Drejtuesi i Grushtit të Shtetit është vrarë

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, i cili arriti në Stamboll të shtunën në mëngjes, dënoi si akt tradhtie një grusht shteti në tentativë, të ndërmarrë nga një grup oficerësh të ushtrisë.
Qindra përkrahës dolën për ta pritur zotin Erdogan në Aeroportin Ataturk të Stambollit. Në një fjalim që mbajti drejtpërdrejt në televizion, ai tha se, kryeministri Binali Yildirim kishte urdhëruar “çrrënjosjen” e ushtarëve të përfshirë në rebelim dhe se shumë arrestime mes oficerëve ishin në proces e sipër.
Ushtria turke tha të premten se kishte marrë pushtetin, por të shtunën, herët në mëngjes, autoritetet turke deklaruan se përpjekja për grusht shteti ishte smbrapsur. Në të gjithë vendin është vendosur gjendja e jashtëzakonshme.
Gjatë natës, gjendja ishte mjaft e paqëndrueshme. Pati njoftime për shpërthime, duke përfshirë të paktën dy bomba që goditën ndërtesën e Parlamentit në Ankara. Pati gjithashtu të shtëna me armë në Stamboll si dhe njoftime se një avion luftarak turk kishte rrëzuar një helikopter të përdorur nga komplotistët. Të shtunën në mëngjes, policë dhe ushtarë shkëmbyen zjarr në Sheshin “Taksim”. Pas kësaj, sipas njoftimeve, ushtarët dorëzuan armët.
Një sulm me helikopter të premten në Ankara në selinë e forcave speciale të policisë la 17 oficerë të vdekur, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Anadolu”.
Zyrtarët perëndimorë të zbulimit dhe ata ushtarakë janë duke vëzhguar nga afër zhvillimet në Turqi, anëtare e NATO-s dhe një aleate kryesore e SHBA-së në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik. Turqia gjithashtu mbështet opozitën e moderuar që përpiqet të përmbysë presidentin sirian Bashar al-Assad.

Exit mobile version