10 persona janë arrestuar, pasi një sasi droge me një vlerë tregu prej 750 mijë paund, u sekuestrua në disa operacione të zhvilluara nga autoritetet në Gloucestershire të Anglisë. Sipas BBC, oficerët bastisën 11 prona në Gloucester dhe Cheltenham, si dhe 4 lavazhe përgjatë dy ditëve të fundit. 8 persona nga Gloucester u arrestuan, të moshës 20-33 vjeç, një 21-vjeçar nga Norwich dhe një tjetër 34-vjeçar nga Essex.
Një vajzë 17-vjeçare u gjet duke punuar në “kushte të papërshtatshme”. Ajo u mor në mbrojtje nga autoritetet. Operacionet e zhvilluara të mërkurën dhe të enjten ishin pjesë e operacionit Cleveland, që nisi pas të dhënave që autoritetet britanike morën për banda të krimit të organizuar që operonin në vend.
Policia e Gloucestershire tha se, në 6 prona ishin zbuluar fabrika kanabisi, në Gloucester dhe Cheltenham dhe se në disa prej tyre ishin gjetur “anëtarë të bandave shqiptare kriminale”.
Një zyrtar i policisë tha se sasia domethënëse e bimëve të kanabisit që u gjetën në këto fabrika besohet se kapin vlerën e rreth 750 mijë paund.
“Ky operacion 2 ditor çoi në shkatërrimin e bandave serioze të krimit të organizuar që operonin në Gloucestershire, aktiviteti kriminal i të cilave ka patur një impakt të madh në komunitetet tona”.
“Një prej fabrikave të kanabisit ndodhej fare pranë një shkolle fillore në Gloucester. Anëtarët e këtyre bandave nuk kanë asnjë lloj mëshire për sigurinë dhe mirëqenien e atyre që jetojnë në komunitetet ku ata operojnë”, tha zyrtari i policisë, Ian Fletcher.
Të gjithë të arrestuarit, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, po mbahen nën akuzën e mashtrimit, shpërndarjes së drogave të klasit B dhe prodhimit e përpunimit të drogave të klasit B.