Një nga vajzat u përdhunua nga djali i ish-drejtoreshës

Fakte tronditëse po zbardhen nga Prokuroria lidhur me abuzimin e tre vajzave në Jetimoren e Shkodrës. Një nga 3 vajzat e Qendrës Rezidenciale për fëmijë në Shkodër është abuzuar nga djali i ish-drejtoreshës, Albana Llazani. Në këtë përfundim kanë arritur prokurorët që po hetojnë skandalin. Hetimet kanë zbuluar se abuzimi seksual ka ndodhur gjatë një ekskursioni në Razëm.
Në vijim të marrjes së deklarimeve, organi i akuzës zbulon se si një prej tre vajzave të dhunuara u detyrua të heshtte pas rrahjes abuzive nga ish-drejtoresha Albana Lllazani tashmë e arrestuar.
Minorenia 12-vjeçare u ka rrëfyer prokurorëve se është abuzuar seksualisht në ambientet e Qendrës nga një djalë pak më i madh në moshë. Pasi ia ka treguar drejtoreshës së institucionit, reagimi i saj ka qenë akoma më i rëndë dhe tronditës se sa rrëfimi i vajzës së dhunuar. Llazani e ka detyruar të mbyllë gojën dhe të mos tregojë, duke e rrahur në mënyrë brutale me një thupër.
Ish-drejtoresha ishte në dijeni se kush ishte djali që kishte abuzuar seksualisht me të miturën dhe ka kërkuar me insistim që ta mbyllë këtë çështje pa zhurmë. Djali përdhunues ishte i vetë drejtoreshës. Rrëfimi i vajzës ka tronditur prokurorët, e cila në prani edhe të psikologes ka treguar me hollësi të veprimeve të dhunshme të agresorit ndaj trupit të saj të paformuar.
Ekspertiza mjeko-ligjore ka provuar se e mitura është e defloruar (zhvirgjëruar) pa arritur ende moshën e pjekurisë seksuale. Ky skandal i rëndë është munduar të mbahet i fshehtë dhe është zbuluar vetëm gjatë hetimeve të nisura për keqtrajtime ndaj të miturve në Qendrën e Fëmijëve në Shkodër.
Të miturit, gjithnjë nën shoqërinë e psikologut, kanë dëshmuar se kujdestaret e Qendrës iknin me orë të gjata nga institucioni, duke i lënë fëmijët vetëm. Gjatë kësaj periudhe pa kujdestarë, fëmijët meshkuj të moshës më të madhe i detyronin më të vegjëlit të shihnin filma “me pullë të kuqe” në platformën dixhitale televizive që kishin në Qendër. Për më tepër, të miturit detyroheshin që të kryenin të njëjta veprime me ato që kryenin personazhet në filmat për të rritur.
Raporti i Avokatit të Popullit që i është dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme zbulon dhe detaje të tjera të frikshme të dhunës dhe keqtrajtimeve. Fëmijët që rriheshin me këmbët e karrigeve apo që lanin banjot e institucionit.
Sipas dëshmisë së vajzave të dhunuara, ato kanë rrëfyer para hetuesve në prani edhe të psikologes, se detyroheshin që të shikonin filma erotikë. Vajzat e moshave 6, 8 dhe 11 vjeç thanë se në jetimore ka patur një platformë dixhitale dhe fëmijët më të mëdhenj i detyronin që të shikonin filma erotikë, ndërkohë që kujdestarët largoheshin nga qendra për orë të tëra.
I vetmi vend i dyshuar për abuzimin seksual me të miturat, janë familjet që i marrin ato për bamirësi herë pas here gjatë fundjavave apo nëpër festa të ndryshme. Kjo e thellon më tepër skandalin dhe zgjeron rrethin e të dyshuarve nëpër familjet shkodrane.
Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime të arsyeshme se, dhuna seksuale ka ardhur për shkak të neglizhencës së personelit të Qendrës Rezidenciale, thuhej në njoftimin e dhënë nga Prokuroria e Përgjithshme. Rezulton se me vajzat e vogla është abuzuar nga persona ende të paidentifikuar, jashtë ambienteve të jetimores.
Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime të arsyeshme se dhuna seksuale ka ardhur për shkak të neglizhencës së personelit të Qendrës Rezidenciale. Në qendër jetojnë 35 fëmijë, të gjithë me prindër. Por për shkak të ekonomisë së dobët i kanë sistemuar këtu. Për këtë arsye, ata kanë marrë dhe statusin jetim social. Pas lajmeve për abuzime seksuale, një nënë që në qendër ka sjellë tri vajza, duket e alarmuar.
Drejtori i Shtëpisë së Fëmijës ende nuk është i qartë çfarë ka ndodhur. Ai pret hetimet për ta zbuluar. Ndërkohë, Gjykata e Shkodrës vendosi arrest me burg për pesë zyrtarët e arrestuar mbrëmjen e së mërkurës. Të arrestuarit janë: ish-Drejtoresha e këtij institucioni Albana Llazani dhe katër punonjëse të tjera të jetimores. Ato akuzohen për keqtrajtim të të miturve dhe shpërdorim të detyrës. Gjatë hetimeve të kësaj çështjeje janë pyetur të gjithë fëmijët e institucionit dhe të Qendrës Rezidenciale të Fëmijëve Shkollorë 6-18 vjeç. Paraprakisht rezulton se ata janë dhunuar psikologjikisht e fizikisht.
Shqetësues mbetet fakti se po të njëjtat vajza të mitura ndaj të cilave është abuzuar seksualisht vazhdojnë të jetojnë në të njëjtin institucion me autorët e dyshuar.

Dëshmi tronditëse: Jetimorja ka një tunel ku rrihen fëmijët

Një rrëfim tronditës, që shkon përtej imagjinatës është ai i personazhit në fjalë. Spartak Sofia, është një nga dëshmitarët që ka jetuar në Qendrën e Fëmijës në Shkodër, ndërsa nxjerr një anë të errët të saj, ku sipas tij fëmijët aty dhunohen. “Në atë qendër ka dhunë, na godisnin me shkopinj. E kam ende shenjën në kokë nga rrahja çnjerëzore”, ka deklaruar Sofia. 30-vjeçari nga qyteti i Shkodrës, i cili pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në Shtëpinë e Fëmijës rrëfen për ‘News 24’ se në atë jetimore ushtrohet dhunë, ndërsa që në vogëli atij i ka mbetur shenja në kokë pas goditjes me shkop prej druri nga një punonjëse, e cila tashmë është në pension.
Spartaku tregon edhe një detaj shumë të rëndësishëm teksa thotë se, në pjesën e pasme të institucionit është një tunel ku punonjëset i marrin fëmijët dhe pasi i fusin aty i godasin me çfarë të munden. Si Spartaku ka edhe shumë jetimë, të cilët janë dhunuar në këtë jetimore, të cilët për shkaqe të ndryshme heshtin, pasi kanë frikë që të flasin.
Ditën e djeshme u arrestuan 5 persona, përfshi ish-drejtoreshën e Qendrës së Fëmijëve, pas zbulimit të një skandali, ku 3 vajza të mitura u abuzuan seksualisht.

E mitura: I tregova drejtoreshës për dhunimin, ajo më rrahu me thupër

Një ndër tre vajzat e abuzuara seksualisht në Qendrën Rezidenciale të Fëmijëve në Shkodër dha një dëshmi tronditëse para prokurorëve. Më pak se 12 vjeç, ajo tha se është abuzuar seksualisht në ambientet e Qendrës nga një djalë pak më i madh në moshë. Këtë fakt, ia ka treguar drejtoreshës së institucionit. Reagimi i Albana Llazanit ka qenë edhe më tronditës, se sa rrëfimi i vajzës së dhunuar. Ajo ka marrë një thupër dhe e ka rrahur, duke e detyruar të mbyllë gojën dhe të mos flasë.
Albana Llazani, ish-drejtoresha tashmë e arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Shkodrës, është vënë në dijeni se kush ishte djali që kishte abuzuar seksualisht me të miturën dhe ka kërkuar me insistim që ta mbyllë këtë çështje pa zhurmë.
E mitura, e tronditur nga kjo ngjarje ka dëshmuar para prokurorëve në shoqërinë edhe të psikologut, detajet e veprimeve të dhunshme të agresorit ndaj trupit të saj të paformuar. Ekspertiza mjeko-ligjore ka provuar se e mitura është e defloruar (zhvirgjëruar) pa arritur ende moshën e pjekurisë seksuale.
Ky skandal i rëndë është munduar të mbahet i fshehtë dhe është zbuluar vetëm gjatë hetimeve të nisura për keqtrajtime ndaj të miturve në Qendrën e Fëmijëve në Shkodër. Të miturit, gjithnjë nën shoqërinë e psikologut, kanë dëshmuar se kujdestaret e Qendrës iknin me orë të gjata nga institucioni, duke i lënë fëmijët vetëm.
Gjatë kësaj periudhe pa kujdestarë, fëmijët meshkuj të moshës më të madhe i detyronin më të vegjëlit të shihnin filma “me pullë të kuqe” në platformën dixhitale televizive që kishin në Qendër. Për më tepër, të miturit detyroheshin që të kryenin të njëjta veprime me ato që kryenin personazhet në filmat për të rritur.
Një grua, nënë e 12 fëmijëve, dje në mëngjes ka vrapuar e shqetësuar drejt Qendrës Rezidenciale të Fëmijëve në Shkodër, ku ka strehuar 3 vajzat e saj. Në pamundësi për t’i mbajtur ekonomikisht, ajo i kishte dërguar në këtë qendër.
Gruaja me inicialet N. B thotë se edhe më parë kishte përcjellë shqetësimin se fëmijët dhunoheshin brenda në qendër, por kjo ishte mohuar nga ish-drejtoresha e Qendrës. Tashmë është e shqetësuar, pasi nuk di gjendjen shëndetësore të vajzave të saj. Nuk e di nëse edhe ato janë bërë viktima të keqtrajtimeve fizike apo abuzimit seksual. Ajo kërkon që 3 vajzat t’i nënshtrohen një ekspertize mjeko- ligjore, por dhe psikologjike.

Avokati i Popullit: Ngjarjet janë edhe më të rënda se i kemi gjetur ne

Lidhur me skandalin në Jetimoren e Shkodrës, Avokati i Popullit Igli Totozani në një intervistë për Ora News tha se bëhet fjalë për një çështje komplekse. Janë dërguar 2 grupe ekspertësh penalistë dhe psikologë të cilët, pasi kanë përpiluar dosjen ia kanë dërguar Prokurorisë rekomandim për fillimin e ndjekjes penale për “shpërdorimin e detyrës” për dy punonjës të kësaj qendre. Ka qenë Prokuroria e cila më pas me hetimet e saj më të zgjeruara ka bërë që hetimet të zgjerohen më pas në 5 persona “Bëhet fjalë për një hetim dy javor intensiv i Prokurorisë. Vërtet është rasti për ta falënderuar përzemërsisht për punën profesionale”, tha ai.
Sipas Avokatit të Popullit janë disa fëmijë që janë keqtrajtuar. “Rezultati i monitorimit tonë ka mbetur tek ngacmimet seksuale, ndërsa Prokuroria përmes hetimit të saj dhe ekspertëve mjeko ligjor ka arritur të konstatojë që ngjarjet janë edhe më të rënda se i kemi gjetur ne. Bëhet fjalë për disa fjalë, nuk mund të them një numër, por janë më shumë se dy që janë keqtrajtuar dhe janë detyruar të punojnë në atë qendër. Gjithashtu ka implikim të familjarëve, të fëmijëve të njërës prej personave, të cilët janë në ndjekje tashmë nga Prokuroria. Ngjarja është komplekse”, sqaron Totozani.
Ndërkohë, burime nga Policia e Shkodrës bëjnë të ditur se janë marrë në pyetje  3 vajza, 6, 8 dhe 11 vjeç, të cilat dyshohet se janë abuzuar seksualisht në Jetimoren e Shkodrës vajzat kanë rrëfyer se janë abuzuar seksualisht brenda institucionit nga fëmijët e tjerë më të rritur rezidentë në këtë qendër. Ata kanë pranuar abuzimin seksual por dhe ushtrimin e dhunës nga punonjës të këtij institucioni.

R.POLISI

Exit mobile version