Kapen në Itali 1.5 ton drogë nga Shqipëria

1.5 ton drogë nga Shqipëria është kapur në Itali mbrëmjen e të dielës. Mediat e shtetit fqinj shkruajnë se, Policia italiane në bashkëpunim me rojën bregdetare të Termolit në provincën e Kampobasos në rajonin e Molises kanë ekzekutuar gjatë mbrëmjes të së dielës operacionin detar antidrogë, i cili ka çuar në sekuestrimin e një gomone me rreth 1.5 tonë drogë të tipit marijuanë, e arrestimin e dy skafistëve shqiptarë në moshë mjaft të re. Roja bregdetare italiane nën drejtimin e komandantit të repartit të Termolit, kolonel Roberto Di Vito kanë identifikuar gomonen nën ujërat e komunës së Petacciatas, ndërsa po lundronte me shpejtësi të madhe.
Menjëherë dy skafe të rojës bregdetare italiane janë vënë në ndjekje të gomones, duke bërë të mundur ndalimin e saj dhe arrestimin e dy skafistëve shqiptarë. Në bordin e gomones janë gjetur rreth 1 tonë e gjysmë marijuanë. Sipas policisë italiane dy skafistët e arrestuar janë të nënshtetësisë shqiptare e mjaft të rinj në moshë.
Gjatë operacionit u arrestuan dy shqiptarët me inicialet Rr.A 30 vjeç dhe A.I. 44 vjeç. Gomonia me gjatësi 7.5 metra është bllokuar në orët e para të datës 23 korrik. Pas sekuestrimit të drogës në Itali, policia shqiptare u mundua të mashtrojë opinionin publik se gjoja “operacioni ishte zhvilluar nga Guarda di Finanza italiane në bashkëpunim me policinë shqiptare”. Mediat italiane nuk shkruajnë asnjë fjalë për përfshirjen e policisë shqiptare në operacion. Policia shqiptare mban përgjegjësi, sepse është lejuar që droga të kalojë nga kufiktë shqiptarë drejt Italisë. Për t’iu shmangur përgjegjësisë, policia shqiptare mashtron se gjoja ka marrë pjesë në operacion.
Para disa ditësh policia italiane sekuestroi 3.5 tonë marijuanë me vlerë prej 35 milionë eurosh, një kallashnikov, një skaf dhe dy gomone. Droga ishte futur nga Shqipëria në Itali përmes Adriatikut. 14 persona janë vënë në pranga nga Policia italiane, si anëtarë të një bande që merrej me trafikun e drogës mes Salentos dhe Shqipërisë. Urdhër arrestimi u ekzekutua nga Policia financiare e Brindizit në bashkëpunim me atë të Leçes. Sipas hetimeve të Policisë italiane, kjo organizatë kriminale ishte e ndarë në dy grupe; grupi i trafikantëve shqiptarë që transportonin marijuanë përmes detit nga Shqipëria drejt territorit të Puglias dhe grupi i italianëve të aftë për të trafikuar lëndën narkotike në territorin italian.
Nuk është rastësi, shkruan gazeta italiane, që shumica e të arrestuarve në të vërtetë janë ish-kontrabandistë të ricikluar në trafikun e drogës. Ata kanë qenë të caktuara në detyra të posaçme për të drejtuar anijet e shpejta dhe të vogla në Detin në Adriatik, por edhe për të vepruar si vrojtues në porte, nga ku vijnë mjetet e Policisë bregdetare e më pas njoftoheshin bashkëpunëtorët.
Ata ishin të kujdesshëm me inspektimet në det dhe për të monitoruar vendndodhjen e mjeteve të transportuar për të shmangur surprizat. Italianët kujdeseshin për ruajtjen e drogës, duke e fshehur në të çara dhe në shpella të vogla të plazhit dhe më pas ua jepnin shqiptarëve që kryenin rolin e korrierëve. Më pas, ishin italianët që menaxhonin transportin në rajone të tjera të Italisë si dhe marketingun e shitjes me pakicë.

R.POLISI

Exit mobile version