Më 23 shkurt, Gjermania voton për një parlament të ri. Bundestagu i ri do të jetë ndryshe nga të mëparshmit. Këto janë risitë e reformës zgjedhore që u miratua pas shumë debatesh dhe përpjekjesh të mëparshme të dështuara.
Rritet rëndësia e votës për partinë
Fleta e votimit mbetet e njëjtë. Çdo votues ka dy vota – një për një kandidat të zonës dhe një për partinë. Por rëndësia e votës së dytë, e cila përcakton listën e deputetëve të zgjedhur nga partitë, do të rritet. Numri i deputetëve kufizohet në 630, duke u zvogëluar nga 733 që ishin në Bundestagun e mëparshëm.
Nuk ka më mandate shtesë
Më parë, nëse një parti fitonte shumë mandate në zona të caktuara, por nuk kishte vota të mjaftueshme në total, ajo përfitonte vende shtesë në parlament, të quajtura në gjermanisht “Überhangmandate”. Reforma tani i ka hequr këto mandate. Kandidatet dhe kandidatët që fitojnë zonat elektorale mund të hyjnë në parlament vetëm nëse votat e partisë së tyre përputhen me rezultatet përkatëse. Ky ndryshim synon të rrisë peshën e votës së dytë dhe të sigurojë përfaqësim më të drejtë.
Pragu elektoral mbetet, por me përjashtime
Pragu prej 5% mbetet në fuqi: partitë që nuk e kalojnë këtë prag nuk mund të hyjnë në Bundestag. Megjithatë, një parti që fiton të paktën tre mandate të drejtpërdrejta mund të hyjë në parlament edhe pa arritur pragun. Ky rregull siguron përfaqësim për parti që kanë mbështetje të fortë lokale, si “Die Linke” dhe “Freie Wähler”.
Zgjedhjet e 23 shkurtit priten të jenë një test për këtë sistem të ri. Me një parlament më të vogël dhe më shumë fokus te vota e dytë, reforma pritet të forcojë procesin demokratik dhe të bëjë Bundestagun më efikas. Por mbetet për t’u parë nëse kjo reformë do të sjellë sfida të reja apo do të përmbushë pritshmëritë për një përfaqësim më të drejtë./DW