Drejtori i Policisë së Elbasanit, në Prokurori për 863 mijë eurot

Drejtori i Policisë së Elbasanit, Altin Qato ka zhvilluar dje një takim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për 863 mijë eurot që u gjetën në makinën e biznesmenit Orest Sota në Elbasan si dhe për 2 patentat për mjete lundrimi në emër të ish-ministrit Saimir Tahiri. Burimet bënë të ditur se takimi mes drejtorit të Policisë së Elbasanit dhe prokurorëve të Krimeve të Rënda ka nisur në orën 14:00. Bëhet e ditur se në takim është folur për arrestimin e Sotës dhe për 863 mijë eurot dhe dy patentat në emër të Tahirit të gjetura në makinë
Orest Sota u arrestua nga Policia e Elbasanit më datën 1 nëntor iu gjetën në makinë 863 mijë euro dhe 2 leje drejtimi për mjete lundruese në emër të Saimir Tahirit. Policia mbajti të fshehtë lajmin dhe u detyrua ta publikojë pas denoncimit të kryetarit të PD, Basha. Në deklaratën e saj, Policia fillimisht nuk e deklaroi shumën e eurove të bllokuara dhe gjetjen në makinën e Sotës të dy patentave të drejtimit të mjeteve lundruese të Tahirit. Sota tha se shumën e parave e kishte për të shlyer disa pagesa në kompaninë “Kurum”, ndërsa patentat i kishte harruar shoferi i Tahirit me të cilin ai kishte miqësi. Ndërkohë, Administratorja e kësaj kompanie e marrë në pyetje nga Prokuroria ka rrëzuar versionin e Orest Sotës se 863 mijë eurot e gjetura në makinën e tij, ai do t’i linte garanci në këtë kompani. Financierja e kompanisë “Kurum” ka deklaruar se, Kompania “Kurum” nuk priste të merrte para nga kompania e Orest Sotës apo babait të tij, Lefter Sota.
Prokuroria e Krimeve të Rënda nëpërmjet Drejtorisë së Pastrimit të Parave po kryen verifikimin e pasurisë së Orest dhe Lefter Sotës. Veprimet nisën pas arrestimit të 25-vjeçarit Sota në qytetin e Elbasanit pak ditë më parë, ku në automjetin e tij, tip “Land Rover”, u gjendën patentat e lundrimit të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, si edhe shuma prej 863 mijë eurosh. Sipas burimeve, veprimi i parë që ka kryer Prokuroria e Krimeve të Rënda ishte sekuestrimi i regjistrave të shitblerjes pranë kompanisë së Çelikut “Kurum” në Elbasan. Emri i biznesmenit Lefter Sota dhe djalit të tij Orest, nuk ka figuruar të paktën nga janari i 2017-ës e në vazhdim në regjistrat financiarë të kompanisë së hekurit.
Gjithashtu, organi i akuzës ka kërkuar informacion nga bankat e nivelit të dytë në vendin tonë, nëpërmjet Njësisë së Inteligjencës Financiare, për të parë nëse 863 mijë euro kanë qenë të depozituara më parë në sistetmin bankar shqiptar. Prokurorisë i duhen prova për të përcaktuar kohën kur shuma e eurove është tërhequr nga Orest Sota ose babai tij Lefteri.
Orest Sotës iu kanë sekuestruar 2 aparatet celulare me qëllim për të mësuar nëse ka pasur komunikim me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë kohëve të fundit. Ndërkohë, pasdrekën e së enjtes, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka qenë i pranishëm edhe drejtori i komanduar në Drejtorinë e Policisë vendore të Elbasanit, Altin Qato. Ende nuk dihet nëse ky takim u krye me kërkesë të organit të akuzës që lidhet me çështjen Sota, apo çështje të tjera që janë nën hetim.
Asetet pasurore po hetohen edhe për 25-vjeçarin Orest Sota, i arrestuar pak ditë më parë në Elbasan, pasi nuk i ndaloi policisë në një kohë, që në automjet iu sekuestruan 863 mijë euro dhe dy patenta lundrimi të Tahirit.
Dosja e Sotës i është bashkëngjitur çështjes Habilaj, por prokurorët po kërkojnë informacione jo vetëm për burimin e kësaj shume, e cila justifikohet nga Lefter Sota, se janë fitimet në vite nga bizneset e tij.
Në hetimin pasuror për familjen Sota, prokurorët kanë kërkuar të gjithë tenderat e fituar nga shoqëritë e familjes, si edhe transaksionet bankare me Kurum, duke qenë se Orest Sota pretendon që këtë shumë do ta dorëzonte si garanci për blerje hekuri.

Exit mobile version