Durrësi, Elbasani dhe Kukësi me rënien më të madhe të gjedhit më 2023, faktorët që qëndrojnë pas

Rënia e numrit të bagëtive (gjedhit) sipas qarqeve zbulon elemente që kanë të bëjnë me tkurrjen e popullsisë dhe ristrukturimin e ekonomisë nga bujqësia drejt sektorëve të tjerë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se rënia më e madhe gjedhit në vitin 2023 në krahasim me 2022 ishin në Qarkun e Durrësit me -30.8%, Elbasanit me -21%, Kukësit me 19% dhe Korçës me 17.2%. Në këto qarqe, tkurrja ishte më e madhe se mesatarja kombëtare 11.5%.

Mungesa e fuqisë punëtore në qytetet të mëdha ku janë të përqendruara bizneset e turizmit dhe industrisë po rrit gravitetin e largimeve nga sektorët e bujqësisë drejt të tjerëve.

P.sh. në hotelet e Durrësit po rritet gjithnjë e më shumë kërkesa për punonjës, duke bërë që gratë të cilat më parë jetonin duke mbarështuar kafshë, tani të punojnë në hotele.

Gjithashtu në Tiranë, kompanitë e ndërtimit po marrin gjithnjë e më shumë punonjës nga rrethinat e Tiranës që më parë merreshin me bujqësi dhe blegtori. Rritja e pagave në turizëm dhe ndërtim po tërheq gjithnjë e më shumë punonjës nga bujqësia, e cila ofron pagat më të ulëta se sektorët e tjerë të ekonomisë.

Në disa qarqe, rënia e numrit të gjedhit po kushtëzohet nga rënia e popullsisë në zonat rurale dhe nga plakja e saj. P.sh. në Kukës që është një qark kryesisht blegtoral fermat e vegla me 1-3 krerë lopë po mbyllen për shkak të plakjes dhe reduktimit të popullsisë në fshat.

Për të njëjtat arsye, numri i bagëtive po bie edhe në Korçë pohojnë ekspertët e sektorit.

Krerët e gjedhit shënuan rritje vetëm në qarkun e Gjirokastrës dhe të Fierit me nga 1.3 dhe 2% secila. Në Fier pati rikuperim të lehtë në fermat e mëdha pas një rënie të fortë të gjedhit në vitin 2022.

Nga 2014 me 2023 rënia më e madhe numrit të krerëve të gjedhit ishte në Elbasan dhe Gjirokastër me 65 dhe 54% secila.

Gjatë kësaj periudhe krerët e gjedhit janë përgjysmuar në të gjithë vendin. Kjo është shoqëruar me rënien e prodhimit të qumështit që ka krijuar një rritje të fortë të çmimeve të bulmetit vitet e fundit./B.Hoxha

ndr
Burimi: INSTAT

 Monitor

Exit mobile version