Dosja ‘Rama-McGonigal’ ose harta e zvogëluar e marrëdhënieve Shqipëri-Amerikë

Nga Sokol Pepushaj

Hajdut dhe diktator për shqiptarët dhe i rrezikshëm për sigurinë e SHBA, njihet Edi Rama në hartën e zvogëluar të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Në hartën reale të historisë, vizatohet si honi ku grumbullohen ujërat e ujdive të udhëtarëve të diplomacisë dhe bizneseve që plaçkitin këtej ç’u del përpara.

Pak ta kthejmë kokën pas, shohim se kombit i ka ngelur ora aty ku Edi Rama ka filluar të dekretohet si hajdut, të vetëdeklarohet si i pa prekshëm nga ligji dhe të deklarojë se amerikanët që e përbuzin, ai i ‘kap për veshi’.

E keqja është se asgjë të mirë nuk u kanë dëgjuar veshët deri sot shqiptarëve.

Ky Edi Rama që drejton mafien dhe tjetërson votat, kur u dënua me 28 muaj burg Charles McGonigal, ishte ai që është sot, personi që arrin të korruptojë zyrtarin e lartë të FBI-së, i aftë të ngrijë betonin e vet në betimet delikate të diplomatëve e dishepujve të doktrinës demokraci.

Edhe sot, është po ai që ishte dje, personazhi që rrezikon sigurinë kombëtare të shtetit më të fuqishëm, paçka se aftësia për të zbutur etapat, blihet në një dyqan e shitet në një tjetër, viseve ku mbijeton një nga popujt më të dobët ekonomikisht.

Pushtetin që ka blerë në Shqipëri, e patë se me çfarë çmimi e shiti në Britani?

Grushte, shkelma, shkopinj gome, zëmërim e rrezik, u shkarkua dje nga kamionët e patronazhistëve në dyqanin e tregut të votave në Londër.

Por sot, duam të themi nesër, pas 20 janarit, lërini mëritë, mos u zini as për Ramën as për Berishën, ejani ta zëmë fajkoin që hante mish njeriu.

Ka dëmtuar gjënë e gjallë. Kombi nuk po shumohet. Jeta po lëviz mes dobësive të kufizuara ende ekzistuese, dhe fuqisë së pa kufizuar ekzekutuese.

Diktatori ynë, ka tërhequr vëmendjen e Amerikës më shumë se Enver Hoxha, ka vënë pasuri më shumë se rroga e gjithë Presidentëve amerikanë, nga Xhorxh Uashington e deri tek Donald Trump.
Disa thonë jo, pasuritë i mban vëlla Olsi, Ofshoret dhe barkushet e barkave të peshkimit që po lundrojnë kundër erës që fryn nga ballkoni i Sali Berishës.

Jo, Babloku nuk mund të rrijë gjithmonë në kiç të varkës, të kapë kë peshk të dojë e të lërë lirë kë mendon ai, duke dhënë të njëjtin lajm, “Amerika ka sjellë në Shqipëri ‘Noc Rrokun’”.

Noci, sipas Bablokut, agjent i FBI-së, vërtetë ka lënë pa frymë nxitimin ekstravagant për drejtësi të barabartë për të gjithë, prononcimin e Ambasadës Amerikane këtu në Tiranë për pozicionin e tij, por ama, ka frymëzuar republikanët amerikanë që kanë kërkuar dhe do të rihapin dosjen Rama- McGonigal.

Po, sot Edi Rama, nuk është kryeministri që duhet, por shpendi endacak me krahë të shkurtuar, që çapitet nëpër detajet e dosjes së aferave korruptive me ish-kryezbuluesin e FBI, Charles McGonigal.

Kjo dosje sot, pra nesër, pas 20 janarit, do të hapet si Uotergejti Nr, 2 i Amerikës.
Lajmi vjen i virgjër.

Dosja Rama-McGonigal, ose harta e zvogëluar e marrëdhënieve Shqipëri-Amerikë, nuk do të jetë as kaq e vogël, as vetëm një kopje, si deri tani.

Exit mobile version