Aleksandër Çela, drejtor i Mjedisit në Korçë, është ndaluar nga policia italiane rreth një javë më parë dhe dyshohet se po trafikonte klandestinë sirianë. Burime jo zyrtare i thanë citynews.al se Aleksandër Çela, i njohur edhe si Dashi Çela, një nga drejtuesit kryesor të PS në Pogradec dhe në Qarkun e Korçës, nuk është hera e parë që ndalohet nga policia për trafikun e qenieve njerëzore apo kalimin e paligjshëm të kufirit.
Çela është drejtori i Mjedisit për Qarkun e Korçës si dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Pogradecit, i zgjedhur nga një parti aleate e socialistëve. Në fakt, Aleksandër Çela, është drejtues dhe militant me post drejtori si përfaqësues i PS-së në Qarkun e Korçës, por kandidimi nga një parti e vogël ka ardhur thjesht dhe vetëm për të marrë mandatin e këshilltarit.
Shkarkimi në heshtje nga detyra
Aleksandër Çela është “Rilindasi” i dënuar disa herë, sepse është kapur duke çuar klandestinë në Maqedoni dhe Greqi. Së fundi, Aleksandër Çela është ndaluar në Itali dhe për këtë arsye është shkarkuar nga detyra. Zyrtarët e Partisë Socialsite sapo kanë mësuar ndalimin e tij në Itali, kanë bërë në fshehtësi të plotë shkarkimin Aleksandër Çelës nga posti që mbante. Nga ana tjetër, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Pogradecit, pak ditë më parë, është lexuar deklarata e dorëheqjes nga mandati i këshilltarit për Aleksandër Çelën. Një deklaratë dorëheqje që nuk tregonte arsyen e vërtetë të largimit, e cila ishte ndalimi nga policia italiane.
Partia Socialsite, krerët e saj, por edhe zyrtarë të lartë të qeverisë janë përpjekur ta mbajnë të fshehtë skandalin me drejtorin e tyre të mjedisit dhe për këtë arsye kanë filluar të lëvizin menjëherë për ta larguar nga posti.
Kush është Aleksandër Çela?
Aleksandër Çela, megjithëse ka qenë i dënuar për klandestinë kandidohet nga PS në vitin 2011 si kandidat për Komunën Dardhas në rrethin e Pogradecit në Qarkun e Korçës. Ai zgjidhet me një diferencë të vogël votash në krye të komunës, por më pas ai dënohet nga Gjykata për fshehje të pasurisë dhe për këtë arsye, në vitin 2011, qeveria e ish-kryeministrit Berisha e shkarkon nga detyra.
Megjithëse njihet si njeri me probleme të forta ligjore dhe i akuzuar dhe dënuar, në vitin 2013 ai emërohet drejtor. Në vitin 2015, në koalicion me Partinë Socialiste, ai gjen një parti të vogël dhe hyn këshilltar në Këshillin Bashkiak Pogradec, duke u zgjedhur nga votat e socialistëve.
Ndalimi në Itali i Aleksandër Çelës ka bërë që qeveria shqiptare dhe zyrtarë socialistë të Qarkut të Korçës të veprojnë direkt, ta largojë nga postet dhe ta mbajnë të fshehur skandalin. Por përgjegjësia morale dhe politike e PS-së me Aleksandër Çelën, nuk fillon dhe mbaron në Itali, por tek kandidimi i tij dhe emërimi në poste publike me mbështetjen e qartë dhe të pastër të Partisë Socialiste.