“Droga”, Prokuroria, hetim pronave të Klement Balilit

Prokuroria e Krimeve të Rënda regjistron dy procedime penale ndaj Klement Balilit, i cili akuzohet për trafik droge drejt vendeve të BE. Burimet nga Prokuroria bënë të ditur se, krahas procedimit penal për veprat e grupit të strukturuar kriminal dhe trafikut ndërkombëtar të drogës, është regjistruar edhe një hetim i dytë sipas ligjit Antimafia për pasuritë e “Eskobarit të Ballkanit”, i shpallur në kërkim. Aktualisht prokurorët e Task Forcës pranë Krimeve të Rënda po identifikojnë pasuritë e Klement Balilit dhe llogaritë e tij bankare për t’ju drejtuar më pas Gjykatës me kërkesën për sekuestro konservative deri në përfundim të hetimeve ndaj tij.
Klement Balili është pronar i kompleksit turistik “Santa Quaranta”. Ky kompleks është ndër më luksozët dhe më modernët në bregdetin e Sarandës dhe më gjerë. Balili, ndërkohë është edhe pronar i hotel “Olivias” në bregdetin e Butrintit, një ndër hotelet më të njohura të zonës. Po ashtu është pronar i hotel “Butrinti” në Sarandë. Së bashku me vëllezërit e tij, Klement Balili është pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk”, e cila operon në Qarkun e Vlorës. Bëhet e ditur se Balili zotëron edhe prona të paluajtshme si, apartamente dhe truall toke. Klement Balili ishte emëruar drejtor i Transportit në qytetin bregdetar të Sarandë, ndonëse në 2006, ishte arrestuar nga Policia e Shtetit në kuadër të një aksioni antidrogë.
Balili akuzohet zyrtarisht për veprën penale, trafikim të lëndëve narkotike në vendet e BE-së së bashku edhe me disa persona të tjerë shqiptarë të arrestuar më herët. Në dosjen greke thuhet se, ka dyshime se 46-vjeçari ka ndryshuar identitet. Sipas hetuesve grekë, ai fshihet në zonën e Sarandës, duke pasur edhe mbrojtjen e policisë lokale. Për ta forcuar këtë akuzë, prokurorët grekë kanë shkruar në dosje se të dielën e 16 tetorit 2016, Balili kishte kaluar drejt shtetit maqedonas nëpërmjet pikës kufitare të Tushemishtit, me kartë identiteti të ndryshuar, ndërkohë që ishte kthyer po atë ditë në mbrëmje në vendlindje.
Përveç kërkesës për arrestim ndaj Balilit, në fillim të muajit nëntor mbërritën në Tiranë edhe 2 prokurorë grekë, të cilët kanë kërkuar intensifikimin e hetimeve pasurore për familjarët e 46-vjeçarit që jetojnë në disa vende të BE, si Itali e Gjermani. Prej 6 muajsh, Klement Balili është shpallur në kërkim për trafik tonelatash droge drejt Bashkimit Europian dhe për këtë arsye ka edhe një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj tij konkretisht nga Interpoli.
Organizata ndërkombëtare e drogës e drejtuar nga shqiptari qarkullon miliona euro, saqë mediat greke flasin se, “Baroni” ka aq para sa të paguajë borxhin e Greqisë. Droga e kësaj organizate shitej në Ballkan për 2500 euro një kilogramë, ndërsa në shtetet Nordike 1 kg kanabis kapte shifrat e 17 mijë eurove. 700 kg kanabis që u kap para pak kohësh në Zakyntho të Greqisë ishte destinuar për t’u shitur në Norvegji.
Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se ka angazhuar 3 prokurorë, të cilët do të merren me ndjekjen e hetimeve si dhe procedurat e kërkimit të Balilit nga drejtësia shqiptare. Burime nga akuza sqaruan se, Balili tashmë është shpallur në kërkim për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda me një mandat arresti të dhënë në mungesë ndaj tij nga pala greke, mandat ky i vlefshëm për territorin shqiptar. Në rast prangosje në Shqipëri, Balili do të gjykohet nga drejtësia shqiptare, pasi ekstradimi i tij është i pamundur në mungesë të marrëveshjes së ekstradimit ndërmjet dy vendeve.
Të njëjta burime sqaruan se sëbashku me dosjen hetimore të Balilit, kanë mbërritur dhe të dhëna për pjesëtarët e dyshuar të grupit dhe sipas hetimeve të kryera nga pala greke rezulton se në këtë rrjet të trafikut të drogës ishin përfshirë 25 persona, shqiptarë, grekë, bullgarë, italianë, serbë dhe maqedonas. Sipas organit të akuzës, për arrestimin e Balilit është angazhuar sektori i operacionaleve në Policinë e Shtetit, të cilët prej muajit maj të këtij viti ka kryer me dhjetëra operacione, por pa mundur të finalizojë me kapjen e ish-zyrtarit të Transporteve të Sarandës.

Exit mobile version