Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Azem Syla, u kthye të premten në Kosovë, dy ditë pasi që autoritetet thanë se kanë lëshuar një urdhër për shoqërimin e tij në polici, nën dyshimet për drejtimin e një grupi të përfshirë në veprat penale, krim i organizuar, pastrim parash dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare.
Gjashtë persona u arrestuan të mërkurën në një operacion të Policisë se Kosovës dhe asaj të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.
Operacioni i së mërkurës që ishte ndër më të mëdhenjtë në Kosovën e pasluftës ishte drejtuar kundër 40 personave, që sipas Prokurorisë janë pjesë e një grupi kriminal që drejtohet nga Azem Syla.
Ai u dorëzua të premten tek autoritetet, ndërsa më parë kishte njoftuar se heq dorë nga mandati i deputetit për t’u lënë hapësirë autoriteteve që të kryejnë hetimet.
Prokuroria e shtetit tha se, anëtarët e grupit të drejtuar nga Azem Syla, kanë bashkëpunuar, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh. Sipas autoriteteve, pronat me të cilat besohet se grupi ka vepruar, para luftës në Kosovë ishin prona të Kombinatit Bujqësor Industrial, Kosova Export, të cilat ishin bartur tek kompania shtetërore pas Luftës së Dytë Botërore nëpërmjet shpronësimit. Pronat shtriheshin kryesisht në fshatra përreth Prishtinës kryesisht të banuar me pjesëtarë të komunitetit serb.
Grupi, thuhet në dokumentet e Prokurorisë, me vendime gjyqësore të paligjshme dhe me dokumente të falsifikuara, ka kaluar tokat në emër të të shpronësuarve, të cilët nuk kanë pasur njohuri për këtë zhvillim. Më pas, tokat u janë shitur pronarëve të rinj.
Të dhënat e mbledhura gjatë hetimeve tregojnë se në këto keqpërdorime ishin përfshirë edhe persona që tashmë ndodhen në burg, qelitë e të cilëve janë bastisur po ashtu gjatë operacionit të së mërkurës.
Pjesë e këtij grupi janë edhe ish-gjyqtarë, avokatë, zyrtarë komunal dhe afaristë.