Korrupsioni, biznesmeni thirret për dëshmi ndja tre gjyqtarëve

Prokuroria e Krimeve të Rënda vijon hetimet me akuzën e korrupsionit për tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit e Durrësit, të cilët vijojnë të qëndrojnë në detyrë pavarësisht kërkesës për pezullimin nga detyra. Organi i akuzës ka thirrur për të dëshmuar biznesmenin e përfshirë në këtë çështje, i cili mendohet se u ka ofruar favore gjyqtarëve në këmbim të një vendimi pro tij.
Pavarësisht refuzimit nga ana e Gjykatës për t’i pezulluar nga detyra tre gjyqtarët e Apelit në Durrës, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vijuar hetimet ndaj tyre me akuzën e korrupsionit.
Organi i akuzës ka thirrur për të dëshmuar për këtë çështje biznesmenin Naim Sadik, i cili do të japë shpjegime në lidhje me hetimin për korrupsion që po zhvillohet ndaj tre gjyqtarëve të Apelit në Durrës.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno, dyshohet të kenë pranuar favore nga ky biznesmen në këmbim të dhënies së një vendimi gjyqësor sipas kërkesës së sipërmarrësit.
Pak ditë më parë, Prokuroria e Krimeve kërkoi dhe pezullimin nga detyra të këtyre gjyqtarëve, por togat e zeza e rrëzuan këtë kërkesë në të dyja shkallët e gjyqësorit. Në këto kushte organi i akuzës i është drejtuar me shkresë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Nga hetimet e Prokurorisë rezulton se, gjyqtarët dhe biznesmeni të kenë udhëtuar jashtë vendit dhe parë ndeshjen e futbollit Real Madrid-Barcelona në tetor 2014, ndërkohë që kishin një proces të hapur me palë pikërisht këtë biznesmen.

Exit mobile version