Kryetarja e Partisë Demokrate, Debbie Wasserman Schultz dha dorëheqjen të dielën, në prag të Kuvendit Kombëtar të partisë që do të emërojë zyrtarisht ish-sekretaren e Shtetit, Hillary Klinton si kandidaten presidenciale të partisë për zgjedhjet e nëntorit.
Kryetarja e Komitetit Kombëtar Demokratik hoqi dorë nga posti, mes zemërimit lidhur me e-mail-et e nxjerra nga WikiLeaks që tregojnë se udhëheqësit e partisë ishin tallur dhe kishin kritikuar fushatën e senatorit Bernie Sanders, një sfidë e papritur për fushatën e zonjës Klinton.
Zonja Wasserman Schultz, një anëtare e Kongresit nga Florida, pritej të jepte dorëheqjen në fund të javës. WikiLeaks ka bërë publike afro 20 mijë e-mail-e nga udhëheqësit e Partisë Demokratike gjatë një viti e gjysmë.
Pasi u njoftua për dorëheqjen e saj, u nxor një deklaratë ku thuhej “se, Debbie Wasserman Schultz mori vendimin e duhur për të ardhmen e Partisë Demokrate. Megjithëse ajo meriton të falënderohet për vitet e saj të shërbimit, partia ka tani nevojë për një udhëheqje të re që do të hapë dyert dhe të mirëpresë njerëz të rinj”.
Zonja Klinton prezantoi të shtunën zotin Kaine si kandidatin e saj për nënpresident, duke thënë se të dy ata “ofrojnë një vizion shumë të ndryshëm për Amerikën”, nga republikanët, duke theksuar se ky vizion është “ndërtimi i urave dhe jo i mureve”. Ajo tha se Kuvendi i Demokratëve javën e ardhshme do të përqendrohet tek mesazhi se “diversiteti etnik” e bën më të fuqishme Amerikën.
Ndërkohë, një grup pune i Partisë Demokrate që po shqyrton rregullat e partisë, ka votuar kundër heqjes së sistemit të superdelegatëve, të kërkuar nga mbështetësit e ish-kandidatit Bernie Sanders.
Roli i superdelegatëve ishte tema kryesore e diskutimit në mbledhjen e Komisionit të Rregullave që u mbajt të shtunën.
Superdelegatët, zyrtarët e zgjedhur dhe ata të brendshëm të partisë, të cilët mund të votojnë për kandidatin e tyre të preferuar në kuvendin e partisë, mbështesin fuqishëm ish-sekretaren Klinton. Ajo ka mbështetjen e 602 superdelegatëve kundrejt 48 prej tyre që janë zotuar se do të mbështesin rivalin e saj demokrat.
Senatori Bernie Sanders vazhdimisht ka thënë se ai dëshiron që roli i superdelegatëve të rishqyrtohet.
Në vend të kësaj, pas takimit të së shtunës ai mori premtimin e partisë për të krijuar një komision për hartimin e ndryshimeve në sistemin e superdelegatëve, që duhet të dalë me një raport mbi këtë çështje në vitin 2018, dy vjet para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.
Senatori Sanders, megjithatë, ishte në gjendje të lërë gjurmë në platformën e fushatës së partisë. Një draft i platformës së Partisë Demokrate përfshin propozimet për rritjen e pagës minimale në nivel federal në 15 dollarë në orë, heqjen e dënimit me vdekje dhe shkollimin falas për disa studentë universiteti, parimet themelore të fushatës së zotit Sanders.
Demokratët duan të paraqesin veten në Kuvend si një parti e bashkuar. Megjithatë, publikimi i e-mail-eve të Komitetit Kombëtar Demokrat, duke detajuar përçarjet mes Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokrate dhe senatorit Sanders, mund të dëmtojnë synimin për unifikim të partisë.
WikiLeaks publikon e-mail-et: Si u tall Sanders
E-mail-et mes udhëheqësve të Partisë Demokrate gjatë fazës së hershme të zgjedhjeve paraprake tregojnë se udhëheqësit e partisë kanë tallur dhe kanë kritikuar senatorin Bernie Sanders, megjithëse publikisht ata kanë pretenduar se janë neutralë në garën mes senatorit Sanders dhe ish-sekretares së Shtetit, Hillary Klinton, sipas informacioneve të publikuara nga WikiLeaks.
Gati 20,000 e-mail-e, të gjithë të kopjuar mesa duket nga e-mail-et e shtatë anëtarëve të Komiteti Kombëtar Demokratik, mbulojnë periudhën nga janari i vitit 2015 deri në maj të këtij viti, para se Hillary Klinton të siguronte fitoren kundër rivalit të saj Berni Sanders.
WikiLeaks publikoi të dhënat pa treguar burimin e tyre, por periudha 17-mujore përfundon pak para njoftimit për një incident të një sulmi kibernetik në qershor nga Komiteti Kombëtar i Demokratëve. Zyrtarët e Partisë Demokrate thanë në atë kohë se piratët me bazë në Rusi ishin përgjegjës për ndërhyrjen në sistemin e tyre të e-mail-eve. Zyrtarët e partisë nuk kanë komentuar mbi përmbajtjen e e-mail-eve të publikuara nga wikiLeaks, por as nuk e kanë kontestuar vërtetësinë e tyre.