Drogë nga Shqipëria në Itali, 17 në pranga

Shkatërrohet banda e drogës shqiptaro-italiane, ndërsa në pranga kanë përfunduar 17 persona. Të paktën 150 forca policore në Modica, Provinca e Raguzës, janë angazhuar në një operacionin mëngjesin e djeshëm, ku u arrestuan shqiptarë, italianë dhe tunizianë, me urdhër të Prokurorit të Anti-Mafias të Catanias, si rezultat i kërkimeve të kryera. Ndërkohë, 17 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
“Corriere Della Sera” shkruan se, sipas hetuesve të çështjes, anëtarët e këtij klani kriminal kishin krijuar një lidhje për kontrollin e droga që vinte nga Shqipëria për në provincën e Raguzës.
Në operacionin policor ishin angazhuar 150 punonjës, 70 makina, 1 helikopter, Njësitë e Departamentit të Parandalimit të Krimit dhe 12 operatorë të Policisë Shkencore. Ndërkohë, deri më tani, për arsye hetimi, nuk janë bërë të ditur emrat e të arrestuarve.
Ndërkohë, policia italiane arrestoi një ditë më parë pas shumë kërkimesh, Zamir Dajkaj, një shqiptar të konsideruar si bosi i grupit mafioz “Barcellona” të Siçilisë, pjesë e klanit “Mazzarota”. Ai ishte shpallur në kërkim dy vjet më parë, pasi ishte dënuar me 11 vjet burg për trafik droge dhe disa vepra të tjera të rënda kriminale.
43-vjeçari u arrestua pas një operacioni të madh policor, ku u përfshinë dhjetra forca policore dhe helikopterë të Karabinierisë. Dajkaj u kap në Terme Vigliatore, në një banesë luksoze. Ai kishte edhe disa shtëpi të tjera që menaxhoheshin nga bashkëshortja e tij.

Exit mobile version