Ditën e djeshme, zona pranë Sahatit në qendër të Tiranës u mbulua me shtëllunga tymi. Kioska që u bë shkrumb prej flakëve dyshohet se është djegur qëllimisht. Pronarët e saj kanë treguar se atyre i është bërë presion prej kohësh për t’u larguar.
Nuk mund të jetë rastësi që flakët e zjarrit kanë rënë në pjesën prapa kullës së Sahatit, vend në të cilin është projektuar të ndërtohet një kullë e lartë 77 metra. Në këtë zonë prej disa ditësh një eskavator ka nisur gërmimet, edhe pse nuk është vënë asnjë tabelë identifikuese për nisje punimesh.
Në këtë truall kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Infrastrukturës kanë firmosur një kontratë për ngritjen e një kulle me lartësi 77 metra.
Pronarët e një biznesi pranë kanë treguar se ata janë shantazhuar dhe se dyshojnë që e gjitha ka qenë e qëllimshme.
“Mendojmë se është e qëllimshme. Kanë një muaj që na vijnë e na bëjnë presione pa asnjë letër e dokument se do të na shembim biznesin dhe se duhet të zhvendosemi para se të veprojnë me forcë. Kemi kërkuar të na sjellin një vendim, për të vepruar edhe ne më tej nëse do të shkojmë në gjykatë apo do të marrim dëmshpërblim. Na kanë thënë se sipas ligjit, nuk na takon asgjë”.
Prej disa ditësh është rrethuar me panele llamarine pjesa qendrore e Tiranës nga Kulla e Sahatit deri te pallati 3-katësh ndërmjet rrugës “28 Nëntori” dhe rrugës “Abdi Toptani”. Asnjë tabelë informuese nuk është vendosur, ndërsa ekskavatori ka filluar punën. Gjithçka ka nisur të bëhet fshehtazi, pa u ndjerë.
Kullat që pritet të ndërtohen pranë “Sahatit” të Tiranës, janë projektuar prej studios 51N4E, e cila ka projektuar edhe sheshin Skënderbej si dhe godinën e “Hotel Plaza”.
Krimi apo çmenduria apo korrupsioni ka filluar me VKM 325, 12.4.2017 , pra dy ditë përpara miratimit të planit të përgjithshëm vendor me vendimin e KKT Nr.1, 14.04.2017, shkruhet në gazetën Shekulli.
Në bazë të kujt logjike, arsyetimi e nevoje hiqet pjesa më e madhe e zonës së mbrojtur së kryeqytetit që ishte shpallur dhe ndoshta edhe zbatuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 180, 13.04.2000. Si mund të shfuqizohet ajo VKM, me një të rënë të lapsit dhe duke e bërë kinse në emër të ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore”? A nuk është kjo shkelje e ligjit që me termin më identifikues përbën “skandal”? Nga harta TR030 e njësive strukturore në nivel qyteti, pjesë e Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës, del se aty është hedhur me ngjyrë të verdhë, kufiri i zonës së mbrojtur me VKM nr. 180, 13.04.2000 dhe në legjendën e hartës është një katror me vija 45 gradë, po përsëri me ngjyrë të verdhë që shkruan Zonë e Mbrojtur.
Ndërsa pasaporta (tabela ku jepen intensiteti i ndërtimit të njësisë strukturore, lartësia maksimale e kateve, intensiteti i ndërtimit i parashikuar, do jetë me PDV zona apo jo, etj) për njësinë strukturore TR/1 që përfshin gati gjysmën e zonës së mbrojtur thotë te tipologjia e ndërtimit, – ndërtime tip kulle dhe shumicën e parametrave i ka lënë të përcaktohen me PDV. Kjo pasaportë dhe të tjerat për njësitë e tjera strukturore nuk gjenden internet dhe as nuk përmenden në vendimin e KKT-së për PPV e Tiranës. Si është e mundur që pasaporta që është thjesht zbërthim i hartës se përdorimit të tokës, baza e PPV-së, të lejojë e parashikojë ndërtime në një zonë të tille ku harta thotë “Zonë e Mbrojtur”? Mashtrim, harresë, apo shpërdorim detyre? I tille është referuar ky PPV edhe në të ashtuquajturat dëgjesa publike, në këshilla teknikë, në këshill bashkiak apo edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, të tillë e ka firmosur “Zonë të Mbrojtur” dhe njëkohësisht me pasaportë që lejon ndërtime tip kulle?