Dogana e Durrësit, KLSH: Borxhi doganor ka arritur në 1.4 miliardë lekë

Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një inspektimi në Doganën e Durrësit vërejti se, borxhi doganor ka arritur në 1,4 mld lekë, i cili zotërohet nga 438 subjekte. Për më tepër KLSH vëren se administrata e doganës së Durrësit nuk ka marrë asnjë masë për rikuperimin e kësaj shume, pasi për subjekt debitor nuk është zbatuar masa e sekuestrimit për të mbuluar detyrimet. Sipas KLSH ky veprim bie në kundërshtim me kërkesat e Kodit Doganor “Për zbatimin praktik të procedurës së evidentimit, kontabilizimit dhe vjeljes së borxhit doganor dhe akcizës”.  KLSH kërkon Autoriteti doganor kompetent, Dega e Doganës Durrës në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, të marrin masat konkrete në përputhje me legjislacionin në fuqi, si me obligimet reciproke të përcaktuara në marrëveshjen e përbashkët të nënshkruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për të bërë të mundur rikuperimin e borxhit doganor. Nga auditimi rezulton se të ardhurat doganore në total nuk janë realizuar në vlerë 2,099,726 mijë lekë ose 4 % më pak se sa programimi i vitit 2015. Peshën kryesore në të ardhurat e degës doganore, si në programim ashtu dhe realizim e zënë të ardhurat nga TVSh, e cila është realizuar në masën 96,5 %. KLSH referon se, reealizimi i të ardhurave doganore në masën 96 %, tregon për një punë të pamjaftueshme të autoritetit doganor veçanërisht në drejtim të realizimit të zërave kryesor të të ardhurave kryesisht të ardhurave nga TVSH dhe nga akciza të cilat për periudhën në auditim janë realizuar në masën 96, 5 % dhe 94,5%. Nga auditimi i ushtruar në Sektorin e Regjimeve dhe të Akcizës lidhur me zbatimin e legjislacionit dhe procedurave doganor gjatë administrimit të Regjimit të Përpunimit Aktiv, për vitin 2015, KLSH  konstatoi se, ky sektor nuk ka administruar një program kontrolli, në përputhje me analizën vjetore të riskut të miratuar nga autoriteti doganor kompetent, për ushtrimin e kontrolleve dhe kryerjen e inventarëve vjetore me grupe pune të posaçme në ambientet e subjekteve që operojnë në këtë regjim. Numri i kontrolleve të realizuara gjatë vitit 2015 ka qenë shumë i ulët në raport me numrin e madh të subjekteve që operojnë me këto regjime, pasi konstatohet një mungesë e theksuar e burimeve njerëzore të punësuar në Sektorin e Regjimeve dhe të Akcizës, por edhe për arsye të shtrirjes territoriale, veprim ky që bie ndesh me kërkesat Kodit Doganor.

Exit mobile version