Përdorimi i cigareve është i ndaluar në ambientet e shkollave nga nxënësit.
Madje edhe ligji për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit e përcakton qartë se nuk lejohet përdorimi i duhanit nga personat nën moshën 18 vjeç, por kjo nuk zbatohet.
Këto janë pamje brenda një klase, ku gjatë procesit mësimor, një nga djemtë ndez cigaren e shokët e tjerë e filmojnë , më pas “mburren” me aktin në rrjete sociale.
Duhan-pirja është kthyer në normalitet në mjediset shkollore, ku brenda gjen bishta cigaresh e paketa të shpërndara në oborr, por edhe nxënës që e konsumojnë pavarësisht se cilësohet shkelje e ligjit.
Në një vëzhgim të kryer nga Top Channel në disa institucione arsimore duket se mësuesit janë të pafuqishëm përballë këtij fenomeni dhe zgjedhin të tregohen indiferent.
“Ne kemi qenë brez tjetër, ndërsa tani mund ta pinë edhe në sy të mësuesit e të njoftojë prindin, por prindi thotë skam çfarë ti bëj. Kur thotë prindi kështu, s’ke çbën me fëmijën e tjetrit. Nuk ka më të njëjtin respekt”-shprehet studentja.
“Mungon disiplina, përgjegjësia. Nuk është si më parë, sinjalizimi mësues- prind. Nuk ka kontroll”-shprehet qytetarja.
Problematikë e shtuar është edhe braktisja e orëve mësimore jo vetëm në gjimnaze por edhe në shkolla 9-vjeçare, nga varësia e konsumit të substancave narkotike, siç duket në këto pamje ku nxënësit kalojnë duar më duar kanabisin në qoshet e rrugicave pranë institucioneve arsimore./ Top Channel