“Do të ketë krizë masive për kontinentin”, Zelensky nga Davos: Nëse Ukraina mposhtet, Rusia do të luftojë me NATO-n

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar për rreziqet në ardhje nëse vonohet ndihma e Perëndimit për shtetin e tij, i cili është duke u përballur me pushtimin rus për gati dy vjet.

“Do të jetë një krizë masive për gjithë Evropën”, ka thënë Zelensky para gazetarëve në Forumin Ekonomik Botëror, që po mbahet në Davos të Zvicrës.

“Ukraina do të vazhdojë luftën, mirëpo pa ndihmë financiare, Rusia do të mund të mposhtë Ukrainën. Në momentin që mposhtin Ukrainën, do të jetë lufta në mes të NATO-s dhe Rusisë”, ka thënë Zelensky.

Sipas tij, presidenti rus, Vladimir Putin e ka në mendje një sulm të tillë kundër aleancës ushtarake.

Mes tjerash, presidenti ukrainas ka përmendur se pasoja direkte e mungesës së ndihmës së Perëndimit do të jetë dobësimi në fushëbetejë, për shkak të mungesës së artilerisë.

“Në rast të humbjes së Ukrainës, Evropa, jo vetëm që do të kërcënohet nga valë të reja refugjatësh, por do të ndalen edhe furnizimet me grurë dhe rrymë”, ka paralajmëruar Zelensky.

Ukraina është duke e luftuar pushtimin rus për gati dy vjet, me anë të ndihmës së Perëndimit.

Sipas të dhënave të Institutit për Ekonomi Botërore, Kiel, Ukraina ka pranuar ndihmë totale në vlerë të 240 miliardë dollarëve.

Megjithatë, sigurimi i ndihmës së re në vlerë të miliarda dollarëve, është kyç për vazhdim të mbrojtjes së territorit.

Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë ndihmuar më së shumti Ukrainën, prej nisjes së luftës, aktualisht përballen me bllokadë të disa republikanëve konservatorë, të cilët kanë dalë kundër ndarjes së mëtejshme të ndihmës për këtë shtet.

Edhe Bashkimi Evropian nuk ka arritur të ndajë fonde në vlerë të 50 miliardë dollarëve për Ukrainën, për shkak të vetos që e ka përdorur Hungaria.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./ REL

Exit mobile version