Drejtori i Ramës: Fondet po u jepen privatëve

Ka shpërthyer në akuza drejtori i Muzeut Kombëtar, Melsi Labi kundër ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila sipas tij po financon projektet private, duke lënë në harresë pasurinë publike. Në një intervistë për Dritare.net, drejtori i Muzeut sjell si shembull Bunk’art, muzeun që u projektua nga Carlo Bollino në qendër të Tiranës. “Buxheti për 2017 nuk ka dalë ende, por pritet të jetë 13 ose 14 milionë lekë të reja. Ndërkohë nevojat e menjëhershme të Muzeut, për 70 milionë lekë të reja minimale. Na kanë futur në një betejë për mbijetesë. Ndërkohë harxhohen miliona euro në hapjen e muzeumeve  si Bunkarti etj., ku privati merr lekët dhe i fut në xhep. Ndërsa këto pasuri kombëtare që i kemi, nuk i ruajmë. Është detyrë e Ministrisë ta mbajë Muzeun, sepse janë lekët e taksapaguesve”, thotë Melsi Labi. Po ashtu, punimet e Bashkisë për Sheshin “Skënderbej” kanë izoluar muzeun. Drejtori i MHK, tregon për Dritare.net se, vizitorët sorollaten në qendër të Tiranës për të gjetur hyrjen për në muze dhe kjo është bërë shkak për një situatë kaotike. “Ne jemi të varur nga punët e Bashkisë, është absurde ta thuash një gjë të tillë. Unë nuk e imagjinoj dot se si një autoritet kombëtar, të varet nga ecuria e punëve të Bashkisë. Punimet në shesh kanë ndikuar në mënyrë drastike edhe në pjesën e frekuentimit, ikin ditët pothuajse pa asnjë vizitor në Muze. Një turist nuk di ta gjejë hyrjen, pasi ne jemi të rrethuar nga punimet bashkiake. Edhe vendasit, vijnë anë e përqark derisa e gjejnë hyrjen. Është një situatë kaotike dhe nëse vazhdohet kështu, 2017 do të jetë viti me më pak vizitorë e rrjedhimisht me më pak të ardhura. Kjo jo për fajin e Muzeut apo shërbimeve që ofron”, ka thënë Melsi Labi në intervistën për Dritare.net.

Artikulli paraprakShkëlzen Berisha: I dënuari të përjashtohet nga Komisioni i CEZ
Artikulli tjetërProtestat masive në Rumani detyrojnë qeverinë të tërhiqet