Dosja e DEA-s, Elvis Rroshi pjesë e hetimit ndërkontinental për trafik droge

Kreu i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi në hetim nga DEA amerikane për trafik droge dhe pastrim të parave. “ABC News” ka mësuar se në materialet e ardhura nga zyra kombëtare e EUROPOL-it për shtetasin Elvis Rroshi, njoftohet edhe për një hetim ndërkontinental të trafikut të drogës. Sipas këtyre të dhënave, thuhet se në vitin 2015, administrata për luftën kundër drogës e njohur si DEA ka njoftuar autoritetet zvicerane për nisjen e një hetimi të zgjeruar për një rrjet të fuqishëm të trafikut të drogës dhe pastrim të parave. Autoritetet zvicerane i konfirmojnë palës shqiptare se DEA amerikane ka kërkuar informacion për një grup personash, në mesin e tyre edhe për shtetasin Enver Rroshi, emër ky i përdorur nga kreu i Bashkisë së Kavajës në Zvicër. Për këtë rast, thonë burimet zyrtare të Prokurorisë shqiptare, autoritet zvicerane dhe DEA amerikane po vazhdojnë hetimet dhe për këtë fakt janë treguar shumë të rezervuara në dhënien e detajeve. Sipas shkresës së ardhur nga zyra kombëtare e EUROPOL-it, autoritetet zvicerane kanë premtuar se nëse do të kenë më shumë informacione për vazhdimin e këtij hetimi do të njoftohet pala shqiptare. Nga ana tjetër, mësohet se Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar informacion edhe nga autoritetet e drejtësisë gjermane, pasi dyshohet se Elvis Rroshi ka kryer aktivitet të paligjshëm edhe në këtë shtet. Pasi edhe në formularin e deklarimit ai jep të dhëna të paqarta për rastin e përplasjes së tij me policine gjermane. Por, autoritetet gjermane, në përgjigjen e tyre, theksojnë faktin se sipas legjislacionit gjerman nuk lejohet transmetimi i të dhënave personale pa u informuar më parë mbi faktet ekzakte të këtij hetimi në Shqipëri. Ata thonë, se nëse flitet për drogë, duhet të jepen detaje të origjinës së mallit, rrugën që ka ndjekur etj. Nëse flitet për raste të konfiskimit të drogës, gjermanët kërkojnë të dhëna si sasinë e konfiskimit, datën apo vendin, si dhe mbi rrethanat e plota të rastit ose lidhjet e mundshme me Gjermaninë për të hyrë në arkivën e tyre që të nxjerrin të dhëna.  Elvis Rroshi, kreu i Bashkisë së Kavajës është arrestuar për falsifikim, pasi nuk ka pasqyruar në formularin e dekriminalizimit 5 emrat që ka përdorur në vende të ndryshme, si dhe kontrollet, arrestimet, dënimet dhe dëbimet nga shteti italian e zviceran.
Sipas provave të sjella nga EUROPOL-i, kreu i Bashkisë së Kavajës njihet me 5 emra, si Elvis Rroshi, Ervin dhe Enver Rroshi, Bashkim Hallulli dhe me emrin Enver Proshi. Të pesë këto emra, kreu i Bashkisë i ka përdorur në vende të ndryshme të Evropës, emra për të cilët edhe është proceduar penalisht. Sipas vendimit, e kaluara e tij kriminale ka nisur në prill të vitit 1993, kur Roshi ka hyrë ilegal në Zvicër, duke kërkuar azil. Vetëm pak ditë më pas, konkretisht më 14 maj 1993 është arrestuar nga autoritetet zviceriane me drogë. 4 muaj pas arrestimit, më 24 shtator të 1993, Roshi rezulton se është dëbuar me vendim të Gjykatës zviceriane, duke mos e dënuar për drogën, pasi dyshohet se mund ta kishte për konsum. Për të vazhduar më pas në vitin 1995 është arrestuar në Itali, për përdhunim në grup në një kamp emigrantësh të paligjshëm. Ditën e arrestimit ndaj tij është dhënë vendim dëbimi për t’u larguar nga Italia. Në korrik të vitit 1997 me gjeneralitete të ndryshuar, Roshi ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme në Zvicër, duke kërkuar azil. Por një muaj më pas është arrestuar dhe është dëbuar përsëri nga shteti zvicerian. Po në vitin 1997, rezulton se është ndaluar nga policia italiane në Milano dhe është pyetur për akuzën e përdhunimit, ku Rroshi rezulton se ka bërë deklaratë të rreme, pasi kishte ndryshuar edhe gjeneralitetet. Po për të njëjtin fakt, Roshi është kontrolluar edhe në vitin 2000 për akuzën e vitit 1993 dhe më pas është lënë i lirë. Sipas Prokurorisë, të gjitha këto të dhëna, si emrat e përdorura, arrestimet, dëbimet dhe dënimet Elvis Rroshi nuk i ka pasqyruar në formularin e deklarimit, për të cilën do të mbajë edhe përgjegjësi penale.

Exit mobile version