Aksident në Kavajë, humbin jetën dy fëmijë, shpëton foshnja 1 vjeç

Një aksident tragjik ka ndodhur dje pasdite në Kavajë. Bëhet e ditur se dy fëmijë 3 dhe 5 vjeç kanë humbur jetën, pasi makina me të cilën ata udhëtonin është përplasur me trafikndarësen. Ngjarja ka ndodhur në Qerret, rreth orës 17:20 të ditës së djeshme, në rrugën dytësore Golem-Kavajë. Dy fëmijët ishin duke lëvizur me makinë bashkë me nënën e tyre dhe një fëmijë tjetër.
Drejtuesja e mjetit ka mbetur e plagosur, dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Durrësit për të marrë trajtim mjekësor, bashkë me një fëmijë 1 vjeç, ku mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, makina ka kaluar nga njëri sens i rrugës në tjetrin, ndërsa dyshohet se shkak për vdekjen e dy fëmijëve është bëri hekuri i trafikndarëses.
Bëhet e ditur se nëna e fëmijëve, e cila ndodhej në timonin e makinës ishte nisur nga Pogradeci në drejtim të Rrogozhinës, ku do të takonte burrin e saj, i cili po vuante prej disa muajsh dënimin në burgun e këtij qyteti.
Policia bëri të ditur se, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit. “Më datë 07.05.2016, rreth orës 17:20, në rrugën dytësore Golem-Kavajë, mjeti tip “Mercedes Benz”, me targë AA 372 JG, me drejtuese shtetasen S.N., 24 vjeç, banuese në Durrës, duke drejtuar mjetin, në të cilën ndodheshin 3 fëmijë, është përplasur me trafikndarësen, ku si pasojë kanë humbur jetën 2 fëmijë ende të paidentifikuar. Drejtuesja e mjetit me fëmijën E. N., 1 vjeç, janë dërguar në Spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën. Policia dhe grupi hetimor në vendin e ngjarjes po kryen hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Exit mobile version