Hetimet e Prokurorisë kanë çuar në pranga 5 zyrtarë të ish-Komunës Gjegjan në Elbasan për vjedhjen e 350 milionë lekëve të landfildit të mbeturinave. Me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për 5 zyrtarë të Njësisë Administrative Gjegjan, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Korrupsion pasiv”, për një dëm ndaj shtetit në shumën rreth 35 milionë lekë të reja. Gjithashtu, për 5 zyrtarë të tjerë, është vendosur masa e sigurimit “Detyrim për paraqitje”.
Zyrtarët e ish-komunës Gjegjan, aktualisht Njësi Administrative, përfshirë edhe titullaren e njësisë, kanë kryer veprime fiktive në të paktën dy procedura prokurimi, duke përvetësuar thuajse tërësisht shumën e parave të caktuara për ndërtimin e një landfildi mbeturinash në zonë, si edhe të pyllëzimit të një sipërfaqe 50 hektarë me pemë shegë.
Prokuroria e Elbasanit ka nisur kryesisht hetimin, në bazë të të cilit ka rezultuar për dy episode: Nga ish-Komuna Gjegjan është prokuruar fondi 1.250.000 lekë për ndërtimin e landifildit të mbeturinave në këtë zonë, në vitin 2014. Ky punim duhej të mbyllej brenda vitit. Aktualisht, nga veprimet hetimore të Prokurorisë, rezulton se landifildi jo vetëm që nuk është ndërtuar, por e gjithë zona është e rrethuar dhe përdoret nga një subjekt privat. Ndërkohë, në dokumentet e ish-Komunës Gjegjan dhe aktualisht Njësia Administrative Gjegjan, rezulton që landfildi është përfunduar dhe vënë në punë. Për këtë prokurim fiktiv është bërë edhe pagesa, pavarësisht se puna nuk është kryer.
Po në vitin 2014, ish-Komuna Gjegjan ka realizuar prokurimin publik për pyllëzimin të 50 hektarë tokë bujqësore me pemën shegë, me vlerë 32.5 milionë lekë të reja. Sipas parashikimit, pemët këtë vit duhej të nisnin të jepnin prodhimet e para. Ndërkohë, nga këqyrja në terren, rezulton se në hapësirën bujqësore të prokuruar, nuk rezulton thuajse asnjë pemë shegë. Po për këtë prokurim, shuma e parashikuar rezulton e paguar e gjitha.
Në këto kushte, nga ana e Prokurorisë së Elbasanit u kryen hetimet përkatëse, në vijim të të cilave, kërkoi caktimin e masave të sigurisë, masë sigurimi “Arrest në burg” për shtetasit Lumturi Hoxha, Administratore e Njësisë Gjegjan (ish-kryetare e Komunës Gjegjan), shpallur në kërkim, Ylli Ago, punonjës i Njësisë Administrative Gjegjan, arrestuar, Bardhyl Sharra, punonjës i Njësisë Administrative Gjegjan, shpallur në kërkim, Fatmir Lamçja, punonjës i Njësisë Administrative Gjegjan, arrestuar dhe Rexhep Hoxha, punonjës i Njësisë Administrative Gjegjan, arrestuar.
Si dhe masë sigurimi “Detyrim për paraqitje” për shtetasit Sofije Topuzi, Bashkim Sali, Ardian Lloshi, Tefik Venari dhe Agim Ago.