Drejt lirimit banda e kokainës, Prokuroria nuk paraqet rekurs

Prokuroria nuk ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë për dosjen e kartelit të kokainës “Xibraka”. Tashmë ka kaluar afati prej 45 ditësh për paraqitjen e rekursit për dosjen “Xibraka” dhe si rezultat dhe banda e kartelit të kokainës ka përfituar uljen e dënimit. Nëntë të pandehurit janë dënuar vetëm për akuzën e prodhimit të lëndëve narkotike.
Në muajin nëntor, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda pranoi kërkesën e nëntë të pandehurve për dosjen “Xibraka”, të cilëve iu njoh gjykimi i shkurtuar. Rrjedhimisht, sipas trupës gjyqësore të Apelit, nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar secili nga të pandehurit përfiton një të tretën e uljes së dënimit. Mes të shpallurve fajtorë është edhe Ermal Hoxha, nipi i dikatorit Enver Hoxha, të cilit nga 10 vite burg që vendosi Shkalla e Parë, nga Apeli iu dha dënimi me 6 vjet e 8 muaj burgim.
Për të kërkuarin nga drejtësia Genci Xhixha dhe për Saimir Batkun, Gjykata vendosi 8 vjet e 7 muaj burgim, ndërkohë që për Gentian Gjonajn dhe Klement Dalipin nga 7 vjet e 3 muaj burgim.
Pesë muaj më parë, Shkalla e Parë vendosi 104 vite burgim për të akuzuarit, mes tyre edhe kolumbianët Cezar Avila, i dënuar nga Apeli me 6 vjet e 8 muaj burgim dhe Valter Moreno, i dënuar po nga Apeli me 8 vjet burgim.
Pak ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda liroi njërin prej të dënuarve me burg të “kartelit të kokainës së Xibrakës”. Klemend Dalipi në fund të vitit 2017 ishte dënuar me 7 vite e 3 muaj burg, pas vendimit të marrë nga Gjykata e Apelit, por pak ditë më parë, ai është liruar nga burgu. Gjykata e Apelit e ka argumentuar lirimin e tij “për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore”.
Dalipi fillimisht ishte dënuar me 11 vite burg, por Apeli i uli dënimin. Ai ishte arrestuar bashkë me 8 persona të tjerë, mes të cilëve edhe vëllai i tij, Arjan Dalipi. Këta persona u arrestuan në një operacion antidrogë të nisur nga Gjermania, pasi kishin ngritur një laborator kokaine në ‘Xibrakë’ të Elbasanit.
Me bandën e Xibrakës, ka bashkëpunuar edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Rama. Ish-Kryeministri Berisha e ka akuzuar publikisht disa herë Olsi Ramën se ka kaluar 5 herë jashtë shtetit me makinën e Genci Xhixhës me drogë, ndërsa kryeministri Rama nuk ka reaguar asnjë herë.
Laboratori i përpunimit të kokainës u zbulua më 14 janar të vitit 2015 në fshatin Xibrakë të Elbasanit, në vendin e quajtur ish-Rezervat e Shtetit. Operacioni u krye pas hetimeve të Interpolit bazuar veçanërisht mbi përgjimet e njërit prej të dyshuarve, shtetasit Saimir Batku ju sekuestrua në Tiranë në një mjet xhip 19 kg kokainë e prodhuar në të njëjtin laborator.
Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda shkatërruan grupin e trafikut të drogës, duke sekuestruar sasinë më të madhe të kokainës të zbuluar deri më tani në Shqipëri. Në pranga janë vënë disa persona, numri i të cilëve ende nuk është i qartë, por deri tani janë 8 emra, ku mes tyre është arrestuar në Tiranë kreu i grupit Sajmir Batku, nipi ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha dhe dy shtetas kolumbianë.
Grupi kriminal i përpunimit të drogës financonte shuma të mëdha parash në fushën e ndërtimit. U sekuestruan nga policia të paktën 121 kilogramë drogë, ku rreth 100 kilogramë është kokainë e përzier, 18 kg kokainë e pastër dhe 3 kilogram kokainë e papërpunuar, si dhe 3-4 ton përzierës.

R.POLISI

Exit mobile version