Organizatorët e Eurovizionit kanë konfirmuar për Radion “Evropa e Lirë” se, ndalesa për përdorimin e flamurit të Kosovës gjatë netëve finale të Eurosong-ut, nuk është kundër shtetit të Kosovës apo një territori të caktuar, por ka të bëjë me rregullat e përgjithshme.
Për Radion “Evropa e Lirë”, menaxheri për komunikim me media nga Eurovizioni, Paul Jordan, ka thënë se një rregull i tillë vlen edhe për flamurin e Skocisë.
Flamuri i Kosovës nuk do të mund të jetë në duart e të pranishmëve, audiencës gjatë dy netëve finale që do të mbahen në Stokholm të Suedisë.
“Për fat të keq, Kosova nuk është as pjesëmarrëse dhe as vend anëtar i Kombeve të Bashkuara. Është për keqardhje, që ky dokument është publikuar ngase ai ishte vetëm për nevoja të përdorimit të brendshëm dhe në listën e tij ishin vetëm si shembuj flamujt e Kosovës dhe Baskisë. Ne nuk duam që në asnjë mënyrë këtë ta ndërlidhim me ISIS-in dhe na vjen keq nëse radhitja e flamujve në dokument dikë e ka lënduar”, ka thënë Paul Jordan.
Sipas rregullores së re, flamujt që do të mund të përdoren në garën e Eurovizionit janë vetëm ato të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, pastaj flamujt e shteteve pjesëmarrëse në Eurovizion apo atyre që kanë marrë pjesë më herët, si Turqia, Portugalia e Rumania.
“Politika rreth flamujve nuk është e orientuar kundër çfarëdo organizate apo territori. Nëse flamujt e publikuar në dokumente e kanë lënduar dikë, ne ndjejmë keqardhje”, ka thënë Jordan.
Po ashtu, nuk do të lejohet përdorimi as i flamujve lokal, rajonal apo provincial, si edhe i atyre që propagandojnë përmbajtje komerciale apo edhe të urrejtjes dhe diskriminimit.
Sidoqoftë, në Prishtinë vendimi për ndalimin e flamurit të Kosovës në Eurovizion është pritur me zhgënjim dhe keqardhje të thellë.
Televizioni Publik i Kosovës si pjesë e Unionit të Transmetuesve Evropian, EBU është shprehur thellësisht i shqetësuar me fyerjen e rëndë që i është bërë Kosovës nga Grupi i Referencës për Këngën e Eurovizionit, të cilët e ndalojnë flamurin e Kosovës të valëvitet në këtë festival.
“Dëshirojmë t’ua bëjmë me dije edhe Grupit të Referencës së Këngës së Eurovizionit, por edhe EBU se Republika e Kosovës është e njohur nga rreth 120 shtete të botës. Populli i Kosovës është i dëshmuar si popull paqësor dhe Republika e Kosova asnjëherë nuk ka paraqitur rrezik për askënd, madje ka qenë e hapur ndaj të gjithëve”, thuhet në reagimin e menaxhmentit të RTK-së.
Edhe deputetja në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike, Alma Lama, ka thënë se rregullorja e Eurovizionit e ka vënë Kosovën me disa rajone apo shtete që nuk lejohet përdorimi i flamujve të tyre.
Mes tjerash, ajo ka shprehur pakënaqësi me faktin që në kuadër të flamujve të ndaluar hyn në një rang edhe ai i të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS).
“Klasifikimi i shtetit të Kosovës në një rang me atë të një shteti terrorist është fyerje e ndjenjave të miliona shqiptarëve kudo në botë dhe do të duhej të ishte fyerje e ndjenjave të të gjithë evropianëve. Kjo i kalon të gjitha nivelet e gafave politike”, ka thënë Lama.