Dom Ernest Troshani, kleriku që u burgos për meshën për Xhon Kenedin

Dom Ernest Troshani është burrë i fortë. Në moshën 86-vjeçare, pavarësisht jetës plot vuajtje, vijon të presë besimtarë në fshatin Trush të Shkodrës dhe të japë meshë.
Shërbesat i jep në Famullinë e Shën Prendës, ndërsa në banesën e tij, një ndërtesë të vjetër njëkatëshe, praktikon një rit të vjetër fetar, nëpërmjet të cilit synohet nxjerrja e djallit nga trupi i njeriut, ekzorcizmin.
Në këtë vend, me altarin e improvizuar në shtëpinë e tij modeste, Dom Troshani ka gjetur paqen me Zotin duke predikuar çdo ditë fjalën e Krishtit. Ai nuk flet për shkaktarët e jetës së tij të dhembshme, thotë se i ka falur. Me përjashtim të një emri…
Jeta e Dom Troshanit u lidh në mënyrë të pandashme me Urdhrin Françeskan, kur hyri në kolegj në moshën 10-vjeçare.
“Jam shkëputur prej familjes prej 70 vitesh dhe këtë bëj”, thotë ai. “Gjithçka është në emër të të madhit Zot dhe qëllimi kryesor është me dash Zotin, me dash njerëzit e me fituar jetën e amëshueme”, shpjegon Troshani.
Djaloshi shkodran kishte zgjedhur kohën më të vështirë për t’iu përkushtuar Krishit. Ishte vetëm 20 vjeç kur komunizmi mori pushtetin në Shqipëri dhe nisi një fushatë të gjerë spastrimi kundër çdo lloji rezistence, laike apo fetare. Katolikët dhe në veçanti, Urdhri Françeskan u përball që në fillim me dhunën e regjimit të ri për arsye në dukje praktike.
Si organizata fetare më e mirëstrukturuar në Shqipëri, me lidhje të shumëfishta me anën tjetër të Perdes së Hekurt dhe me një klasë klerikësh të arsimuar më së miri, Kisha Katolike qe institucioni që u pa si më i rrezikshmi në Shqipëri.
Kur Dom Ernesti filloi praktikimin në moshën 20-vjeçare, regjimi komunist kishte pushkatuar sakaq at Anton Harapin, priftin politikan që qe regjent gjatë kohës së pushtimit gjerman të vendit, kishin futur në burg at Viçens Prenushin, shkrimtar, kishin dënuar me vdekje at Gjon Shllakun, kishin arrestuar at Çiprian Nikën dhe pjesën dërrmuese të hierarkisë së Kishës Katolike.
Ndalimi i fesë me ligj qe ende dy dekada larg prej kësaj kohe, por hapi i parë i qeverisë së kohës qe që të negocionte me klerin katolik që i mbijetoi valës së parë të pushkatimeve dhe burgosjeve, një marrëveshje për një status ligjor të kishës. Si regjim me paranoja, qeveria komuniste vendosi si kusht të prerë për marrëveshjen shkëputjen e marrëdhënieve të varësisë së katolikëve shqiptarë me Vatikanin dhe krijimin e një kishe të mëvetshme. Ky qe një kusht i papranueshëm për njerëzit si Dom Ernest Troshani, një mosmarrëveshje për të cilën shqiptarët dinë shumë pak, por që theksohet me krenari edhe sot nga Dom Ernesti. Asnjë prej klerikëve nuk e pranoi.
Mbajtja e besimit u vështirësua me kalimin e viteve, bashkë me tallazet e shtetit, prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik më 1962 dhe kriza ekonomike që pasoi këtë ngjarje.
Gjatë asaj periudhe, të flisje në emër të Kishtit dhe të mbaje meshë ishte një krim që mund të ndëshkohej edhe me vdekje.
“Në ato vite unë kam shërbyer në fshatrat Kakarriq, Gocaj, Kukul, Barbullush të Shkodrës, mirë po të gjithë aktivitetin tim e kishin fotografuar ato të Sigurimit të Shtetit”, rikujton ai.
“Më arrestuan në vitin 1963 për shkak se mbajta meshë për Xhon Kenedin (John F. Kennedy)”, thotë Dom Ernesti.
“Kur më çuan në gjyq (ata) më thanë se kisha mbajtur meshë për kriminelin më të madh të botës”, thotë Troshani. “Më akuzuan për përmbysjen e pushtetit popullor”, kujton ai.
Prifti i ri shqiptar pati dëgjuar se Papa i Romës pati mbajtur meshë për Presidentin Kennedy. J.F. Kennedy qe vrarë në Dallas në nëntor. Ai qe i pari dhe i fundit President katolik i SHBA-ve.
“Ata më thanë se i kishin inçizuar të gjitha dhe më akuzonin se kisha vjellë (vrer) kundër partisë”, shton Troshani.
I arrestuar ditën e Krishtlindjeve, atë e shtrënguan në paraburgim që të lëshonte akuza ndaj klerikëve të tjerë, duke e kërcënuar me varje në litar. Pasi Troshani refuzoi, u mbaj një gjyq i shpejtë në Shkodër me dëshmitarë të rremë dhe ai u dënua me 18 vjet heqje lirie.
Pas dënimit Troshanin e dërguan në kampin e punës së Rubikut dhe prej andej në Laç, më vonë Elbasan dhe në fund e burgosën në kampin famëkeq të Spaçit.
“Në Rubik punoja në ndërtim. Ishim 800 të burgosur. Mbaja në krahë 150 thasë në ditë, të cilat duhet të ngriheshin 8 metra lart”, kujton Troshani.
Në Spaç e transferuan pasi u hap miniera e re dhe kishte nevojë për krahë pune. Sipas Troshanit të burgosurit punonin në tri turne dhe me raste nuk ishin në gjendje të mësonin nëse jashtë ishte natë apo ditë.
“Në dhomë ishim pesëdhjetë e ca veta, kishte dërrasa dhe një dyshek kashte, asgjë tjetër”, thotë ai. “Nuk di si kemi shpëtuar, por ishin punët e Zotit me shpëtuar”.
Ditën kur u lirua nga burgu më 20 dhjetor të vitit 1981 e ka akoma të freskët në memorie.
Ai u lirua nga burgu, por u detyrua të ecë për dhjetë orë nga Spaçi deri në qytetin e tij të lindjes në Shkodër ku me vështirësi gjeti shtëpinë e tij, prej së cilës ishte ndarë prej aq shumë vitesh dhe vuajtjesh.
Dhembjen dhe torturat e kaluara nëpër burgjet komuniste thotë se i ka harruar.
Ata që dëshmuan kundër tij, për ta burgosur në moshën 35-vjeçare, i ka falur të gjithë, megjithëse askush prej tyre nuk i ka kërkuar falje kurrë.
“Askush nuk më tha më fal për rininë e humbur dhe torturat e 18 viteve burg”, thotë ai.
Më 5 shtator të vitit 1990 ka qenë përballja e tij e fundit me Sigurimin. Për ironi të fatit, ai qe thirrur sërish në të frikshmen Degë të Punëve të Brendshme ku u detyrua të presë për pesë orë me frikën se do të arrestohej dhe burgosej sërish. Por pikërisht aty, në institucionin që shkaktoi aq shumë vuajtje për shqiptarët, ai u njoftua se kishat do të hapeshin sërish dhe se qeveria pati vendosur të lejonte shqiptarët të besonin.
“Ishin fjalë aq të ndritshme sa nuk mund t’i besoja”, thotë Troshani, “kur mbajta meshën e parë më 30 qershor të vitit 1990, në Velipojë, ka qenë dita më e lumtur e jetës sime”, përfundoi ai.

Dom Ernest Troshani shpallet Kardinal nga Papa Françesku

Të dielën në lutjen e Engjëllit të Tenzot, në orën 12.00 në Romë, Papa Françesku ka shpallur kardinalët e rinj, ndër të cilët edhe Dom Ernest Troshanin për dëshminë e jetës së tij të krishterë. Është i vetmi prift në të gjithë listën që shpallet Kardinal për ta nderuar. Më 21 shtator 2014 ai dëshmoi para Papës Françesku vuajtjet e tij dhe të kishës shqiptare përgjatë komunizmit. Në mediat e gjithë botës shkoi përqafimi i përzemërt e përlotja e Papës në takim me Kardinalin e dytë shqiptar pas Dom Mikel Koliqit. Ky është një titull nderi që i jepet atij. Kjo do të thotë se ai nuk merr pjesë në konklavë, pasi ka kaluar moshën, por kisha e nderon me këtë titull.
Kardinali tjetër përpara Troshanit ishte Mikel Koliqi, edhe ai i shpallur Kardinal prej Gjon Palit II për dëshminë e jetës së krishterë dhe për martirizimin. Ky është një nderim dhe mirënjohje që Papa Françesku i bën Shqipërisë përpara shpalljes së Lumturimit të 38 martirëve shqiptarë që do të bëhet më 5 nëntor të këtij viti në Shkodër. Vlerësimi i klerit shqiptar të përndjekur gjatë komunizmit është shenja se ky kler i ka dhënë shumë Kishës Katolike universale, sidomos me martirizmin e tij gjatë komunizmit.
Dom Ernest Troshani ka lindur në Shkodër, më 18 tetor 1928 (tek regj. i pazimeve: 26. 10. 1928). Ernesti, i biri i Ndojës dhe i Prendës, është pagëzuar në Katedralen e Shkodrës më 26. 10. 1928 nga Dom Ndrekë Plani. Mësimet e para i ka krye në Shkodër, ndërsa të Mesmen në Kolegjin Françeskan dhe në Liceun “Illyricum”. U shugurua meshtar më 8 prill 1956 nga Imzot Ernest M. Çoba. Arrestohet më dt. 24 dhjetor 1963, Natën e Krishtlindjes gjatë celebrimit të Meshës në Kishën e Barbullushit. Dënohet me 18 vjet burg me motivacionin e famshëm të asaj kohe “agjitacion e propagandë”. Burgun e vuan në Rubik, Vlorë, Laç (Krujë), Elbasan dhe pjesën dërrmuese 10 vjet në të tmerrshmin burg të Spaçit. Gjatë kohës para arrestimit ka shërbyer si famullitar në fshatrat Kabash, Pukë, Kukël, Gocaj, Barbullush, Mal i Jushit, Torovicë, Sumë. U lirua nga burgu në vitin 1981 mbasi e plotsoi krejtsisht dënimin.
Me lirinë e besimit, mbas viteve ’90 ka shërbyer plot devocion në Famullitë e Barbullushit e Trushit, ku ka lanë vulën e tij të shërbimit të palodhur në përhapjen e Fesë së Krishtit. E paharrueshme do të mbetet dëshmia e tij para Atit të Shenjt Françeskut gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë, dëshmi e cila përloti jo vetëm Papën për realitetin e vuajtjeve të Dom Ernestit, por mbarë opinionin botëror. Në kujtesën e të gjithëve do të mbetet figura e një meshtari të mirë e të palodhur në përhapjen e fesë së krishterë. Është pikërisht kjo arsyeja që papa Francesku shpalli gjatë lutjes së Engullit të Zotit, Kardinal nderi.

Lindita Çela

Exit mobile version