Dortmundi zyrtarizon Philipp

Sezoni i ri do të vijë me shumë ndryshime te Borussia e Dortmundit. Shkarkimi nga detyra i Thomas Tuchel dhe emërimi në krye të skuadrës i holandezit Peter Bosz, ishte vetëm hapi i parë i drejtuesve të klubit verdhezi. Vetëm pak orë pas zyrtarizimit të ish-trajnerit të Ajaxit në krye të skuadrës, Dortmundi ka bërë edhe goditjen e parë në merkato. Maximilian Philipp është prezantuar si blerja më e re e klubit nga “Signal Iduna Park”. 23-vjeçari ka firmosur një kontratë deri në vitin 2022 me verdhezinjtë, ndërsa blerja e kartonit të tij nga Freiburgu i ka kushtuar Borussias 20 milionë euro.
Afrimi i Philipp është një sinjal se nga Dortmundi këtë verë do të ketë largime të rëndësishme dhe njëri prej tyre mund të jetë sulmuesi i talentuar Ousmane Dembele, i cili kërkohet me ngulm nga Barcelona. Por 20-vjeçari francez nuk do të jetë largimi i vetëm nga Borussia sepse edhe sulmuesi kryesor Pierre Emerick Aubameyang me shumë gjasa do t’i japë lamtumirën verdhezinjve gjatë kësaj vere. Gjithsesi duket i pamundur një rikthim i mundshëm i sulmuesit nga Gaboni te Milani, pasi Paris Saint Germain është në pole position për të firmosur me Aubameyang. Klubi parisien i ka ofruar një pagë faraonike prej 14 milionë eurosh në sezon bomberit afrikan, ndërsa në arkat e Dortmundit pritet të përfundojnë rreth 70 milionë euro. Te Borussia ndërkohë po mendojnë për Mario Balotellin dhe mund të jetë sulmuesi italian i Nice, zëvendësuesi i Aubameyang te Dortmundi.

Exit mobile version