Nga Artan FUGA
Në Shqipëri duhet të kesh zgjuarësinë për t’u hequr si budalla për t’u bërë ministër, deputet, drejtor, ambasador e të tjera e të tjera!
E thamë se talenti në Shqipëri nuk i duhet kërkujt.
Imagjinoni një kryetar partie cilidoqoftë. Ka prirje të marrë rreth tij sa më poshtë tij në aftësitë personale. Nuk them se merr idiotë, por gjithsesi eliminon të gjithë ata që kanë aftësira mendore dhe shpirtrore më të mira sesa ai.
Pse ?
Sepse do që t’a ruajë i qetë postin e tij të kryetarit.
Merrni ndonjë kryeministër. Ka interes të marrë rreth vetes si ministra individë burra dhe gra që asnjë mos t’ja kalojë në aftësitë e veta intelektuale ose psikologjike. Pra, promovon individë që të jenë më poshtë nivelit të tij njerëzor.
Kështu pra karrierë bëjnë ata që shefat mendojnë se janë më të paaftë sesa vetja e tyre. Kështu në një media, drejtori nuk është budalla të punësojë gazetarë që janë shumë më të aftë sesa ai.
Duhet nënshtrim dhe nënshtrimi nuk është vetëm i dhunshëm, por ndërtohet edhe mbi bazën e paaftësisë. Kështu në shumë fusha.
Dhe pastaj nuk ka përse të habitemi kur njerëzit shohin se kush promovohet dhe pyesin: Edhe kjo mo?
Sepse janë edukuar me idealizma sipas të cilave i miri ecën përpara, e mira të çon përpara! Kështu duhet të jetë nëse shoqëria ka vlera, por në realitet nuk është kështu, te ne është e keqja, paaftësia, budallalliku që të çojnë më përpara sesa talenti për të krijuar vlera, vetitë etike si solidariteti, mirësia, besa.
Nëse dëshiron të ecësh në karrierë hiqu si budalla, shtiru se nuk ke asnjë kompetencë, tregoju debil, kokëgdhë, i trashë. Do shohësh se ke për të pasur shumë propozime për t’u bërë deputet, drejtor, ministër, ambasador, e kështu me rradhë.
*(Nga intervista e dhënë për gazetarin Aranit Muraçi për t’a botuar në Albanian Free Press, sot më datën 8 shkurt.)