Italia, Ventura “parakalon” De Biasin

Federata Italiane e Futbollit kërkon të planifikojë të ardhmen disa muaj përpara largimit të Antonio Contes nga stoli i të kaltërve. Mediat italiane njoftojnë se, drejtuesit më të lartë të institucionit po punojnë për të zyrtarizuar emrin e ri të stolit që do të pasojë trajnerin aktual dhe sipas të gjitha gjasave ai do të bëhet publik menjëherë pas finales së Kupës së Italisë. Mediaset thekson se në pole position qëndron 68-vjeçari Giampiero Ventura, i cili ka një kontratë që e lidh me Torinon deri në vitin 2018, por nuk do të mendohej dy herë nëse presidenti i federatës, Carlo Tavecchio do t’i propozojë kontratën për të marrë në dorëzim çelësat e Kombëtares së Italisë. Gjithsesi, gara nuk është mbyllur ende, pasi “Mediaset” thekson se Montella dhe De Biasi vazhdojnë të mbeten dy alternativa të mundshme.
Është vetë presidenti i Torinos, Urbano Cairo ai që shtyn Venturën drejt Italisë, duke deklaruar se nuk do të bëhet pengesë në rast se federata arrin marrëveshjen me trajnerin. Federata Italiane beson se, Ventura është njeriu i duhur për të marrë përsipër detyrën e vështirë të ringritjes së grupit të kaltër pas largimit të Contes në fund të europianit, por në krahun tjetër edhe trajneri i Kombëtares Shqiptare vazhdon të mbetet një emër që ngjall kureshtjen e presidentit Tavecchio, i cili vlerëson punën e madhe të bërë nga De Biasi me kuqezinjtë. Për të larguar gjithë mjegullnajën e krijuar do të futet në lojë vetë federata që pas rreth një jave do të qartësojë edhe pozitat e saj në lidhje me emrin që do të përzgjedhë përfundimisht, për t’i dhënë fund telenovelës së gjatë që vazhdon të mbajë pezull disa nga emrat më të lakuar të stolit italian.
Ndërkohë, Antonio Conte ka marrë një lajm të mirë nga Gjykata e Kremonës. Selektori i Italisë është liruar nga akuzat për kurdisje të ndeshjeve në sezonin në 2010-2011, njoftojnë mediat italiane. Prokurori i Kremonës, Roberto Martino ka kërkuar gjashtë muaj dënim me kusht dhe një gjobë prej 8 mijë eurove për Conten me pretendimet se ka kurdisur ndeshjen mes AlbinoLeffes dhe Sienas në sezonin në 2010-2011. Ky vendim është përshpejtuar për shkak të angazhimit të Contes në Euro 2016 me Italinë. Kurse, pas Kampionatit Evropian, italiani do ta marrë drejtimin e Chelseas.

Exit mobile version