Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha deklaroi mbrëmë se, ka ngritur padi penale në gjykatë në lidhje me shpifjet ndaj tij nga Taulant Balla në të ashtuquajturin Komision Hetimor për çështjen CEZ. I thirrur në Komisionin Hetimor për CEZ, pas dështimit të seancës ka deklaruar se ajo që po ndodh me këtë komision është një teatër. Ai është paraqitur sërish pasditen e djeshme në Komisionin Hetimor për CEZ ku ka paraqitur një kërkesë që deputeti socialist Taulant Balla të mos jetë kryetar i këtij Komisioni. Por kërkesa e tij është hedhur poshtë dhe duke mos bërë betimin, u mbyll edhe mbledhja e djeshme e Komisionit. Pas kësaj, në një deklaratë për mediat, Shkëlzen Berisha ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje. Teksa i quan zhvillimet në këtë komision si qesharake dhe teatër politik, Berisha tha se akuzat ndaj tij janë të sajuara. Shkëlzen Berisha u shpreh se lidhur me këto akuza ai ka ngritur padi penale në gjykatë, duke u shprehur se nëse anëtarët e komisionit kanë prova kundër tij, t’i paraqesin ato në gjykatë. “Ajo që po ndodh lart është qesharake. Një kryetar që është i dënuar, përmend Kodin e Procedurës Penale vetëm për dëshmitarin. Sikur ky kod të mos ekzistojë për anëtarët e komisionit. Unë dorëzova një kërkesë për largimin e tij nga komisioni, por ai tha se kjo kërkesë është hedhur poshtë. Ndërkohë që kjo kërkesë u dorëzua për herë të parë. Kjo është qesharake. Unë kam ardhur gjithmonë këtu dhe kam zbatuar ligjin, pavarësisht gjithë teatrit politik që këta po bëjnë. Unë nuk kam lidhje me personat e përmendur. Nuk kam qenë askund me ta. Dhe nuk më lidh asgjë me ta. Unë nuk do ta lë me kaq. Kam ngritur padi penale në gjykatë”, tha Shkëlzen Berisha. Duke iu përgjigjur interesit të mediave, Shkëlzen Berisha pranoi se do të paraqitet në mbledhjen e Komisionit Hetimor për CEZ sa herë të jetë e nevojshme. “E gjitha kjo po ndodh për shkak të një shpifësi. Kam zgjedhur rrugën ligjore për t’iu shkëputur këtij teatri politik. Unë nuk e kam problemin për të bërë dëshmi dhe për këtë po shkoj në gjykatë. Nuk mund të jap dëshminë time përballë një personi që është në konflikt interesi. Jo vetëm se ka patur gjyq me mua, por ai vazhdon shpif nëpër media. Këta që janë këtu mund të vijnë t’i bashkëngjiten procesit gjyqësor dhe le të sjellin aty provat që kanë”, u shpreh ai. Javën e kaluar dështoi dëshmia e Shkëlzen Berishës, pasi ai refuzoi të betohet para Komisionit Hetimor të ngritur nga socialisët me argumentin se Taulant Balla ka konflikt interesi pasi është dënuar për shpifje.
Ndreu kërkoi shqyrtimin e kërkesës për largimin e Ballës nga komisioni
I thirrur për të dëshmuar ishte Shkëlzen Berisha, i cili paraqiti një shkresë ku kërkonte dorëheqjen e Taulant Ballës nga drejtimi i komisionit, pasi deputeti i PS është dënuar për shpifje ndaj djalit të ish-Kryeministrit. Kjo kërkesë pa u shqyrtuar fare u hodh menjëherë poshtë nga Taulant Balla. Jo vetëm kaq, por tha se vendimin për rrëzimin e kërkesës e ka marrë vetë edhe pse objekti ishte vetë deputeti i PS! Me të drejtë, kolegu socialist i Ballës, Pjerin Ndreu mori fjalën në Komision dhe kërkoi që kërkesa e depozituar nga Shkëlzen Berisha të shqyrtohet sipas procedurave dhe të vendoset nëse drejtimin e komisionit gjatë dëshmisë së djalit të ish-kryeministrit do ta marrë përkohësisht një tjetër deputet. Menjëherë ka ndërhyrë sërish Taulant Balla, i cili kategorikisht nuk pranoi shqyrtimin e kërkesës siç e kërkon rregullorja e Kuvendit, por tha se kjo kërkesë është rrëzuar ende pa u shqyrtuar! Veprimi tërësisht absurd i të dënuarit për shpifje habiti edhe vetë kolegët e tij socialistë.
Ironia e Ristanit: Balla erdhi i palarë në komision
Deputeti i PD-së, Arben Ristani e ka ironizuar Ballën duke i thënë se duhej të vinte i larë në komision. “Meqë sot ishte ditë e hënë, Taulant Balla duhet të vinte i larë në komision. Mban erë dhe kjo na pengon në zhvillimin normal të punës”, tha Ristani teksa po largohej nga komisioni. Në nisje të mbledhjes së djeshme edhe deputeti i PD, Arben Ristani i kërkoi dorëheqjen Ballës sepse është në konflikt interesi me Shkëlzen Berishën. “Ju kemi bërë me dije që është një konflikt i pastër interesi mes jush dhe dëshmitarit. Ligji e ndalon një gjë të tillë. Ky komision nuk merr të pandehur. Ke një vendim gjyqësor të marrë kundër teje si kryetar komisioni, jeni dënuar për shpifje ndaj dëshmitarit, i keni borxh dëshmitarit, jeni në kushte kur nuk i keni paguar paratë dhe po përdorni këtë komision për t’u hakmarrë. Jeni në konflikt të pastër interesi dhe nuk pranoni të hiqni dorë nga drejtimi i këtij komisioni. Që ta marrim dëshminë duhet të jepni dorëheqje”, tha Ristani.
Debatet, Berisha-Ballës: Pusho i dënuar se vetëm shpif sa herë hap gojën
(Pjesë nga debati në Komisionin Hetimor të CEZ)
Balla: Zoti dëshmitar do të bësh betimin.
Shkëlzen Berisha: Pusho i dënuar se vetëm shpif sa herë hap gojën.
Balla: Fol!
Shkëlzen Berisha: Kam paraqitur një kërkesë.
Balla: Kërkesa është hedhur poshtë.
Balla: Seanca ndërpritet.
Ristani: Jemi përpara një mashtrimi, sapo lexuat një kërkesë për të dhënë dorëheqjen dhe sapo thatë se kjo kërkesë është shqyrtuar, kur e ke shqyrtuar ti këtë kërkesë?
Balla: Nuk miratohet prapë kjo kërkesë.
Ristani: Si nuk miratohet, ti nuk mund të votosh për veten.
Ndreu: Ka një tendecë për të ngatërruar dëshminë e zotërisë. Kërkesën e dëshmitarit le ta shqyrtojmë.
Balla: Je mësuar ti të caktosh gjyqtarë, thuaj betimin.
Shkëlzen Berisha: Zoti i dënuar kam një kërkesë paraprake.
Balla: Ne duam të të njohim më mirë, po nuk na the atësi, emër, mbiemër nuk kemi si të marrim deklaratën tënde. Betohu dhe pastaj bëj kërkesën paraparake.
Shkëlzen Berisha: Kush është drejtuesi i seancës?