Kryetari i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, tha dje se lirimi i Lulzim Berishës nga burgu, ka prapavijë politike. Sipas tij, pas këtij akti qëndron vetë Edi Rama. Sipas tij, heshtja e Ramës për këtë akt është një përkrahje e qartë për bandën e Durrësit. “Lirimi nga burgu i Lulzim Berishës është një zhvillim i rëndë, një hapësirë më shumë që merr krimi në kurriz të ligjit dhe rendit. Nuk ka asnjë dyshim, se pas kësaj qëndron Edi Rama, i cili jo vetëm nuk zbaton ligjin për dekriminalizimin, jo vetëm nuk bën asnjë përpjekje për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, jo vetëm nuk lufton drogën dhe kartelet e saj, por krejt në të kundërt me këto kërkesa të shqiptarëve, të ndërkombëtarëve, i ofron lirinë Lulzim Berishës, i njohur botërisht si kreu i bandës së Durrësit. Një bandë tashmë e provuar për krimet e shumta, për vrasjet, për trafikun e lëndëve narkotike, dhe për angazhimin serioz në krah të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës në zgjedhjet e fundit, duke kërcënuar qytetarët e dhunuar votën. Edi Rama ka bërtitur me të madhe kundër gjykatësve për gjëra shpesh edhe banale, ose për vendime që nuk i kanë pëlqyer, që kanë qenë kundër interesit të tij, por nuk thotë asnjë fjalë për lirimin e Lulzim Berishës, kreu i bandës famëkeqe të Durrësit. Pse hesht Edi Rama? Pse drejtësia qenka në rregull, kur lirohet banditi i tij që i siguron vota në Durrës, duke dhunuar qytetarët? Këto janë dy standardet e tij. Kjo është në fakt drejtësia që kërkon Edi Rama. Ta ketë nën kontroll, ta urdhërojë, të jetë nën shërbimin e tij, për interesat e tij, për banditët e tij”, tha Alibeaj.