Torres rinovon me Atletico Madrid

Tashmë është zyrtare, Fernando Torres do të qëndrojë edhe për një tjetër sezon te Atletico e Madridit. Klubi bardhekuq me një komunikatë në faqen zyrtare bëri të ditur zgjatjen e marrëveshjes me El Ninon. Fillimisht u përfol se Torres do të rinovonte për dy vite, por në fund ai firmosi një kontratë që do të mbajë të lidhur me Los Colchoneros deri në datën 30 qershor të vitit 2017. Marrëveshja mes palëve ishte arritur që javën e kaluar, por zyrtarizimi erdhi vetëm në mesditën e kësaj të hëne. Fernando Torres është pjesë e Atleticos prej 1 sezoni e gjysmë edhe pse gjatë kësaj periudhe ai ka luajtur te klubi madrilen në formë huazimi nga Chelsea që zotëronte kartonin e tij.
Por tashmë që kontrata me Blutë e Londrës i ka skaduar përfundimisht 32-vjeçari zgjodhi të qëndrojë në “Vicente Calderon” për të vazhduar të mbajë veshur fanellën e skuadrës së tij të zemrës. Në sezonin e kaluar Fernando Torres pati një rol shumë të rëndësishëm te Atletico e El Cholo Simeones dhe falë formës shumë të mirë që tregoi arriti të fitonte rinovimin e kontratës edhe për një tjetër sezon me Los Colchoneros. Me 10 gola të realizuar në 20 ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar në La Liga, El Nino u shndërrua papritur në një futbollist deçiziv për Atleticon. Menjëherë pas rinovimit në një prononcim për faqen e klubit në internet 32-vjeçari shfaqi gjithë emocionet e tij. “Jam shumë i gëzuar që do të vazhdoj të qëndroj në shtëpinë time, në të vetmin vend ku unë doja të isha”, nënvizon Fernado Torres.

Exit mobile version