Djali rrëmben armën dhe vret babain polic e plagos nënën

Një krim i rëndë në familje ka ndodhur dje në Tiranë, ku djali ka vrarë të atin dhe ka plagosur të ëmën. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 11:20 në Bathore. Sipas burimeve, 21-vjeçari, Mirald Metallari ka qëlluar të dy prindërit me armën e shërbimit të të atit. Pas tre javësh në familjen Metallari do të bëhej dasma e vajzës së madhe.
Përgatitjet kishin filluar dhe djalit të tyre 21 vjeç, prindërit i kishin lënë në porosi ndërtimin e një muri në oborr. Mur i cili solli edhe ndarjen e përjetshme të babait të tyre. 21-vjeçari, Metallari, nuk mundi të ndërtonte këtë pjesë betoni gjë e cila ka revotuar babain e tij. Ata kanë debatuar ashpër me njëri-tjetrin.
Derisa i riu ka hyrë në banesë dhe ka marrë armën e babait të tij polic. I është drejtuar dhe e ka qëlluar disa herë me pistoletë. E ëma e ka parë të gjithë ngjarjen. Edhe pse tentoi të qetësonte sado pak konfliktin mes babait dhe të birit, nuk ja doli. Mirald Metallari e qëllon edhe atë duke e lënë të plagosur. Kur pa prindërit e shtrirë përtokë e të gjakosur, Metollari kalon në gjendje shoku. Nga vrasës ai përpiqet të kthehet në shpëtimtarin e tyre. Babai ndërroi jetë në vend, ndërsa mamanë e dërgon në spital me makinë.
Ndërsa 21-vjeçari ishte rrugës për në Spitalin Ushtarak, banorët e lagjes njoftojnë policinë. Kjo e fundit e arreston autorin rrugës teksa po dërgonte mamanë e tij për në spital. Ka qenë e vështire për policinë t’i marrë dëshminë 21- vjeçarit që vrau babain e tij dhe plagosi nënën. Gjendja e tij psikologjike është tepër e rënduar.
E vetmja gjë që ka mundur të shprehë është pendesa për atë që i shkaktoi familjes së tij. Me pak fjalë, ai rrëfeu për debatin që pati me babain e tij, por pa qenë i qartë për shkak të tronditjes. Mirald Metallari nuk është person me precedent penal dhe nuk njihet si person problematik në zonë. Edhe të afërmit thonë se, në familjen e tyre nuk ka pasur debate dhe kjo që ndodhi ishte e papritur për të gjithë.
21-vjeçari po mbahet në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Tiranë, ku ka deklaruar se vrasjen e ka bërë në kushte të tronditjes psikologjike pas sherrit me të atin. Ai është shprehur se në asnjë moment nuk ka dashur të qëllojë mbi nënën dhe për këtë arsye ka bërë të gjitha që ta transportonte drejt spitalit për t’i shpëtuar asaj jetën. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se i riu vazhdimisht interesohet për shëndetin e nënës së tij, Nurie Metallari 47 vjeç.

Exit mobile version