Dua të luaj dhe unë për Kosovën

Mesfushori 25-vjeçar me origjinë nga Kosova i skuadrës Hamilton Akademikal që luan në Premier Ligën skoceze, Gramoz Kurtaj, ka thënë për mediat angleze se do të punoj fort në vazhdim për të merituar një ftesë nga përfaqësuesja e Kosovës.
“Debutimi i Kosovës ishte diçka shumë emocionuese. U lumturova shumë nga barazimi dhe të gjithë duhet të jemi optimistë për të ardhmen e madhe të kësaj skuadre. Unë kam kontaktuar me stafin teknik të përfaqësueses dhe më kanë thënë që jam në listën e futbollsitëve nën vëzhgim, ndaj tani gjithçka është në dorën time. Do jap gjithçka nga vetja që të meritoj një ftesë”, ka thënë Kurtaj.
Kurtaj e ka filluar karrierën e tij në Gjermani me ekipin e dytë të Herta Berlinit dhe më pas është aktivizuar te skuadrat e Nojshtreliç dhe Jena. Para se të kalonte në Skoci në verën e 2015-ës, ai provoi edhe një aventurë në kampionatin çek me skuadrën Banik Most.

Hysaj, shqiptari më i paguar në Serinë A

Pothuajse një miliard euro rroga në Serinë A. Më saktësisht 985 milionë euro, që për sezonin 2016-2017 do të përfundojnë në llogaritë bankare të futbollistëve të 20 skuadrave elitare në Itali. Protagoniste mbi të gjithë ishte Juventusi. Investimet marramendëse të bardhezinjve në merkato ndikuan në mënyrë të pashmangshme edhe në kostot e pagesave.
Pas transferimit për 90 milionë euro te Zonja e Vjetër, ku u shndërrua në lojtarin më të kushtueshëm në historinë e Serisë A, Gonzalo Higuain bëhet edhe më i paguari, me 7,5 milionë euro neto. Argjentinasi kaloi Daniele De Rossi në kuotën 6,5 milionë euro dhe Pjanic Pjanic, 4,5.
Përsa i takon 8 shqiptarëve që militojnë në këtë edicion të futbollit italian, Elseid Hysaj është lojtari më i paguar nga kuqezinjtë. Mbrojtësi i Napolit përfiton 600 mijë euro në sezon, por me zyrtarizimin e kontratës së re, paga e tij pritet të shkojë në afro 1 milionë e 500 mijë euro.
Pas Hysajt, pozicionohet portieri Etrit Berisha, që pas huazimit nga Lacio te Atalanta do të përfitojë 500 mijë euro në sezon te bergamaskët. Podiumi i shqiptarëve plotësohet nga një tjetër prej protagonistëve të fitores së parë të Kombëtares në kualifikueset e Kupës së Botës përballë Maqedonisë, Ledian Memushaj. Kapiteni i Pescara-s përfiton 400 mijë euro në sezon.
Pas tij pozicionohet një tjetër lojtar i “delfinëve”, sulmuesi Rey Manaj, që me huazimin nga Interi jo vetëm do të ketë më tepër hapësira, por edhe të ardhura më të larta, duke qenë se paguhet 350 mijë euro. Arlind Ajeti vazhdon fazën e rikuperimit dhe pret debutimin zyrtar me Torinon, ku paguhet 300 mijë euro, ndërsa portieri Tomas Strakosha përfiton 100 mijë euro te Lazio.
Sa gjysma e gardianit të talentuar, paguhet një tjetër i ri premtues, Leonardo Maloku. Mbrojtësi i Kombëtares së 19-vjeçarëve paguhet 50 mijë euro te Pescara, ndërsa renditja e shqiptarëve mbyllet provizorisht nga mbrojtësi Frederik Veseli, pagesa e të cilit te Empoli ende nuk është zyrtarizuar.

Exit mobile version