Do fitojë Liverpuli

Jurgen Klopp dhe Liverpooli i tij janë gati. Këtë të mërkurë, “The Reds” do të sfidojnë Sevillan në finalen e Europa League që do të zhvillohet në St Jakob Park të Baselit. Përballë kampionëve në fuqi, misioni për të fituar trofeun e 4-t në historinë e këtij kompeticioni nuk do të jetë i thjeshtë për Liverpoolin, por Klopp ka besim te skuadra që ai drejton dhe është i bindur se në fund do të jenë Të Kuqtë, ata që do festojnë. “Fakti që Sevilla ka një përvojë të madhe në këtë kompeticion, pasi e ka fituar 4 herë në dekadën e fundit nuk do të thotë që është e avantazhuar ndaj nesh. Është një ndeshje e vetme dhe gjithçka mund të ndodhë. Sevilla është kampionia e dy edicioneve të kaluara në Europa League? Për mendimin tim, aktualisht kjo nuk do të thotë asgjë, pasi në Basel do të jetë një tjetër histori. Nuk ishim ne ata që luajtëm ndaj tyre vitin e kaluar në finale, as përpara dy sezonesh. Kjo është hera e parë që Liverpooli luan ndaj Sevillas, kështu që ne i kemi të gjitha mundësitë për të fituar”, u shpreh Klop.
Më pas, trajneri gjerman u bëri thirrje futbollistëve të tij të besojnë te aftësitë e tyre, pasi ata i kanë të gjitha mundësitë për ta mposhtur ekipin andaluzian. “Për të mbërritur deri këtu, kemi nxjerrë jashtë skuadra të tilla si Manchester United, Borussia e Dortmundit dhe Villareali dhe e kemi bërë diçka të tillë, duke treguar grintë në fushën e lojës dhe duke dhënë maksimumin deri në fund. Unë jam i bindur se, nëse besojmë te forca jonë si skuadër, nëse besojmë te cilësitë tona do ta fitojmë trofeun”, përfundoi trajneri I Liverpulit.
Barcelona dominuese në futbollin europian të dekadës së fundit? E gabuar! Ka një tjetër skuadër që eklipson arritjet e katalanasve në kontinent dhe ajo është Sevilla. Një klub që nuk dallohet për planifikim afatgjatë me dhjetëra lojtarë të larguar dhe të afruar në vitet e fundit, por gjithmonë i suksesshëm në Europë. Gjatë dekadës së fundit, andaluzianët numërojnë 5 finale europiane. Fitues në vitet 2006, 2007 kur në drejtimin e skuadrës ishte Juande Ramos gjatë kohës kur Europa League ishte ende Kupa UEFA. Dy tituj të tjerë, Sevilla i ka fituar nën drejtimin e Unai Emery, ndërsa të mërkurën në Basel do të kërkojë të shtojë Kupën e pestë dhe të tretën rresht. Që prej vitit 1972, kur startoi ky kompeticion, vetëm Juventus, Inter dhe Liverpool kanë arritur ta fitojnë nga tre herë, ndërsa më pas vijnë Reali i Madridit me dy, Bayerni i Mynihut, Napoli dhe Chelsea me nga një, pra askush më shumë se Sevilla që është kthyer në ekipin simbol të Europa League.
10 vjet më parë, Sevilla fitoi trofeun e parë europian, pasi kaloi 4-0 në Eindhoven skuadrën e Middlesbrough, ndërsa sezonin tjetër triumfoi falë lotarisë së 11-metërshave në finalen e Glasgoë kundër Espanyol. 7 vite më pas, andaluzianët u kualifikuan sërish për në ndeshjen finale ku triumfuan ndaj Benficas, ndërsa viktima e fundit e andaluzianëve janë ukrainasit e Dnipro Dnipropetrovsk që u dorëzuan 3-2 edhe pse në stol drejtoheshin nga ish-trajneri i Sevillas, Juande Ramos.

Exit mobile version