Dule: Rama, njeriu që vrau shpresën e shqiptarëve

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule deklaron se qeveria Rama është në kursin e një dështimi total gjatë këtyre tre viteve. Nga Saranda, Dule theksoi se qeveritë e mëparshme në këto 25 vite dështuan, por nuk u humbi shpresa qytetarëve. Ndërsa kryeministri Edi Rama bën përjashtim, tha Dule. Sipas tij, ai e vrau shpresën për qytetarët para fundit.
“Marrëdhëniet tona me qeverinë, më konkretisht me Ramën: Rrugët tona janë ndarë, me keqardhje dhe përgjegjësinë tonë, se kemi kontribuar për ardhjen në pushtet të kësaj mazhorance, them që është në kursin e një dështimi total të qeverisjes gjatë këtyre 3 viteve. Në ndryshim nga qeveritë e mëparshme që kanë qeverisur këto 25 vite, të cilat kanë pasur pak a shumë fund të ngjashëm, kanë pasur arritje dhe dështime, por ato të paktën kanë lënë pas për qytetarët shpresë. Rama është një përjashtim, në vend të hopit pozitiv, po sjell një hop negativ. Rama nuk lë pas as shpresë. Një proverb popullor thotë: “Shpresa vdes e fundit”, por Rama e vrau shpresën për qytetarët para fundit”, tha Dule.
Pas takimit me strukturat e partisë në Sarandë, Dule foli edhe për sfidat e kongresit. “Partia shkon në një kongres që përbën një sfidë, mbushim 25 vjet parti politike dhe parlamentare. Jemi partia e tretë pas PS-PD që kemi 25 vjet parlamentare. Më e rëndësishme është që kemi qëndruar në konceptin tonë si një qiri ndoshta modeste e përqendruar në ndriçimin e vlerave dhe parimeve të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve. Pas kongresit, sfidë për ne është që krahas mbrojtjes të këtyre vlerave, të nisim një përpjekje më të madhe, të jemi një zë, i cili do të shprehë shqetësimet dhe ambiciet e shoqërisë shqiptare për një kohezion social. Por kryekapitulli i këtij kongresi do të jetë mbyllja e një cikli tranzitor politikë post komunist, dhe e para PBDNJ-ja dhe programi i saj, organizimi i saj do të çelë ciklin europianist”, tha Dule.
Pak ditë më parë, kreu i PBDNJ ka lëshuar akuza të forta kundër Koço Kokëdhimës dhe terrorin që ai po ushtron në qytetin e Himarës përmes IKMT, duke prishur objektet e bizneset e qytetarëve të ndershëm me qëllim ndërtimin e bizneseve të tij.
Përmes një deklarate për mediat, PBDNJ dega Himarë bën të ditur se, “në mënyrë të përsëritur, me veprime selektive nga ana e qeverisë, shkatërrohen objekte të ligjshme në Himarë, ku dora e ekzekutimit IKMT vepron në mënyrë të kundraligjshme, të cilat kanë vetëm një qëllim: të dëmtojnë në mënyrë të përsëritur dhe të pakorrigjueshme veprimtarinë ekonomike dhe demografinë e komunitetit helen në Himarë”.

Exit mobile version