G20 kundër Trump për proteksionizmin

Ministrat e Financave të G20-ës u zotuan për t’i dhënë një shtytje ekonomisë botërore, për të cilën ata u shprehën se po rimëkëmbet me vështirësi.
Delegatët në takimin që u mbajt në Chengdu të Kinës dolën dje me një deklaratë në përfundim të takimit dyditor. Ata shprehën shqetësim për planin e Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Europian dhe për pasojat që do të kishte kjo tek ekonomia botërore.
Por ata shtuan, se megjithatë, vendet e G20-ës “janë të përgatitura për të trajtuar pasojat e mundshme ekonomike dhe financiare” që do të kishte dalja e Britanisë nga BE-ja.
Ministri i ri i Financave i Britanisë, Philip Hammond, i tha ministrave të Financave se shqetësimet për largimin e vendit të tij nga BE-ja duhet të zhduken, sapo Londra të hartojë një dokument me vizionin e saj të ardhshëm për lidhjet që do të ketë me pjesën tjetër të Europës. Disa nga ministrat në takimin e G20 e nxitën Britaninë dhe BE-në të veprojnë me shpejtësi për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me çështjen e Britanisë.
Ministrat e Financave u zotuan të mos pranojnë proteksionizmin në marrëdhëniet tregtare, një çështje e evidentuar, që kur kandidati republikan për president Donald Trump tha se nëse zgjidhet president, ai do të rishikonte të gjitha marrëveshjet tregtare të Amerikës, duke shtuar një sërë kufizimesh.
Sekretari amerikan i Thesarit, Jack Lew, tha në takim se ekonomia amerikane është tani e fuqishme, me një treg pune të shëndetshëm, ndërsa gjendja e ekonomisë botërore mbetet e pasigurtë.

Exit mobile version