që pësoi në gju, më pas humbja e babait, por gjithçka u shpërblye nga Zoti me vendin e titullarit te Kolni dhe kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2016.
Duke komentuar përvojën historike të kuqezinjve në Europian, Mavraj theksoi se ky turne e ka bërë më të përulur. Ai ndihet i lumtur që u ka dhuruar kënaqësi të gjithë shqiptarëve, pavarësisht problemeve të tyre social-ekonomike. Për Mavrajn objektivi i radhës me kuqezinjtë është kualifikimi në Botërorin 2018 që do të zhvillohet në Rusi. Mbrojtësi shqiptar e pranon se pozitat e tij te Kolni janë edhe më të forta pas pjesëmarrjes me Shqipërinë në Europian. Sigurisht që paraqitja e mirë me kombëtaren, sipas Mavrajt, nuk ia siguron vendin e titullarit. Kontrata aktuale e mbrojtësit me Kolnin skadon në verë të 2017-ës, por dëshira e tij është të qëndrojë më gjatë te ky klub, të cilin e falënderon për besimin dhe mundësinë që i ka dhënë.

Exit mobile version