Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Policia e Shtetit kanë qenë shpeshherë në qendër të akuzave për korrupsion dhe për përfshirje në trafiqe. Një studim i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, i mbështetur nga Ministria e Jashtme e Holandës ka gjetur se policia shqiptare është institucioni më i korruptuar në vend.
“Në një mjedis me korrupsion të përhapur, policia ka qenë një ndër institucionet më të ekspozuara dhe më të prekura nga korrupsioni. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme në këtë drejtim, korrupsioni policor në Shqipëri nuk ka shënuar ndonjë ulje të ndjeshme”, thotë studimi.
Sipas studimit ‘Integriteti dhe Korrupsioni Policor në Shqipëri’, forma më e përhapur e korrupsionit mbetet ryshfeti, ndërsa ka rritje edhe të formave të tjera. Të tilla janë bashkëpunimi me elementë kriminalë i punonjësve të policisë, përfshirja në trafik droge dhe manipulim i provave.
Ka patur jo pak raste të zbuluara që punonjës policie kanë qenë të përfshirë në trafikun e kanabis sativës në vend. “Llojet e korrupsionit që kanë shënuar rritje më të lartë janë bashkëpunimi me krimin, përfshirja në trafiqe, manipulimi i provave dhe prokurimet korruptive”, vijon artikulli.
Në këtë studim holandez theksohet gjithashtu se, ka një tendencë në rritje të shkeljes së rregullave për emërimet dhe gradimet në detyrë në Policinë e Shtetit.
“Po ashtu, ka rritje të perceptimit të korrupsionit dhe shkeljes së rregullave të Policisë në lidhje me rekrutimet, emërimet dhe gradimet. Lufta ndaj korrupsionit dhe përpjekjet për parandalimin e korrupsionit nuk kanë dhënë rezultate në drejtim të forcimit të kulturës së integritetit si instrument për t’i rezistuar tundimit për abuzim me të drejtat dhe privilegjet që ofron profesioni i policimit”.
Edhe vet brenda radhëve të policisë shqiptare, punonjësit besojnë se, Policia e Shtetit përdoret për qëllime korruptive, evidenton studimi, duke theksuar se ky është një perceptim në rritje.