Dosja Tahiri-Habilaj, 2 oficerë të Guardia di Finanza në Shqipëri

Dy oficerë të Guardia di Finanza kanë ardhur nga Cattania në Tiranë për dosjen Tahiri-Habilaj. Bëhet e ditur se dy oficerët e Guardia di Finanza kanë pasur në fokus të misionit të tyre grumbullimin e informacioneve shtesë kryesisht të pronave që lidhen me Habilajt të përftuara nga aktiviteti kriminal. Gjithashtu, pjesë e misionit të tyre disa ditor në Shqipëri ka qenë interesimi se çfarë rezultatesh kanë dhënë kërkimet në terren për kapjen e Florian dhe Artan Habilajt.
“Report TV” raporton se, burimet nuk japin detaje të tjera se me kë janë takuar dhe çfarë kanë kërkuar nga pala shqiptare dy oficerët e ardhur nga Katania. Ndërkohë që dy oficerët e Guardia di Finanza të Katanias ndodheshin në Shqipëri, policia shqiptare në terren ka sekuestruar të gjitha pronat e identifikuara si të Habiljave.
Burimet sqarojnë se janë sekuestruar vila, shtëpi, makina dhe toka të identifikuara nën pronësinë e Moisi, Artan dhe Florian Habilaj, raporton “Report Tv”. Sakaq mësohet se nën hetim janë vendosur edhe persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë përdorur nga Habilajt për të kamufluar pronat që i përkisnin atyre. Disa prona dhe llogari bankare janë në proces verifikimi nga ekspertët e Antidrogës dhe Drejtorisë së Pastrimit të Parave. Kryesisht bëhet fjalë për prona që janë blerë nga Habilajt në bregdet si në Himarë, Dhërmi dhe Vlorë.
Oficerëve italianë të Guardia di Finanza i është thënë nga autoritet shqiptare se vijon kërkimi për kapjen e Florian dhe Artan Habilajt. Për Florian Habilajn ka dyshime se fshihet në fshatrat e Vlorës, ndërsa i vëllai, Artani, mund të ketë dalë jashtë territorit të Shqipërisë.

Exit mobile version