Nga Italia në Shkodër, rrugëtimi i Marubit drejt fotografisë! U themelua më 1856, nga studio në arkiv e më pas muze fotografie

Muzeu “Marubi” dhe Galeria e Artit Tiranë do të bëhen bashkë për të sjellë një ekspozitë të jashtëzakonshme me imazhet e dinastisë Marubi, në 100 vjet jetë të kësaj studioje fotografike.

 

Ekspozita do të çelet në mjediset e GAT-it, më 27 shkurt dhe do të qëndrojë e hapur për publikun përgjatë dy muajve, deri më 27 prill 2025. Ajo do të përmbajë një përzgjedhje imazhesh nga arkiva (1865-1959), me mbi 150 mijë xhama negativë të Muzeut Kombëtar Marubi, Shkodër. Ekspozita “Dinastia Marubi – Njëqind vite të studios fotografike shqiptare” është e kuruar nga Kim Knoppers. Në ekspozitë, për herë të parë do të shfaqen fotografi të jashtëzakonshme nga koleksionet e autorëve të njohur Pietro, Kel dhe Gegë Marubi, imazhe të cilat në vitin 2016 u ekspozuan në Muzeun e Fotografisë të Amsterdamit FOAM dhe në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në 2019.

Muzeu Kombëtar “Marubi” e konsideron këtë si një moment të veçantë për të shfaqur trashëgiminë e Marubëve, dhe një mundësi të rrallë për t’u zhytur në botën e imazheve që kanë dokumentuar historinë tonë. “Marubi” fton të apasionuarit pas fotografisë të mos e humbasin këtë mundësi të veçantë.

KRIJIMI

Foto Studio “Marubi” u themelua më 1856 në Shkodër nga piktori, skulptori dhe arkitekti Pietro Marubi. Fototeka Kombëtare “Marubi” është krijuar më 1970 pas dhurimit që i bëri Gegë Marubi arkivit të tij personal prej tre brezash, me rreth 150 mijë negativë, shtetit. Në këtë arkiv gjenden negativë nga të gjitha formatet, që nga 30 cm x 40 cm dhe deri te 6 cm x 9 cm në pllaka xhami, nga viti 1858 deri në vitin 1959.

Ky, është një nga arkivat më të pasur të Ballkanit. Në të mund të gjesh negativë me tema të ndryshme dhe figura po kaq të shumëllojshme, si pashallarë, vezirë, oficerë turq dhe deri konsuj të kombësive të ndryshme, italianë, francezë, austriakë, anglezë, rusë, grekë, serbë, figura nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore dhe figura shqiptarësh të rëndësishëm si Luigj Gurakuqi, Fishta, Mjeda, Asdreni, Koliqi, Lasgush Poradeci, Migjeni, Azem e Shote Galica e shumë e shumë figura të tjera të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Gjithashtu, në arkiv mund të gjesh negativë me tema nga etnografia, urbanistika, monumentet e kulturës, historia, pazari, lundrimi në Bunë etj, Gegë Marubi, i fundit i dinastisë Marubi, ishte mjeshtër i portretit dhe i peisazhit me infra të kuqe. Ishte i pari ai që përdori këtë proces të zhvillimit të fotografisë, pasi e mësoi në Francë ku dhe kreu studimet. Këtë nismë e përkrahën dhe fotografë të tjerë shkodranë si Shan Pici që filloi të punojë nga viti 1924 dhe deri 1962 në Lezhë. Ai i dhuroi shtetit rreth 70 mijë negativë të formatit 18×24 deri 4×6 në pllaka xhami dhe në filma celuloidi. Shani, siç e quante populli, ishte fotografi i Malësive. Në materialin që ai dhuroi, ka tema të ndryshme si: peizazhi i tij i famshëm, urbanistika, etnografia, pazari, sporti e shumë tema të tjera të rëndësishme.

Dedë Jakova ishte një fotograf tjetër shkodran që i dhuroi shtetit rreth 50 mijë negativë, në xham dhe celuloid, me format 10 cm x 15 cm deri 6 cm x 9 cm. Dedë Jakova ishte fotografi i rinisë. Kështu e quante populli i Shkodrës. Ai ishte dhe si fotoreporter për kohën dhe e zhvilloi veprimtarinë e tij nga viti 1930 dhe deri 1959. Në fondin e tij zbulojmë një larmi temash si histori, etnografi, urbanistikë, teatër e shumë të tjera të rëndësishme. Pjetër Rraboshta, që dhuroi rreth 3 mijë negative, quhet ndryshe edhe fotografi i fëmijëve dhe i manifestimeve të ndryshme që janë bërë në qytetin e Shkodrës në vitet nga 1959 deri në vitin 1975. Materiali i tij është në filma “Laika”, 24 mm x 36 mm. Angjelin Nënshati me bindje të plotë do ta quanim vazhduesi i fotografëve të traditës shkodrane. Ai dhuroi rreth 250 mijë poza. Materiali i tij është i fiksuar në filma “Laika”, 24 mm x 36 mm, dhe fillon në vitin 1959 deri në vitin 1984. Në fondin e tij ka tema të ndryshme si manifestime shkollore, arsimore, sporteve, mjekësore, etj.

HISTORIA

Italiani Pietro Marubbi erdhi në Shqipëri në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Mbasi e përshkoi atë nga jugu në veri, erdhi e u vendos në Shkodër. Asokohe ky qytet ishte një qendër e lulëzuar dhe pikë lidhjeje e rëndësishme falë shkëmbimeve ekonomike e kulturore. Ndoshta ishte atmosfera që gjeti në këtë qytet që e përndriti të sjellë artin e fotografisë duke hapur kështu studion e parë. Duke mos pasur fëmijë, ndihmësit e tij të parë, por edhe vijuesit besnikë në fushën e fotografisë, ishin fëmijët e kopshtarit Rrok Kodheli nga zona e Zadrimës.

Të dy djemtë, i pari Mati Kodheli e me vdekjen e tij të parakohëshme, vëllai i vogël Kel Kodheli, shkojnë në Trieste të mësojnë mbi mjeshtërinë dhe sekretet e fotografisë te studioja “Sebastianutti & Benque”. Keli ndjek rrugëtimin e Pietros me fotografinë duke trashëguar studion dhe mbiemrin. Më tej vijon i biri Gegë Kodheli (Marubi) duke ndjekur kurse mbi fotografinë për disa vjet pranë shkollës për kinematografi e fotografi të vëllezërve Lumière në Francë. Ajo çka bie në sy ndër tre brezat e fotografëve është dëshira për të qenë bashkëkohorë me epokën dhe kontekstin si nga pikëpamja social-estetike ashtu dhe nga ajo teknologjike. Ndërkohë, në Shkodër ishin çelur njëra pas tjetrës studio të tjera fotografësh, pjesa më e madhe e të cilëve ishin nxënës të Marubëve: Dritëshkronja e Kolës (1886), Fotografija Pici (1924), Foto Jakova (1932), Foto Rraboshta (1943).

Atelieri i Marubëve vijoi përreth një shekull me një gjurmë individuale e në fillim të viteve ‘50 iu dorëzua anonimatit kolektiv komunist duke u bashkuar me fotografët e tjerë në kooperativë. Në pamundësinë për të përdorur, promovuar e ruajtur punën e bërë nga ai dhe paraardhësit e tij, në një kohë kur çdo lloj aktiviteti privat ishte i ndaluar, i fundit fotograf i Marubëve, Gega, në vitin 1970 i dhuron shtetit arkivin e familjes. Gjesti i tij ndiqet edhe nga fotografët e tjerë të atelieve të qytetit. Këta fotografë që dikur fëmijë, kishin hyrë për të mësuar e punuar te Marubi po rihynin te Marubi jo si Dritëshkrojë por si Fototekë, jo më si nxënës, por si autorë me korpusin e tyre fotografik. Arkivi i grumbulluar me rreth gjysmë milionë negativa formoi Fototekën Marubi. Kjo Fototekë, fillimisht si një sektor i Muzeut të qytetit, ishte nën kujdesin e Bashkisë Shkodër, por në vitin 2003 kalon nën administrimin e Ministrisë së Kulturës. Me 9 maj 2016, me koleksionet e Fototekës u inaugurua Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi.

Exit mobile version